Ekonomia

Niveli i borxhit publik, Shqipëria renditet në vendin e 18 në Europë

Eurostat: Italia në vendin e dytë, pas Greqisë

Renditja – Në bazë të të dhënave të “Trading Economics”, Shqipëria është në vendin e 18 për borxhin publik

Krahasimi – Shqipëria është më mirë se Serbia për borxhin publik, por Kosova ka borxhin më të ulët në rajon

Greqia – Sipas Eurostat-it, Greqia është shteti me borxhin më të lartë në Europë në 168.8% të prodhimit kombëtar

Mesatarja – Borxhi publik mesatar i Shqipërisë nga viti 1997 deri në vitin 2014 ka qenë 63.72%

Maksimal – Niveli maksimal i borxhit publik të vendit arriti në 1997 kur u ngrit në 84.6%

Minimal – Rekordi historik i nivelit më të ulët të borxhit publik ishte në 2007 me 53.43%

Nga Zamir Alushi

Eurostat raportoi dje se borxhi i qeverive në zonën euro u ngrit me 0.8% duke arritur në 92.9% kundrejt PBB-së, krahasuar me tremujorin e parë 2015. Shqipëria, vend kandidat për në BE, në renditjen e kontinentit, në bazë të të dhënave të “Trading Economics”, është në vendin e 18 për borxhin, por renditet e fundit (45), për konkurrueshmërinë, që do të thotë aftësi të dobëta në shlyerjen e tij. Aktualisht borxhi i Shqipërisë është 69.11% në raport me PBB-në, duke u renditur poshtë Serbisë që e ka borxhin publik më të madh, 70.9% të PBB-së. Të dhënat e fundit të Institutit Europian të Statistikave dhe raporti i ekonomik i Komisionit Europian për vendet kandidate për në BE (përfshirë Shqipërinë) ngre si shqetësim rritjen e borxhit publik. Shqipëria, sipas raportit të KE-së, e kishte tremujorin e parë borxhin rreth 70%, por do të merrte masa për ta mbajtur në objektivin e vendosur. Ndërkaq, edhe një tjetër partner tregtar i Shqipërisë e ka përkeqësuar situatën ekonomike. Sipas Eurostat, pas Greqisë, shteti me nivelin më të lartë të borxhit është Italia me 135.1%, duke u zëvendësuar Portugalinë që përmirësohet një vend më poshtë në tabelë. Eurostat konstaton rritje të nivelit të borxhit, jo vetëm në Eurozonë, por në të gjithë Bashkimin Europian. Sipas Eurostat-it, Greqia është shteti me borxhin më të lartë në Europë në 168.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në listën e vendeve europiane të publikuar nga Eurostat rezulton se shtetet me nivelin më të ulët të borxhit janë Estonia me 10.9% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, Luksemburgu me 21.5% dhe Bullgaria me 29.6% të PBB-së. Në vendet e Ballkanit, shteti me nivelin më të ulët të borxhit publik është Kosova me 10.6% të PBB-së. Në fund të vitit 2014, niveli i borxhit publik ishte 69.17% të PBB-së. E shprehur në vlerë monetare, borxhi publik më 30 qershor 2015 arriti në 1 016 267 milionë lekë, nga të cilat 1,015,325 milionë lekë i përkasin qeverisë qendrore dhe 942 milionë bashkive. Borxhi i brendshëm arriti 582 754 milionë lekë, ndërsa borxhi i jashtëm 432 571 milionë lekë. Mbetet për t’u parë nëse kjo ulje do të ruhet deri në fund të vitit (ndryshimi mund të ndodhë për faktin se borxhi publik llogaritet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto). Borxhi publik gjatë vitit 2014 pati një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme. Nga 76 miliardë lekë shtesë në fund të shtatorit 2014, rreth 41 miliardë i atribuohen mbulimit të deficitit buxhetor, ndërkohë pjesa tjetër e shtesës ka ardhur si rezultat i mbështetjes buxhetore nga FMN dhe Banka Botërore në kuadër të marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Borxhi i jashtëm më 30 qershor 2015 arriti në shifrën 3 miliardë euro. Në fund të vitit 2014, borxhi i jashtëm vlerësohej në nivelin e 2,94 miliardë eurove, ku 2,7 miliardë euro ishte stoku i borxhit shtetëror, ndërkohë që pjesa tjetër i përkiste borxhit të garantuar. Për sa u përket bankave ndërkombëtare, BEI, BERZH dhe FMN mbajnë pjesën më të madhe të borxhit shqiptar, ndërsa nga shtetet janë Italia dhe Gjermania. Referuar monedhave që kompozojnë portofolin e borxhit të jashtëm, vihet re që në gjashtëmujorin e parë 2015, portofoli i borxhit të jashtëm është i kompozuar nga tre monedha kryesore (EUR, USD, YEN), ku peshën më të madhe e mban monedha EUR me 53.88%. Borxhi publik mesatar i Shqipërisë në raport me prodhimin kombëtar nga viti 1997 deri në vitin 2014 ka qenë 63.72%, duke kapur majën në vitin ’97 kur pas trazirave të skemave piramidale, arriti në nivelin 84.6% dhe rekordin historik të poshtëm 53.43% në vitin 2007.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button