Një përrallë nga Ema Andrea
Aktorja Ema Andrea dhe “Flex Ensemble”, të dielën në një performancë në skenën e Akademisë së Arteve
Ato nuk janë thjesht përralla… Vite më vonë, të gjithë e ndiejmë se rrëfimet që i kemi dëgjuar nën zërin e gjyshes apo të prindërve mbrëmjeve vonë, teksa na zinte gjumi, apo leximet tona nga librat me përralla që na kanë dhuruar, kanë qenë gjithnjë në jetën tonë. Personazhe që ashtu të humbur në pyll si Kësulëkuqja kanë ardhur përmes jetëve të tyre për të zgjidhur jetën tonë. Të gjithë ne kemi personazhin apo përrallën tonë të preferuar, që pavarësisht sa vite kemi mbi supe nuk e kemi harruar dhe do të donim ta dëgjonim sërish… Ema Andrea, aktore, regjisore teatri, beson tek ajo lidhja e padukshme por shumë e fortë mes një lexuesi dhe përrallës. Përtej historive personale, leximi i përrallave vazhdon të mbetet një pasion i dashur, që do ta zgjidhte gjithnjë jo vetëm mbrëmjeve. Përrallat janë historitë që ajo i rekomandon fort, duke besuar se asnjë lexim tjetër nuk ka forcën edukuese tek brezi i ri sa ato. Krijuesit e parë të tyre mbetën anonimë. I shpikën ashtu natyrshëm si modele për fëmijët e tyre, me përfytyrimet e ardhura rastësisht për t’i futur fëmijët në ëndërrime nga ku do të ktheheshin më të lumtur. Të dielën më 29 nëntor, ora 11:00, Andrea fton të gjithë lexuesit besnikë të përrallave dhe fëmijët t’i bashkohen disa orëve ku tingujt e muzikës do të bashkohen me zërin e saj, në rrëfime që nuk duhen humbur. Bashkë me “Flex Ensemble” Endri Nini (piano), Kana Sugimura (violinë), Anna-Szulc Kapala (violë) dhe Martha Bijlsma (violonçel), ata do të sjellin një performancë që do të zhysë në botën mistike të rrëfimeve që kanë ndryshuar botën. “Xheku dhe kërcelli i fasules”, është përralla muzikore që do të interpretohet nga “Flex Ensemble”, ndërsa më pas aktorja Andrea do të rrëfejë për publikun përralla të përzgjedhura për këtë pjesë. Përralla që ajo i ka gjetur në hulumtimet e saj për të përzgjedhur rrëfime jo thjesht të bukura, por që mbartin brenda dhe një lidhje me kohën. Pasditen e 29 nëntorit, në orën 19.00, grupi “Flex Ensemble” do të japë një koncert ku do të interpretohen pjesë të përzgjedhura nga Felix Mendelssohn Bartholdy, Gustav Mahler dhe Richard Strauss. “Flex Ensemble” është një ndër grupet më interesante të gjeneratës së tij, i vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare si çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar për muzikë dhome “Robert Schumann” në Frankfurt, si dhe me çmimin special për interpretimin më të mirë të veprës së Schumann. Më 2015, “Flex Ensemble” fiton çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të muzikës së dhomës “Gianni Bergamo Classic Music Award” në Lugano të Zvicrës. Ansambli është gjithashtu fitues i çmimeve në konkursin ndërkombëtar “Premio Trio di Trieste” në Itali dhe në konkursin ndërkombëtar të muzikës së dhomës “Kiejstut Bacewicz” në Łódź të Polonisë. Gjithashtu, fondacioni “Solti Foundation” në Londër e ka vlerësuar ansamblin me një çmim në kuadrin e programit të tij në mbështetje të muzikantëve të rinj. Aktiviteti i së dielës është realizuar nga Qendra e Gjermanishtes, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. “Flex Ensemble” është ekzekutues i disa premierave botërore të veprave të kompozitorëve të rinj, si kuarteti për mandolinë nga Victor Kioulaphides, kuarteti “Refrain in Extenso” nga Maurilio Cacciatore si dhe trioja e harqeve “Dardania Sacra” nga Kreshnik Aliçkaj.