Nishani “shpërthen” kundër maxhorancës: Reforma në drejtësi e njëanshme, s’po përfshihet opozita
Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka kritikuar ashpër shumicën qeverisëse për punën e nisur për reformën në drejtësi, e cila sipas tij, deri tani jo vetëm nuk ka rezultate konkrete, por është tërësisht e njëanshme, pa përfshirjen e opozitës, për pasojë pa konsensus sikundër e kërkon BE-ja.
Duke kujtuar tryezën e 6 tetorit 2015, kur ai u beri apel paleve te sigurojne një proces të reformimit tërësor dhe jo fragmentar të sistemit të drejtësisë, Nishani konstatoi se qe atehere nuk eshte shenuar progres.
“Me keqardhje kam vërejtur se tryezat e mëpasme nuk kanë qenë ngushtësisht tematike dhe gjerësisht përfshirëse. Ato kanë qenë tryeza formale, ku palët politike, aktorët e drejtësisë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë nuk kanë pasur mundësinë të japin mendimet konkrete, për të vendosur në lidhje me prioritet, në mënyrë që të hartoheshin objektivat përkatëse për çdo prioritet dhe për të vazhduar më tej me zbërthimin e tyre në masa konkrete ligjore dhe nënligjore. Kam konstatuar me keqardhje që reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës. Kam bërë thirrje që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut politik dhe të orientohen në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila medoemos duhet të jetë konsensuale”- tha Nishani.
Nishani ka kritikuar me tej edhe mosperfshirjen e përfaqësuesit të Presidences ne Komisionin e Posaçëm Parlamentar ‘Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë’, me përbërje nga forca të ndryshme politike, që do të zhvillonte veprimtarinë e tij në 6 muaj.
“Jam vënë në dijeni në lidhje me përbërjen e këtij Komisioni, të grupit të ekspertëve dhe të faktit që opozita e ka bojkotuar pjesëmarrjen në këtë Komision pasi nuk është dakordësuar me përbërjen dhe mënyrën e organizimit të punës nga ana e Komisionit”- ka thene ai.
Presidenti ka theksuar me tej se ai ka kërkuar që kjo reformë të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke u konsultuar në mënyrë të vazhdueshme me Komisionin e Venecias, si dhe shmangien e fragmentarizmave dhe formalizmave siç rezulton të ketë ndodhur deri më tani.
“Më lejoni të shpreh rezervat e mia, që pavarësisht kritikave të Bashkimit Evropian, përmes progres raportit më të fundit në drejtim ‘miratimit të ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, pa një proces gjithëpërfshirës dhe tërësor reformash bazuar në konsultime të gjera dhe nën orientimin e Komisionit të Venecias’, vazhdohet me praktika të tilla që të miratohen ndryshime ligjore të përshpejtuara pa u konsultuar me Komisionin e Venecias, sikur rasti i ndryshimeve ligjore në lidhje me Gjykatën e Lartë”- theksoi me tej Nishani.
Sipas tij, pas 6 muajve, rezulton që të jetë ezauruar vetëm faza e parë sa i takon analizës së gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, gjetje të cilat do të shërbejnë për të kaluar në fazën e dytë, të hartimit të dokumentit strategjik për objektivat e reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi kërkon ndryshime kushtetuese, të cilat medoemos duhet të shoqërohen edhe me konsensusin e opozitës”- tha Nishani, duke kerkuar asistence dhe mbeshtetje nga Komisioni i Venecias.