Një popull (su)realist
FADIL LEPAJA
Lajmi se Presidentja e vendit u zgjodh nga dikush, si njëra nga pesë lideret më të suksesshme femra të kontinentit na gëzoi të gjithëve pa masë! Menjëherë prapa Merkelit, vetëm disa karrige tutje! Festuam të gjithë, qoftë në shtëpi, e qoftë nëpër kontejnerë të improvizuar si qendra pranimi anembanë Europës, të hapura për popullin tonë të lavdishëm.
Lëre fare! Kuptohet se populli ynë është më realist se të gjithë të tjerët, më tha një mik me prirje… me prirje de! Ne të gjithë kemi prirje për diçka. Për të amnistuar nga gabimet eventuale, kolektive, po e shpall popullin tim, surrealist, tha ai. Diqysh të papërgjegjshëm! Të shkëputur nga realiteti, të cilin s’e ndryshon dot, prandaj është lëshuar në meditime. Një popull i tërë po merret me meditime. Nëpër zyra të institucioneve, kompani publike, nëpër shtëpitë e veta. Kudo!
Në anën tjetër, dhjetëra e mijëra, i kanë lënë krejt angazhimet (ndër)kombëtare në Kosovë, ku duhej të ishin statist në rrëfimin e quajtur “modeli multiet(n)ik” dhe kanë shkuar atje ku mund të meditojnë. Nuk e durojnë dot modelin perfekt. Më mirë atje, në Europë, ku asgjë nuk është perfekte! Një pashtetë, dy, tri! Pak “eurocrem”! Një shtrat, me dy nivele dhe ia kërcet tipi këngën e kurbetit, sa fillon me vajtue bashkë me të edhe guri, edhe druri edhe krejt materialet plastike apo metalike përreth!
S’ka tjetër! Jemi popull surrealist, pajtohem, i thashë. Ashtu po thotë edhe wikipedia. Ashtu po thonë edhe portalet e tjera.
Po thonë se populli nuk po e kupton udhëheqjen e vet të moderuar. Nuk po e ndjek dot. Trupi në modernistet, e koka në mesjetë! “Të vranë, Ali Pashë, të vranë”! Është metaforë, de!
E kështu! Çfarëdo që të bëjmë ne, si të papërgjegjshëm që jemi, mediat do të na shpallin si performancën kolektive më të mirë, në përmasa planetare. Nuk është se nuk i kishin vërejtur edhe më herët, dhuntitë tona kolektive. Edhe më herët na quanin popull artist. Për shembull atëherë kur “aktruam” helmimet masive. Bota u çudit. Fëmijët aq mirë aktronin të gjitha simptomat e helmimeve… e analistët përflisnin helmet e dyshuara ushtarake, të hedhura nëpër klasa të shkollës. Minatorët nuk groponin ar dhe argjend, nga miniera më e famshme në ish-Jugosllavi, por aktronin. Mbylleshin në galeri. Pastaj vinin kamerat. Ish-Jugosllavia u rrëzua.
Po aktrojnë! Kështu thoshte makineria… Nuk ishte ajo makineria e Gebëlsit. Ajo ishte kot! Këtë e zbuloi ai tipi, i cili pas lufte do të jepte si donacion vetë emrin e tij, për një rrugë fshati në Anamoravë. E kërkoi populli i atjeshëm realist. E ne në këtë rrëfim, jemi ata të tjerët. Surrealistë!
Pra, po e dini! Nuk e quajtën rruga e “Kasapit të Ballkanit”. E quajtën veç me emrin e tij. Por, ai nuk është tema jonë e sotme. Tema jonë është populli ynë… surrealist, i cili nuk i ndjek dot, politikanët e vet, të cilët janë aq realistë. Lidhe kalin ku thotë… shefi! – ka thënë i moçmi. Po e dini atë thënien! E kali i lidhur hingëllin pranë ambasadave dhe nëpër ekranet e televizionit publik, e populli ikën prej realiteti.
Udhëheqësit tanë, përndryshe, shpallen nga portale e media nëpër botë si shumë të suksesshëm! Krahasoheshin me yje filmash, me figura historike globale si Linkolni, apo ndonjë tjetër… por lëre! Iku… Linkolni! Tash, befasia vjen nga politika që shpërtheu dikur nga zarfi. Befasi e këndshme! Ajo, u shpall e suksesshme. Nuk është me rëndësi se cila ishte në radhë, në ditën ndërkombëtare të grave.
Veç populli po e prish idilin! Por, Ajo e përfaqëson popullin e vet, kudo që të jetë. Prej Juniku deri në… Alaskë. Populli po mediton. Po krenohet. E bukur, e mençur… veç mos të na rrëzohet, o Zot!- lutet nën zë populli. Së paku deri më 2016, se na hidhërohen miqtë strategjikë!
“Urime, urime, urime!”, do të thoshte tetovari i famshëm nga seriali “O sa mirë”. Urime presidente! Të futesh në listën e pesë lidereve më të suksesshme në kontinent, kjo nuk është pak. Kot kjo “ndër pesë më të mirat”! Ajo për ne, është më e mira prej krejtve! E unë… unë e kam nga smira! Po flas nga geto e quajtur Kosovë!
Përndryshe, e mira e krejt kësaj, fushate promovuese, të aktivitetit të femrave, është se imazhet e dhjetëra mijë të ikurve nga vendi të cilin ju e përfaqësoni, fatlumnisht nuk ndikoi negativisht te juria, e cila ju ndau këtë vend nderi ndër pesë më të mirat. Apo nuk kishte juri, por thjesht, është një portal?! Imazhet e popullit më të varfër në kontinent, i cili nuk lëviz askund nëpër kontinent pa u bërë lajm, këto nuk e patën ndonjë efekt! Tash, nuk mund të jemi të gjithë të suksesshëm! Edhe populli, edhe udhëheqësit. Kemi mirëkuptim!
Do ta kishin më lehtë, gjithsesi, për shembull, sikur presidentja dhe liderët tanë të tjerë të përfaqësonin ndonjë popull tjetër. Popullin gjerman, për shembull. Atë anglez, amerikan, apo francez. Kjo po që do të bënte që të dukeshin si liderë botërorë dhe nuk do të kishin nevojë të shpenzonin buxhetin veç sa për të shkrepur ndonjë foto me liderët e tjerë. Por, ia vlen, edhe një foto e vetme! “Një foto sa një mijë fjalë”! E një video? Ua, një video në YouTube, që do të klikohej me një organizim gjithëpopullor, “personalisht” nga populli ynë i sakrificës, kjo po që do t’ia vlente. Por, populli ynë është mosmirënjohës. Nuk ka mirëkuptim për gjithë ato sakrifica të përfaqësuesve të vet!
Pra, u gëzuam! Por, njëkohësisht, lajmi se Presidentja e Kosovës u zgjodh ndër pesë lideret më të suksesshme të Europës hap pikëpyetje të shumta. Para se të dal te dilemat, po ju them se ky lajm më ngjalli asociime interesante me atë thënien e famshme, për operacionin e suksesshëm dhe pacientin që nuk e mbijetoi të njëjtin operacion.
Pra, qytetarët e Kosovës, që i bie të jenë ky “pacienti”, arritën të vetorganizohen si asnjë popull më parë për të ikur nga vendi. Kryesisht prej liderëve të suksesshëm. U kompleksua populli… dhe iku! Por, këtu nuk ka merita vetëm presidentja, natyrisht. Të tjerët do të shpallen pastaj. Në ditë të grave apo burrave, s’ka aq rëndësi! Madje as emrat nuk janë aq sekret. Qysh tash e dimë cili do të jetë model suksesi.
Por, mos e bëni të madhe! Patëm ikur edhe më parë. Andej dhe këndej nëpër botë. Imazhet e anijeve që po fundoseshin nga pesha e popullit të lumtur që po ikte dikah! Pra, si do të thoshin në qarqet kuqezi, një komb, një shprehi. Vetorganizimi, është dhunti kombëtare për të ikur, e popullit tonë surrealist. Për kthim, nuk kemi dhunti, por aty na ndihmojnë të tjerët, zakonisht. Na riatdhesojnë!
Ia fut kot, edhe ky miku im, filozof! E pse pikërisht popull surrealist?