Një i vdekur dhe 3 të plagosur në Tiranë
Një person ka mbetur i vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë mbrëmjen e sotme pranë gjatë dy atentateve pranë Rrugës së Kavajës në kryeqytet.
Ngjarja e parë është shënuar rreth orës 20:00 në rrugën“Islam Alla” të kryeqytetit ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vrarë shtetasin Aranit Sterio, 42 vjeç.
Ngjarja e dytë ka ndodhur në rrugën “Him Kolli”, pranë Rrugës së Kavajës, ku të plagosur kanë mbetur tre persona, njëri prej të cilëve agjent policie.
Sipas burimeve zyrtare, dyshohet që efektivi i policisë, i identifikuar si Roland Meta të ketë shkëmbyer zjarr me një të dyshuar, i cili ka qenë i shoqëruar me dy persona të tjerë.
Sipas policisë një prej të plagosurve është edhe Emiljano Shullazi (në foto), i dënuar më parë për trafik droge. Dy të plagosurit e tjerë janë Pajtim Serjani dhe Altin Dani, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, uniformat blu kanë gjetur në rrugën për në aeroportin e Rinasit një automjet të braktisur tip “Golf”, i qëlluar me armë zjarri e që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Makina ka rezultuar se i përkiste Emiliano Shullazit, i cili dyshohet se është larguar menjëherë nga vendngjarja në Rrugën e Kavajës.
Të plagosurit janë dërguar menjhëherë në Spitalin e Traumës. Policia e ka të vështirë të identifikojë autorët, por mësohet se hetuesit kanë shkuar në spital për të marrë në pyetje personat e plagosur.
Viktima është identifikuar si Arjanit Sterjo, 42 vjeç, i cili është dërguar në spital.
Dyshohet se personat ishin të maskuar, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe një efektiv policie.
Policia e kryeqytetit ka njoftuar paraprakisht se ka arrestuar rreth orës 20:00, autorin e plagosjes së dy prej të personave.
Ende nuk janë zbuluar motivet e përplasjes së armatosur në rrugën “Islam Alla”, një rrugicë ndërmjet Rrugës së Kavajës dhe “Myslym Shyrit”, ku autori ka vrapuar për t’u larguar dhe dy rrugica më poshtë, në rrugën “Him Kolli”, ai ka plagosur edhe Serjanin. Aty ai është arrestuar nga policia.
Në vendin e ngjarjes mësohet se ka shkuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi.