Nis konkretizimi i projektit të shëtitores, investimi më i madh në qytetin bregdetar
Prej pak ditësh, në bregdetin e Vlorës është vendosur tabela e fillimit të fazës së parë të punimeve për ndërtimin e shetitores, që vlerësohet si investimi më i madh në hapësirën urbane të këtij qyteti.
Faza e parë (ose Loti 1) e konkretizimit të këtij projekti, që financohet nga Qeveria e Shqipërisë me një vlerë prej 179928000 lekë, me investitor Fondin Shqiptar të Zhvillimit, parashikon mbushjen me rërë të Plazhit Vlorë. Punimet që nisin brenda janarit, do të zgjasin për një periudhë 8- mujore.
Projekti i shetitores së qytetit të Vlorës, që është realizuar nga studioja belge XDGA B.V.B.A, e shpallur fituese në konkursin ndërkombëtar që u zhvillua në fillim të muajit shkurt të vitit 2014, synon një zhvillim perspektiv të bregdetit në përputhje me parametrat natyrorë, traditat etj. Projekti parashikon një cilësi të lartë të bregdetit, raport të mirë me parametrat natyrorë, respektim të kushteve specifikë natyrorë dhe të gjirit të Vlorës në një gjatësi prej 7 km, që nis nga pika ekstreme e Pyllit të Sodës dhe vazhdon deri tek Tuneli i Ujit të Ftohtë.
Shetitorja do të jetë e vazhdueshme (kontuitive), e alternuar me zona dhe breza të gjelbëruar, në mënyrë që jo vetëm të garantojë një hapësirë të sistemuar dhe funksionale, por edhe përmirësim të standardeve mjedisore, mundësi për shetitjen dhe argëtimin e qytetarëve, pushuesve vendas e të huaj, ekspozim të vlerave e traditave historike, sociale, qytetare e urbane. Projekti parashikon që në të të ketë hapësira të gjelbra, mjedise shërbimi, shetitjeje, arëgtimi.
Projekti i shetitores dhe vetë bregdeti i gjirit të Vlorës vlerësohen si pasuri rajonale. Në një qytet me sipërfaqe prej 2400 hetktarësh, ndërtimi i një shetitoreje me sipërfaqe prej 250 hektarësh, cilësohet si një potencial me vlerë të jashtëzakonshme edhe në raport me hapësira të ngjashme jo vetën në Ballkan, por në të gjithë Mesdheun. Nga ana tjetër, përfaqësues të studios belge e kanë cilësuar këtë projekt, një katalizator për zhvillimin urban të Vlorës.
Projekti i shëetitores, që nisi me iniciativën e Kryeministrit Edi Rama, u publikua si ide në 28 nëntor të vitit të 2013, në Ditën e Festës së 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
Studio e njohur belge XDGA B.V.B.A. u shpall fituese në një konkurs ndërkombëtar, ku morën pjesë dhjetra studio të njohura nga vende të ndryshme të botës. Në fillim të muajit shkurt të 2014-ës, u zhvillua edhe faza finale e këtij konkursi, ku u prezantuan me projekt idetë e tyre 5 studio të njohura, nga të cilat juria ndërkombëtare përzgjodhi si më të mirën, XDGA.
Në fjalën e tij në këtë fazë finale që u zhvillua në sallën e teatrit “Petro Marko”, Kryeministri Rama u ndal tek vizioni i Qeverisë për zhvillimin e bregdetit, duke theksuar se, “Për ne, bregdeti është si një sfidë për të ndërtuar Vlorën e shekullit të ri”. Ai vlerësoi pritshmëritë e këtij projekti, ndërkohë që u shpreh se, “kemi gjithë hapësirën për të ndërtuar një nga vijat urbane më të bukura të Mesdheut, në funksion të zhvillimit të qytetit, në funksion të zhvillimit të mbarë vendit”.
Pas mbarimit të këtij projekti, turistët do të jenë shumë më të tërhequr pas Vlorës dhe vijës bregdetare të Shqipërisë. Ky projekt, që është investimi më i madh në historinë e Vlorës, nuk do të mbetet i veçuar, por do të alternohet edhe me projekte të tjerë komplementarë, që do të shtrihen përgjatë bregdetit të detit Jon.