Keshilla

Nis shkolla, gjithçka duhet të dini për një vit të suksesshëm

Diku do të bjerë një zile e diku tjetër ndoshta teknologjia ka sjellë të tjera mënyra për të lajmëruar nxënësit, por viti i ri shkollor 2015-2016, erdhi.

Duke i arkivuar me pak aluzion dhe nostalgji pushimet e verës, të vegjlit janë gati të kthehen në bankat e shkollës. Ka nga ata të cilët mezi presin orën për të filluar këtë aventurë dhe të tjerë që preferojnë të vazhdojnë të luajnë dhe të argëtohen si në verë.

Prindërit, në këtë moment kaq të rëndësishëm, kanë një rol vendimtar: të vegjlit duhen stimuluar dhe inkurajuar për të përballuar sa më mirë dhe me pozitivitet vitin e ri shkollor. Ndaj ndiqni këshillat tona të cilat variojnë që nga look-u i duhur, deri te menaxhimi i ankthit, shumë i zakonshëm te fëmijët, të cilët e provojnë për herë të parë këtë “aventurë”.

2015/2016, kur fillon dhe kur mbaron?

Ministria e Arsimit e ka publikuar herët strukturën për vitin e ri shkollor 2015-2016. Në të është përcaktuar fillimi dhe mbarimi i vitit shkollor për arsimin bazë, të mesëm dhe atë profesional, por edhe datat e provimit të lirimit dhe Maturës Shtetërore.

Kështu, arsimi bazë fillon vitin e ri shkollor në datën 14 shtator 2015 dhe e mbyll në datën 10 qershor 2016, arsimi i mesëm e fillon po në datën 14 shtator dhe përfundon më 17 qershor 2016, ndërsa maturantët e përfundojnë shkollën në datën 3 qershor për t’u përgatitur për provimet e Maturës Shtetërore.

Edhe arsimi profesional është përcaktuar nga MAS të fillojë më 14 shtator 2015 dhe do të përfundojë sipas klasave të caktuara, ndërsa është caktuar edhe periudha e provimeve për to.

Të mësuarit me rutinën

Nuk është gjithmonë e lehtë t’i mësoni fëmijët me rutinën, sidomos ata më të vegjlit. Ndaj, si mund t’ia bëni për t’i mësuar fëmijët pa i traumatizuar? Ju këshillojmë një “rikthim me normalitet”, ose dalëngadalë.

Filloni të parashikoni orarin e gjumit, pa harruar të qëndroni pak kohë me fëmijët, duke i treguar një histori. Ndërkohë, nëse fëmija juaj e fillon shkollën për herë të parë, ju mund të imagjinoni ndonjë histori të vogël mbi mësuesen, se si e kalon ditën me nxënësit në klasë, në mënyrë që ta mësoni paksa fëmijën me të renë që e pret.

E rëndësishme për fëmijët është periudha e vajtjes në kopsht, ku duhet të shoqërohen nga prindërit për t’u përshtatur apo njohur me ambientin e ri. Kujdes duhet të tregoni edhe për ushqyerjen e fëmijëve: mos e ekzagjeroni me ëmbëlsirat dhe me ushqimet shumë të rënda që mund të shqetësojnë çlodhjen e tij.

Fillimi i shkollës dhe ndjenja e ankthit!

Nëse fëmija, përballë të rejave shfaq ankth dhe pakënaqësi, mos tentoni minimizimin e këtyre problemeve, sepse ato mund të përkeqësohen nëse nuk përballohen në mënyrën e duhur në momentin që ndodhin. Në ndihmë mund të vijnë çajet bimore, si ilaçe natyrore të këshillueshëm edhe për më të vegjlit 4-vjeçarë.

Specifikisht për ankthin janë arrat, të cilat ndihmojnë për të përballuar situatat e reja. Clematis, ndërkohë është një lule e cila mund t’i ndihmojë nxënësit dhe mësuesit të qëndrojnë vigjilentë dhe zgjuar. Mos harroni të gjeni gjithashtu ndonjë formë argëtimi të vogël për fëmijët tuaj, në mënyrë që ndryshimi mos të duket shumë i vështirë.

Ide trendi për nxënësit që duan të ndjekin modën

(Ri)fillimi i shkollës kërkon edhe një pamje të re. Padyshim, nuk mund të mungojë çanta e shkollës, të cilën duhet ta zgjidhni me shumë  vëmendje: përveç anës estetike, duhet të keni parasysh komoditetin dhe prakticitetin. Mos i impononi idetë tuaja, por përpiquni të përfshini gjithmonë fëmijët në të gjitha zgjedhjet që duhet të bëjnë për ditën kur do të gjenden në bankat e shkollës. Bëjeni si një lojë.

Për sa i përket veshjes këshillohet gjithmonë të zgjidhni diçka praktike, por të këndshme: tashmë me uljet e sezonit mund të gjeni gjëra të bukura me çmim të lirë. Veshje pambuku për vajzat, por edhe pantallona dhe t-shirt të rehatshëm për djemtë.

Higjiena si mbrojtje kundër baktereve dhe viruseve

Me kthimin në bankat e shkollës, shumë fëmijë sjellin edhe baktere dhe viruse të ndryshme. Mësimdhënësit e dinë se shumë shpejt pas fillimit të shkollës, shpesh paraqiten infeksione të veshit dhe fytit te  fëmijët. Dhe preventiva më e mirë për këtë, është higjiena e mirë, ku pas çdo aktiviteti, fëmija duhet t’i pastrojë duart.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button