Nis puna për përgatitjen e strategjisë së taksimit rrugor
Qeveria shqiptare ka nisur punën punën për përgatitjen e hartimin e strategjisë së Taksimit Rrugor në Shqipëri, një projekt ky që do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Si administrator i fondeve grant të siguruara nga BERZH-i, nga burimet e veta, qeverisë shqiptare i është akorduar një grant prej 149 117 eurosh që do të përdoret për përgatitjen e një strategjie të taksimit rrugor mbi përdorimin e taksës rrugore në Shqipëri. Në draftin e depozituar në Kuvend, qeveria thekson se struktura e tarifave që do të vendosen si taksë në rrugët e Shqipërisë do të identifikohet në kontekstin e praktikave më të mira të BE-së.
Nëpërmjet financimit të këtij projekti, BERZH-i mbështet reformën e qeverisë për sektorin rrugor. “Të ardhurat për mirëmbajtjen e rrugëve e kanë burimin nga fondet e buxhetit të shtetit. Në kushtet e përballjes me kufizime buxhetore, lind nevoja për të konsideruar mundësinë e futjes së sistemit të taksave rrugore (rrugëve me pagesë)”, argumentohet në relacionin e qeverisë. Rrjeti rrugor shqiptar ka një gjatësi totale prej, përafërsisht, 18 000 km. duke përfshirë 3 740 km rrugë të përcaktuara si rrugë kombëtare, në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Aktualisht, nuk ekziston asnjë taksë në rrjetin rrugor shqiptar.
Të ardhurat nga taksat janë gjithashtu, të pavarura nga procesi vjetor buxhetor dhe, për këtë arsye, ato rritin qëndrueshmërinë e të ardhurave në sektorin rrugor. Taksat mund të vendosen të diferencuara, në varësi të llojit dhe tipit të mjeteve rrugore dhe në funksion të mirëmbajtjes së aksit rrugor ku ajo aplikohet. Në aspektin e politikës së transportit të qëndrueshëm, taksimi është i lidhur edhe me zhvillimin e sektorit privat, pjesëmarrës në procesin e dhënies me konçesion të akseve rrugore. Taksimi rrugor do të ketë, gjithashtu, edhe ndikime sociale pozitive, për një mirëmbajtje më të mirë të rrugëve.