Kryeartikull

Një fitore e mërzitshme dhe dy sfida të komplikuara

Skender Minxhozi

Si çdo garë brenda një partie politike shqiptare në 25 vjetët e fundit, edhe kjo mes Bashës dhe Selamit ka qenë e parashkruar. Fitorja e Lulzim Bashës dihej dhe pritej. Merita jo e vogël e sfidantit Eduard Selami ishte se i dha disa nota interesante një fushate që dukej e orientuar nga ana burokratike dhe politike, drejt një fitoreje formale të Lulzim Bashës. Por nga ana tjetër, i dha kundërshtarit edhe legjitimitetin elektoral, që një grup jo i vogël ish-drejtuesish të lartë demokratë po mundohen t’ja heqin.

Sonte Basha ka dalë më në fund nga “vetëngrirja” hipokrite post-elektorale dhe mund ta quajë veten edhe një herë kryetar zyrtar të Partisë Demokratike. Ai rigjen një në zyrën e tij të kryetarit, një parti më të ndarë se kurrë dhe një katërvjeçar delikat prej opozitari, që mund të çojë edhe në zhdukjen graduale të PD nga skena, nëse menaxhohet ashtu siç Basha menaxhoi zgjedhjet e 25 qershorit.

PD ka qenë një parti historikisht unitare. Dhe kjo falë prezencës hijerëndë të Sali Berishës, i cili ja ka dalë që të hedhë nga dera e nga dritaret çdo zë, grupim, fraksion apo listë personazhesh të njohur a anonimë, që kanë vënë në dyshim linjën e tij politike, që nga vera e nxehtë e vitit 1992, kur përzuri thuajse gjithë elitën e atëhershme të partisë. Edhe vetë Selami, Pollo e të tjerë, e provuan më pas sesa e vështirë ishte të vije në dyshim kontrollin absolut të Berishës mbi partinë. E kjo ndodhte edhe kur në anën tjetër të llogores politike, socialistët njihnin  çarje të thella si ajo e LSI në vitin 2004, e cila ka sjellë krijimin e dy të majtave që luftojnë edhe sot e kësaj dite mes tyre.

Ka për të qenë një sfidë shumë e koklavitur për Lulzim Bashën, që të shmangë një frakturë të ngjashme edhe brenda PD-së së sotme. Tonet luftarake të Patozit, Topallit, Bregut, Imamit, Bodes e Mustafait, janë në fakt pasqyra alarmante e një partie që në shumicë nuk beson më tek kryetari i saj. Madje që para se ai të rizgjidhet në postin e tij me një proces votimi që duket i pilotuar dhe me integritet të cënuar. A do të ketë një parti të re të djathtë pas 22 korrikut, një fraksion anti-Bashë, kur kutitë e votimit të formalizojnë mandatin e ri katërvjeçar të Bashës?! Kjo është një alternativë mëse e mundur në këto ditë të nxehta korriku, kur ka marrë formë fraksioni më i rëndësishëm brenda Partisë Demokratike, që nga koha e mocionistëve të vitit 1992. Aq më tepër që kjo çarje nuk gjen në zyrën e kreut të partisë një personazh hijerëndë si Berisha, por një lider politik me peshë të lehtë dhe që ka provuar se e ka të vështirë të imponohet ndaj shtresës së vjetër të drejtuesve.

Rreziku i çarjes së pakthyeshme të partisë thërret në skenë detyrimisht edhe sfidën tjetër të lidhur fort me të: atë të qëndrimit që PD e nesërme do të mbajë ndaj qeverisë së re të Edi Ramës. Duket sikur ka kaluar një shekulli, por vetëm dy muaj më parë Rama e Basha i jepnin jetë një marrëveshjeje unike paraelektorale, e cila ndryshoi jo vetëm klimën zgjedhore, duke i dhënë fund Çadrës opozitare, por la mjaft shtigje të hapura, për një akord potencial pas zgjedhjeve. Përmbyllja e procesit të zgjedhjes së kreut të ri të PD, finalizon kuadrin politik postelektoral në Shqipëri. Duke shënuar gjithashtu edhe startin e një negociate të mundshme mes dy partive më të mëdha.

Dhe këtu nis ajo që duket si sfida e dytë e vështirë e Lulzim Bashës, për të gjetur një ekuilibër afatgjatë politik për partinë e tij pas zgjedhjeve. Gjatë fushatës partiake, edhe ai edhe Selami kanë deklaruar se nuk do të bëjnë asnjë lloj aleance me Edi Ramën, duke e akuzuar kryeministrin për blerje votash dhe deformim të procesit elektoral të 25 qershorit por kjo është gjithsesi një fushatë dhe në një fushatë tonet ndaj armikut politik ashpërsohen, nuk rrumbullakosen. Basha ndodhet para zgjedhjes së vështirë, për të vijuar 17 majin me Edi Ramën, apo për të marrë rrugën e opozitës së fortë, siç po bën në këto javë LSI.

Ky vendim lidhet ngushtësisht me fatin, peshën dhe të ardhmen e PD në katër vitet e ardhshme. Sepse nga njëra anë ka nga ata që mendojnë se për Bashën do të ishte me leverdi të vijonte korsinë e kompromiseve me Ramën, si premisë e krijimit të imazhi të ri, më europian për opozitën. Nga ana tjetër, janë jo të paktë ata që e gjejnë dobësinë elektorale dhe rezultatin skandaloz të PD në 25 qershor, pikërisht tek politika e çedimit përballë Ramës. Ky dualizëm është sot në fakt edhe njëri ndër elemementet bazë që e ndan Bashën nga senatorët e vjetër demokratë, të cilët e akuzojnë liderin e partisë për dobësi dhe disfatizëm përballë “shtetit të hashashit”

Fitorja partiake e Lulzim Bashës ishte faza më e lehtë e maratonës politike që e pret kreun e PD pas shtatorit 2017. Malorja politike e Bashës fillon tani, kur ai të gjejë sërish në tryezën e tij dosjen e rëndë plumb të opozitës së mpakur e të përçarë, mbi të cilën rëndojnë njëmijë pyetje e dilema. Që të gjitha pa një përgjigje./javanews/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button