Kronika

“Nuk ka një përputhje të ligjit me realitetin e minoriteteve etnike në Shqipëri”

Teksa qeveria e mbrojti ligjin gjatë gjithë procesit të hartimit dhe diskutimit të tij, nga ana tjetër ligji në fjalë shkaktoi debate, por edhe reagime kundër, sidomos në radhët e historianëve.

Kuvendi i Shqipërisë, me një konsensus mes forcave kryesore politike miratoi disa ditë më parë ligjin “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, një nismë kjo e qeverisë.

Në kuptimin e këtij ligji, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Teksa qeveria e mbrojti ligjin gjatë gjithë procesit të hartimit dhe diskutimit të tij, nga ana tjetër ligji në fjalë shkaktoi debate, por edhe reagime kundër, sidomos në radhët e historianëve.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe historiani Paskal Milo, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), theksoi se ky ligj është shumë liberal, në kuptimin e respektimit të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve.

“Nuk ka një përputhje reale të ligjit me realitetin e minoriteteve etnike në Shqipëri, sepse në të drejtën ndërkombëtare për minoritetet ka qenë e fiksuar shumë qartë që ka një ndarje të përshkallëzuar të minoriteteve në përputhje me realitetet ekzistuese në të gjitha vendet. E drejta ndërkombëtare ka njohur minoritete etnike që janë ato që janë një pjesë e popullsisë që kanë një vazhdimësi gjeografike me shtetin amë, siç është në Shqipëri minoriteti grek apo ai maqedonas. Ka dhe minoritete të tjera që janë quajtur etno-kulturore, minoritete gjuhësore ose minoritete fetare. Në Shqipëri edhe më parë ne kemi njohur minoritete solide siç ka qenë minoriteti etnik grek, apo siç ka qenë minoriteti maqedonas apo minoriteti malazez, por kemi njohur ndoshta jo zyrtarisht që ka pasur minoritet rom apo egjiptian apo një komunitet serb, por këto nuk janë cilësuar minoritete etnike, qoftë për arsye historike apo politike, por më tepër nuk janë cilësuar si minoritete etnike sepse nuk kanë mbushur kriteret”, theksoi Milo.

Sipas tij, nuk mund të pretendojnë romët që janë minoritet etnik, sepse nuk kanë kriteret dhe nuk kanë një vazhdimësi gjeografike. Egjiptianët, shton ai, të cilët nuk flasin as gjuhë të tyre, por flasin vetëm shqip, ju mungon elementi i gjuhës, megjithatë quhen minoritet etnik.

Ai shton se si historian, por edhe si qytetar e studiues nuk ka absolutisht asgjë kundër që nëse përmbushen standardet dhe kriteret të njihet edhe një minoritet bullgar në Shqipëri, por thekson se “Qeveria shqiptare nuk duhej të futej në këtë interpretim dhe vendim, sepse e fut veten edhe Shqipërinë pa pasur nevojë në vorbullën e një debati historik, që shpesh herë ka qenë dhe agresiv midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për identitetin e këtyre njerëzve.”

“Përveç kësaj krijojmë, i bëjmë qefin apo plotësojmë një kërkesë pse jo dhe legjitime nga pikëpamja dhe këndvështrimi bullgar dhe nga ana tjetër krijojmë një klimë jo të mirë në marrëdhëniet me Maqedoninë si vend fqinj, sepse mohojmë ekzistencën e minoritetit maqedonas dhe themi që është minoritet bullgar dhe kështu krijojmë rrethana dhe kushte që nesër këto palë të mund të shtojnë kërkesat, mund të ushtrojnë presion më të madh ndaj Shqipërisë për kërkesa të tjera edhe të pa motivuara”, tha Milo.

Ish-ministri Milo thekson se minoritet me peshë në Shqipëri janë minoriteti grek i pari për shkak të numrit, traditës dhe historisë, por edhe minoriteti që është njohur maqedonas dhe shton se edhe malazezët janë njohur zyrtarisht, por pesha e tyre ka qenë më e pakët në raport me minoritetet e tjera.

Çupi: Jemi një nga vendet e pakta në Ballkan që ka miratuar ligjin për pakicat kombëtare

Ndërsa deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Dhurata Çupi, duke folur për AA shprehet se qëllimi i këtij ligji, për ti dhënë edhe vendit nuanca sa më evropiane, nuk ishte për ti kufizuar, por ishte për t’ju dhënë të drejta pakicave kombëtare.

“Shteti shqiptar në njëfarë mënyre ishte i detyruar për miratimin e ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare në kuadër edhe të nënshkrimit të një marrëveshjeje kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Theksoj se qeveria e ka përgatitur ligjin për pakicat kombëtare, opozita ka pasur objeksionet e saj, pavarësisht se së fundi me konsensus e ka miratuar. Çështja e mbrojtjes së pakicave kombëtare ka qenë një shqetësim që në vitin e parë të krijimit të Këshillit të Evropës, që në vitin 1949 ka pasur një deklaratë dhe një material drejtuar departamentit të çështjeve ligjore në Këshillin e Evropës, për mbrojtjen e pakicave kombëtare i konsideruar si një shqetësim tashmë në disa vende të Evropës. Janë dashur rreth 50 vite që të konsolidohet dhe të fillohet të nënshkruhet kjo marrëveshje nga disa vende. Në dijeninë time nuk është nënshkruar nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës. Ne jemi një nga vendet e pakta në Ballkan që ka miratuar tashmë ligjin për pakicat kombëtare”, thekson Çupi.

Ajo shton se ka një listë të mbyllur, ku përfundimisht Kuvendi ka vendosur që të jenë të listuara 9 pakica kombëtare. Çupi shton se “Në kreun e tretë të ligjit garantohet edhe mbrojtja e tyre me një instrument të veçantë, siç është krijimi i komitetit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare, që do të varet nga ekzekutivi. Kishte një diskutim të opozitës që të tentohej të ishte i pavarur apo të kishte varësi të dyfishtë ndoshta. Ligjvënësi ka vendosur që ky komitet të varet nga kryeministri, kryetari i komitetit të emërohet nga kryeministri. Ka një risi që emërimi të bëhet me rrotacion me qëllimin për të përfaqësuar të gjitha pakicat kombëtare.”

Ndërsa gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, por edhe gjatë seancës parlamentare kur u miratua ligji në fjalë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, e konsideroi këtë ligj si një angazhim që sipas tij, buron kryesisht nga aderimi i Shqipërisë në Konventën Kuadër për Minoritetet e Këshillit të Evropës.

Ligji e ka përkufizuar një pakicë kombëtare, si një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale dhe të cilët janë të gatshëm për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar së bashku identitetin e tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, fetar ose tradicional.

Sipas këtij ligji, personat, që u përkasin pakicave kombëtare, kanë të drejtë të ruajnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre gjuhësor, kulturor, fetar dhe trashëgiminë e tyre kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe, gëzojnë të drejtën të mësojnë gjuhën e pakicës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button