Opinion

Një valle në varrim

Veton Surroi

Fëmija i pestë i Xhemal Kabashit u varros me vallen e Deli Agushit.

Qe vështirë me e gjetë tupanxhiun dhe surlexhiun që do të bënin muzikë në varreza. Nuk kishte dëgjuar kurrë kush për këtë traditë dhe tupanxhiu me surlexhiun – që të gjithë tupanxhinjtë e surlexhinjtë – do të kenë pasur me vete frikën se daullja dhe surlja do të zgjonin shpirtrat e varrezave dhe se çdo natë deri në fund të jetës së tyre shpirtrat e zgjuar do t’i përndiqnin e një ditë edhe të pengonin rrugën e tyre për në paqe të përhershme, aso të Parajsës.

Fëmija i pestë i Xhemal Kabashit kishte lënë amanet që të varrosej afër burrit të vet e me shikim kah shtëpia e babës së vet, kah vreshtat e Sarajit dhe që hapat e fundit për në varr të përcillen me vallen e Deli Agushit.

Vreshtat dikur kishin rrush. Kur kishin rrush, fëmija i pestë i Xhemal Kabashit qe rritur për të shkuar në shkollë dhe në kohë skamjeje, për të ngarkuar gomarin e dalë në treg për ta shitur rrushin. Si edhe çdokush tjetër që ka mbajtur ndonjë lidhje të asokohshme me rrushin a tregun e Prizrenit, edhe ky fëmijë i pestë i Xhemal Kabashit do të konsideronte deri në fund të jetës se rrushi që hahet me një copë buke të nxehtë është më i shijshëm sesa ai që hahet thatë.

2.

Lindja e fëmijës së pestë të Xhemal Kabashit kishte një çudi më vete. Mjeku i familjes, hebre i ardhur në Prizren duke kaluar prej ushtrisë austro-hungareze në atë të Krajlit, pasi konstatoi një sëmundje të rrallë te gruaja e Xhemal Kabashit sugjeroi që mënyra e vetme për t’i shpëtuar vdekjes ishte që të dhuronte një jetë të re, të kishte fëmijë.

Xhemal Kabashi nuk ishte njeri që u ikte çudirave. Kishte studiuar juridikun në Selanik, kur Perandoria Osmane donte t’i përngjante Evropës, kishte qenë dera e hapur për (bashkë)fshatarët e Kabashit, fshatit kryengritës në të cilin u masakruan me sëpatë e në të hyrë të manastirit njëqind burra e gra nga pushteti i Krajlit, kishte çuar dy vajzat e veta për të mësuar në shkollë, në gjuhën e pushtetit të ri, atëherë kur këtë nuk e bënte kush, duke mbrojtur njëkohësisht besimin se qyteti i tij do të jetë pjesë e Shqipërisë. Kur u bë kështu, çoi vajzën e madhe në studime në Itali, e të mesmen në Liceun e Shkodrës. Dhe, ndërsa humbiste Shqipëria e Madhe, ai u vendos në krye, së bashku me miqtë e tij, për ta mbrojtur anën e humbësve e të bindjeve të tij.

Në botën e çudirave të Xhemajl Kabashit, gruaja e tij shpëtoi nga vdekja duke dhuruar jetë, lindi një vajzë. Dhe kur jeta do ta përgatiste vajzën, edhe ajo do të dhuronte jetë, më lindi mua.

3.

Thonë se kur Nëna ime dhuronte jetë – e këtë e bëri e me vështirësi dy herë, një me mua e tjetrën me motrën time Flaka – ishte nën ndikimin e narkozës dhe i rridhnin lotët ndërsa këndonte këngë popullore, asi që mbërrijnë të pandryshuara nga këtu e në Elbasan.

Ajo këndonte në çdo rast, gjithsesi në gëzime, të vetat e të tjerëve. Këndonte edhe në nostalgji, kurdo që jetonim jashtë Kosovës, në Bolivi e Meksikë, tashmë si familja e ambasadorit të Jugosllavisë socialiste. Këndonte me burrin e saj të nurshëm, ndër meshkujt më të pashëm dhe më të mençur (nuk deklaroi ndonjëherë se ishte, thoshte “më i pashmi e më i mençuri” për mos me i ra mësysh e për mos me ia rritë mendjen) që i erdhi një ditë, ndërsa ishin që të dy studentë në Beograd dhe i tha, me siguri të plotë, se një ditë do të martoheshin. Kur këndonin, tashmë të martuar e me fëmijë, ai kishte buzëqeshjen më të madhe në botë, asaj i pikonin lotët, ato të gëzimit.

Punën e mësyshit nuk e kishte me të dëgjuar, kishte studiuar për këtë në degën e etnologjisë të Universitetit të Beogradit. Siç kishte mësuar se çfarë është e veçanta e qëndisjes së mitanëve të Rrafshit të Dukagjinit, ndikimit të folklorit të Vrajës në atë të Zhupës në Kosovë, e të hedhjes së ujit pas këmbëve të udhëtarit, dasmorit, nxënësit të nisur për mejtep, a shitësit të rrushit të nisur për në pazar.

Kishte mësuar gjithashtu, apo mbi të gjithash – e kjo ndodh detyrimisht në etnologji, antropologji, arkeologji – për kalimin e shpejtë të kohës dhe të vlerës së shenjave që mbesin në të. Dhe, si etnologia e parë shqiptare në Jugosllavi, e sapopunësuar në Muzeun e Kosovës, filloi t’i ruajë shenjat e kohës që do të mund të humbnin. Nëpër fshatra e qytete, në ditë pazari apo me ftesë familjesh, do të shkonte për të blerë këmisha të qëndisura e përparëse, çarçafë e tirq, jelekë grash për dasmë e burrash për Bajram e Pashkë, plisa të gjatë e sheshtë, opinga serbësh e shqiptarësh e turqish, arka për magje e arka për pajë… çdo gjëje që dikush në atë moment mendonte se duhej hequr nga shtëpia si gjë e vjetër që duhej t’u hapte rrugë prodhimeve të kohës së re. E bleu për nevoja të Muzeut të Kosovës atë mbamendje që donte të ikte shpejt për në modernitet.

Dhe, në garë për të ruajtur shenjat e kohës, disa vjet më vonë e si drejtoreshë e ansamblit “Shota” kërkoi që vallet – shqiptare, serbe, turke, rome – të luheshin siç e ka mësuar çdo brez tjetrin, jo siç janë mësuar në koreografi baleti, fryt i vëllazërimit me Bashkimin Sovjetik.

4.

Xhemal Kabashi ua la fëmijëve të theksuara nofullën, kapakët e syve që nuk lejojnë dukjen e plotë e të rrumbullakët të tyre dhe një shprehje të gojës që po të mos nxitet nga ndonjë barsoletë, pamje fëmije, natyre a çfarëdo që të jetë gëzim, do të rrijë në hapësirën diku mes shpërfilljes, mërzisë dhe hidhërimit. Ua la me këto shprehje fytyre edhe domethënien e fshehur të tyre, diçka si kokëfortësi, diçka si sfidë e pranuar ndaj çdo gjëje që sjell jeta.

Isha i sigurt, dhe ashtu ndodhi, që do t’ia shihja këto fëmijës së pestë të Xhemal Kabashit, kur burri i saj, ambasadori i Jugosllavisë në Spanjë, të gjendej i vdekur në një rrugë ku nuk kishte shpjegim pse ishte, e në një aksident që nuk kishte shpjegim pse ndodhi – pos për të paralajmëruar se një populli të përndjekur i bashkohej edhe një shqiptar i vrarë, për më tepër një me nam dhe se të këtillë do të ketë shumë më tepër, në luftërat që po bëheshin gati.

U bënë 35 vjet nga pamja e ngrirë e saj –nofulla, sytë, goja – e përgatitur për t’u bërë ballë sfidave të reja që i kishte palosur përpara jeta, më e madhja e të cilave qe lufta, e dyta me radhë pas asaj të Dytë Botërore.

Ndërsa përgatitej për vdekje, e vetëdijshme se është e pashmangshme dhe e afërt, la amanet që të varrosej në rreth të ngushtë familjar dhe që hapat e fundit drejt varrit të përcillen me vallen e Deli Agushit. Tupanxhiu dhe surlexhiu pranuan që t’i trazonin shpirtrat e të vdekurve kur kuptuan se është fjala për amanet dhe se do të paguheshin aq sa kërkonin.

Në dasmat e Kosovës hapat e kësaj valleje janë ndër më të vështirët. Vallja është e ngadalshme, prijësi i valles dhe shokët e tij të afërt e bëjnë herë pothuajse të shtrirë, e herë duke qëndruar gjatë mbi një këmbë; pastaj kur mendon se vallja ka përfunduar kërcejnë dhe e fillojnë prej së pari me pozitën e gjysmështrirë. Vallja është e rëndë dhe e gjatë, është e gjatë aq sa mund të qëndrojnë valltarët, diçka si jeta.

Agushi ka qenë një trim i Karadakut, të një fshati të Bujanocit; qe aq trim, sa që pushteti osman, shumëfish më i fortë dhe i bindur në epërsinë e vet, e quajti këtë kryengritës, “Deli”, i çmendur. Kështu i konsideronin asokohe edhe fshatarët e Kabashit.

Nahire (Kabashi) Surroi dinte se kur të dëgjohej kjo këngë, më nuk do të ishte në gjendje të qante. E as do t’i shiheshin në fytyrë shenjat e përballjes me jetën. Zgjodhi Deli Agushin që t’i tregojë vdekjes se po i shkonte me sigurinë e plotë të dikujt që nuk frikohet, as asaj. Dhe, kështu ta thyejë edhe një tabu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button