Opinion

Njolla në gisht dhe në psikozën zgjedhore

Nga Ndue Dedaj

Nuk është në të vërtetë një njollë, por një shenjë, ai “nishani” që të mbetet në gisht nga stilolapsi i komisionerit të qendrës së votimit. Sigurisht që asgjë shqetësuese nuk ka në këtë detaj, ama dhe krejt pa gjë nuk është, pasi po të mos ishte frika se dikush, dikund mund t’i njolloste zgjedhjet me një votim shtesë, ajo shenjë nuk do të ishte në gishtin tim dhe në gishtin tënd, në gishtin e të gjithë zgjedhësve shqiptarë duke filluar nga kreu i shtetit. Ej, ti, mos guxo të shkosh për të votuar për së dyti e së treti në ndonjë qendër votimi periferike, pasi ja tek e ke shenjën në gisht se ke votuar një herë! Ajo të padit pa folur. Është pak a shumë si gjurmët e gishtave që të merren në ndonjë aeroport, me dyshimin se mund të bësh diçka të paligjshme atje ku do të vesh. Shkurt, ende ti si qytetar je i pabesueshëm se nuk abuzon me votën tënde, ndaj më mirë të kesh një “nishan” në dorë që të të pengojë të prishësh votimet. Besoj se asnjë nga ndërkombëtarët që vëzhgojnë zgjedhjet në terrenin shqiptar, përfshi dhe ambasadorin amerikan apo atë të OSBE-së, nuk e ka këtë “matrikull” në gisht kur voton në vendin e tij. Por përtej një lloji fyerje ndaj teje si votues, se mund ta dredhësh me votën, a pengon kjo njollëza në gisht që procesi zgjedhor të mos ndotet nga vetë babëzia për pushtet e një sërë politikanësh të tranzicionit, nga manipuluesit e ndryshëm zgjedhorë, shitblerësit e votave nëpër katundet e varfra etj.? Aspak. Për këtë harbimin për vota, qysh ditën që fillon fushata elektorale, do të lypej një “këmborë” në qafën e cilitdo që zgjat dorën për ta ndotur atë. Merret vesh se këmbora këtu është metaforike, ashtu si as kamera e fshehtë nuk do të ishte parandaluese e tjetërsimit të votës. Vetëm një ndërgjegje elektorale e ngritur, e pjekur do të ishte zgjidhja, përndryshe, ecja drejt standardit votues europian, ku kësaj here procesi zgjedhor për mendimin tonë dhe jo vetëm ka shkuar më përpara. Kambana ka rënë shpejt duke frenuar ndonjë përpjekje për të luajtur me votën, përmes shtimit fiktiv të kartave të identitetit, listave të dyshimta etj.

Faleminderit doktor Halim Kosova!

Dhe standardet i vendosin njerëzit me integritet të lartë moral, që përfshihen në politikë kur ajo ka nevojë për ta dhe jo ata për politikën, si në rastin e doktor Halim Kosovës, i cili ishte një kandidat unik në këto zgjedhje, brenda dhe jashtë subjektit politik që përfaqësonte Partisë Demokratike. Rasti i tij meriton një analizë më vete, pavarësisht rezultatit, për faktin se politika më në fund ka kuptuar se duhet të kthehet e rikthehet pandarë nga figurat publike që kurrë nuk mund të shndërrohen në ushtarë të saj. Për shkak të profilit të veçantë vëmendja e publikut në njëfarë mënyre ishte përqendruar pikërisht te doktor Kosova, edhe kur ndokujt ai mund t’i jetë dukur si një personazh politik jashtë mode, pikërisht ngaqë politika e ka braktisur prej kohësh këtë kategori vitale të shoqërisë, duke pasur në modë politikanët e shpejtë, disi hibridë, rritur në krahët e liderëve të partive. Nuk është e rastit që modelet më të mira garuese kësaj here i kemi në Tiranë, Shkodër, Fier etj. Njëri nga garuesit më potencialë të këtyre zgjedhjeve Enkelejd Alibeaj, në Bashkinë e Fierit, uron kandidatin fitues Armando Subashin, si dhe qytetarët për fushatën korrekte. Ai është politikani që vete në një rajon të vendit për të kryer një detyrë dhe e përmbush atë me dinjitet, paçka se numrat nuk i përkasin atij. Edhe Erion Veliaj i pandalshëm falënderon doktor Kosovën për qytetarinë e fushatës, ashtu si ky i fundit me fisnikëri uron fituesin e Tiranës, duke i thënë se shpreson se ai nuk do t’i zhgënjejë zgjedhësit. Mbi të gjitha duke na përcjell kumtin e rëndësishëm se humbja e garës nuk është një gjëmë, siç mund të jetë përjetuar tjetërkund. Ai politikën nuk e ka pasion “për jetë a vdekje” si disa të ashtuquajtur politikanë të karrierës që i kanë hyrë politikës rioshë dhe e mendojnë pensionimin po aty!? Fituesi edhe mund të ketë uruar, por rrallë ka ndodhur që humbësi të urojë fituesin dhe kjo tregon se Kosova, Alibeaj, Bazhdari e të tjerë nuk janë humbës si persona. Modeli i tyre është një leksion shqiptar ndryshe për sa i përket komunikimit politiko – publik, përderisa dhe pas një çerekshekulli demokraci fjalët “magjike” të urimit të kundërshtarit politik hasen pak ndër ne, kur në çdo vend demokratik të zhvilluar janë veçse një normë. Prandaj faleminderit doktor Halimi dhe për këtë! Ju me pak veta vendosët një standard të etikës zgjedhore, ashtu si me të njëjtën medalje ministrja e Kulturës, Kumbaro, duke uruar kryetaren e re të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i drejtohet asaj se pret të bashkëpunojnë për çuarjen përpara të projekteve.

Reflektim, analizë dhe “përbashkim” politik

Tani që zgjedhjet e 21 qershorit për pushtetin vendor mbaruan, do të kishte qenë me vend reflektimi i thellë i secilit veprimtar politik, të çdo rangu, për çfarë u nuk u bë mirë, për teprimet e pozitës në promovimin e disa kandiduesve të konsumuar, për dobësitë e (mos)bashkëpunimit në radhët e opozitës, e cila nuk mund të thuhet se doli e fituar nga këto zgjedhje, përpos ndonjë suksesi në planin strategjik, si fitorja e së djathtës në Përmet e zona të tjera të Jugut, ashtu si dhe ajo e së majtës në Has e bashki të tjera të Veriut ku nuk kishte qenë më parë në drejtim. Pse themi analizë dhe jo shfajësim e inat me të tjerët? Për të shkuar drejt një politike të qëndrueshme e parimore, për më tepër që disa nga humbjet kanë ndodhur kur kandidatët kanë qenë dukshëm të preferuarit e shefave lart dhe janë parë me një optikë tjetër nga realja, apo kur kulisat qendër-bazë kanë prodhuar kandidatë të orës së fundit, si majtas, si djathtas. Të dëshpëruarit politikë, edhe për të shmangur ndëshkimin shigjetues të “Zeusëve” kanë zënë Facebook-un dhe çfarë nuk kanë shkruar me nxitim e idhnim, plot ankesa e akuza, shpesh me gabime gramatikore. Nga disa humbës të zgjedhjeve apo menaxherë elektoralë të tyre vërehet një zgjyrë elektorale e papranueshme në rrjetet sociale, njerëz që e kërkojnë fajin jashtë vetes, për të shpëtuar nderin e humbur, sikur kjo të mos ishte një garë me rivalë normalë, por një betejë me armiq të betuar. E po aq shpërthim me sharje e denigrime dhe ndaj “tradhtarëve” brenda llojit e gjer ndaj publikut votues që nuk e kishte kuptuar se nga i vinte e mira. Prandaj njolla zgjedhore nuk është ajo e gishtit, por e fjalës së ligë, të pamatur, ku ndonjëherë ka neveri më shumë se te vetë “Neveria” e Kamysë. Ky është problemi, si të pastrohet gjuha e politikës, pa njolla në gisht ikën vetiu pas dy-tre ditësh nga larja e duarve. Humbësit i kishin bërë llogaritë me “karizmën” e vet dhe lëvdatat pa fre të liderëve të Tiranës, duke harruar se ai që vendos ditën e votimit është populli, i cili nuk mund të kontestohet asesi. Grafomanët e politikës janë një specie pa identitet, të cilët nuk analizojnë, por thjesht bërtasin. Kjo i ngjet gramafonit të prishur politik, që i kanë rënë pllakat rrugës dhe i është ntrashur gjilpëra, ndaj “kënga” e tyre post-elektorale tingëllon e çjerrë. Lidershipet e qendrës dhe bazës lypet t’i thërrasin mendjes për ta reformuar platformën e tyre politike, natyrisht dhe sjelljen elektorale, duke mos etiketuar e duke mos përjashtuar të vetët apo kundërshtarët, një mendësi tipike enveriste. Edhe në Himnin e Flamurit e kemi fjalën të “përbashkuar”, që do të thotë me qenë bashkë jo vetëm për luftë kundër pushtuesit të huaj, po dhe brenda vetes për demokracinë e votës, zgjedhjes etj. Habitesh se si individë me reputacion publik, që kanë pasur pushtet jo të vogël në kryeqytet apo në rrethe, komentojnë hidhur dhe pa kurrfarë argumenti, sa për të qenë në “linjë” me partinë e tyre. Kjo kategori njerëzish, që qëllimisht zbret në nivelin e militantëve, pavarësisht se cilës sigël partie i përket, vetëm sa e thellon hendekun mes palëve, paçka se militantizmi i sëmurë iu ka dhënë poste herët e vonë. Në vend që bash këta, pas sprovave partiake dhe përvojave me pushtetin, të jenë promotorë të një qasje të re politike dhe jo hidhepritës batutash në rrjetet sociale, që “bluajnë” në të thatë si mulliri pa uji. Megjithatë, paraqitja elektorale kësaj here, me disa përjashtime zhurmuese në bastione që iu “duheshin me patjetër” liderëve të mëdhenj, ka qenë me këmbë në tokë, me premtime të bazuara dhe ky është lajmi. Në Shqipëri diçka ka ndryshuar për sa i përket maturimit të elektoratit dhe sjelljes së partive me të. Ka më pak demagogji e propagandë dhe më shumë respekt për zgjedhësit. Kjo frymë ka filluar të ndihet dhe me siguri që pas dy vitesh do të jetë dhe më zotëruese se tani.

Me shpresën se një ditë në qendrën e votimit nuk do të ketë një laps që të na lërë njollëzën e zezë në gisht…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button