Një e pesta e parave jashtë bankave, rekord që nga viti 2010; Ndër nivelet më të larta në Europë
Teksa vendet e zhvilluara po shkojnë drejt “zhdukjes” së cash-it nga qarkullimi, në Shqipëri paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare vijon të jetë e lartë, si një tregues i nivelit të ulët të zhvillimit të tregjeve financiare, normave të pafavorshme të interesave të depozitave në banka, i informalitetit, por edhe i ekonomisë kriminale, që duket se po vjen në rritje.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave në fund të muajit gusht ishte 255.5 miliardë lekë (rreth 1.9 miliardë euro), që është e barabartë me 20.4% të totalit të parasë që qarkullon në vend. Ky është niveli më i lartë që nga gushti i vitit 2010.
Pasi zbriti në shkurt 2013 në 16.5% të totalit të parasë gjithsej, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i parasë jashtë bankave filloi të rritej sërish, duke arritur në 20.2% në qershor 2017. Kjo kohë përkon me zgjedhjet e përgjithshme, ku tradicionalisht ka një rritje të parasë cash në qarkullim. Rritja ka vijuar dhe në muajt në vijim, për të arritur në 20.44% e totalit në fund të muajit gusht.
Rënia e vazhdueshme e interesave të depozitave në lekë gjatë viteve të fundit (për kursimet 1-vjeçare është më pak se 1%), ka bërë që individët të tërheqin kursimet nga bankat. Alternativat e investimeve të tjera janë të pakta, në mungesë të tregjeve të tjera financiare, duke nxitur mbajtjen e parave cash.
Në kahun tjetër, rritja e parasë gjithsej në ekonomi është ngadalësuar dy vitet e fundit, madje ka pasur muaj kur ajo ka qenë me ulje, çka ka bërë që raporti i parasë jashtë banke ndaj totalit të vijë duke u zgjeruar.
Banka e Shqipërisë në statistikat e saj nuk arrin të masë paranë që gjenerohet nga aktiviteti kriminal, por një pjesë e kësaj paraje, e shtuar së fundmi nga rritja e kultivimit të hashashit, tenton të pastrohet përmes sektorëve si ndërtimi, apo lojërat e fatit, duke hyrë më pas në ekonomi si e ligjshme.
Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të bankës qendrore përkatëse ishte 8.2% në fund të shtatorit 2017. Në Serbi ishte 6.5% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe, që i referohen fundit të muajit gusht.