Një i vrarë nga predhat në kufi, Rusia paralajmëron Ukrainën për agresion
Moska ka paralajmëruar Kievin për “pasoja të pakthyeshme” pasi një burrë mbeti i vrarë nga një predhë në qytetin në kufi, akt që Rusia e përshkruan si agresion të Ukrainës.
Incidenti ka ndodhur në qytetin e vogël rus të Donetskut, pranë kufirit me rajonin Lugnask të Ukrainës, ku trupat e Kievit dhe separatistët prorusë po luftojnë për kontrollin e pikave të kufirit.
Të dyja palët kanë raportuar të shtëna në të shkuarën, por ky incident është i pari ku Moska ka raportuar dëme nga ana e saj e kufirit në konfliktin 3-mujor i cili ka vrarë qindra njerëz në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm rus u shpreh se disa shpërthime predhash kanë vrarë një rus dhe kanë plagosur rëndë dy të tjerë në qytet.
“Pala ruse e sheh provokimin si një akt agresioni nga Ukraina kundrejt territorit rus dhe qytetarëve të Federatës Ruse”, u tha në një deklaratë.
“Incidenti është tregues i përshkallëzimit shumë të rrezikshëm të tensioneve në kufirin Rusi-Ukrainë dhe mund të ketë pasoja të pakthyeshme, për të cilat do të mbajë përgjegjësi Ukraina.”
Në një fjalim televiziv zëvendësministri i Jashtëm, Grigory Karasin, tha se incidenti ishte një “përshkallëzim i rrezikshëm për qytetarët” dhe u betua se “nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Hetuesit rusë u shprehën se kanë filluar një hetim mbi “vrasjen”. Nga ana tjetër Ukraina e mohon të ketë qëlluar mbi territorin rus.
“Trupat ukrainas nuk po qëllojnë në Rusi”, tha Andriy Lysenko, një zëdhënës i këshillit ukrainas të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Është e palogjikshme dhe informacioni nuk është i vërtetë. Forcat e operacionit anti-terrorist nuk qëllojnë në territorin e shtetit fqinj dhe ata nuk qëllojnë mbi zonat e banuara”.
“Kemi shumë raste të provokimeve të terroristëve, përfshirë ato brenda territorit rus, dhe ata akuzojnë forcat ukrainase për këtë”.
Rusia tha se një shënim kundërshtues i është dhënë përfaqësuesit të Ukrainës në Moskë. Kievi e tërhoqi ambasadorin e vet në mars pas krijimit të tensionit mbi Krimenë.