Obama, President vetëm për kohë të mira
Opinion
Monica Crowley na zbulon në mënyrë kronologjike, disa “gabime të mëdha” të Obamës që lidhen – sipas saj – me veset, pavëmendshmërinë dhe papjekurinë e tij për të pëmbushur detyrën, për të cilën është votuar. Një përqasje shumë kritike, ironike dhe jo e zakonshme për admiruesit e shumtë të tij
Opinioni amerikan e di mirë se “Washington Times”, e rithemeluar në vitin 1982, vlerësohet si një gazetë konservatore që merr shpesh pozicione të hapura përkrah republikanëve. Por, duke pasur këtë përqasje politike, ajo shërben njëkohësisht edhe si një platformë e mirë për të parë anët negative, të vërteta ( apo hiperbolizuara ), të Shtëpisë së Bardhë, ku në fokus mbetet kreu i saj, Presidenti aktual, Barack Obama. Në këtë kuadër, editorialistët e saj shquhen për penë të hollë, kritikë të mprehtë e shpesh edhe sarkazëm e ironi, çka e bëjnë atë të sjellë për lexuesit imazhe “të papara” të tij e stafit që e rrethon. Një kontribut i tillë, është edhe ky i mëposhtmi, që mban firmën e Monica Crowley-t, që na zbulon në mënyrë kronologjike, disa “gabime të mëdha” të Obamës që lidhen – sipas saj – me veset, pavëmendshmërinë dhe papjekurinë e tij për të pëmbushur detyrën, për të cilën është votuar. Artikulli shoqërohet edhe me një fotomontazh që e paraqet Obamën si një adoleshent tipik, tekanjoz e moskokëçarës që refuzon këdo – në mënyrë demonstrative – t’i prishë momentet e tij të zbavitjes. Nuk mungon në të ironia thumbuese dhe kritika e ashpër. Rrugën drejt përmbajtjes së artikullit më së miri e shpreh titulli “President vetëm për kohë të mira” ( origj: The good-time president ), i pasuar nga një sentencë po aq ironizuese si nëntitull: Edhe ai që dëshiron të jetë Mesia, meriton pakëz vlerësim dhe mirënjohje.
Sigurisht se Presidenti Obama e dashuron pushtetin dhe e përjeton me zell atë që të ofron presidenca: limuzinën, avionin, helikopterin, duke ndenjur e kaluar orë të tëra nëpër qytete amerikane, ngrënë sanduiç me djathë në orën 3 të mëngjesit, shoqëruar me Beyonce dhe Jay-Z në një xhiro të shpejtë. Por pjesën faktike të angazhimeve që lidhen me “peshat e rënda”? Jo dhe aq.
Ai e sheh postin që ka si një imponim që i është bërë jetës së tij. “Çështja me Obamën është se ai nuk mund të bezdiset”, i tha Hillary Clinton një tufe çupash pranverën e shkuar, sipas autorit Ed Klein. E tha apo s’e tha ajo këtë, ndjesia e krijuar tashmë është e dyshimtë për këdoqoftë që i kushton vëmendje sjelljes së Obamës.
Përplasja e tri pathologjive
Në shumë mënyra, zoti Obama përfaqëson përplasjen e tri pathologjive: narcisizmit klasik, papjekurisë madhore mashkullore dhe një ndjenje gërryese rreth të drejtës. Sepse ai e konsideron veten një transformator mesianik, se ai nuk mund të bezdiset me zhurmën monotone të përditshmërisë së të qenurit President aktual. Ky fakt për të është dytësor. Ai është shumë i mirë për të. Shumë i talentuar. Shumë superior.
“Unë mendoj se Barack e dinte se ai kishte pasur talente të dhuruara nga Zoti që ishin të jashtëzakonshme. Ai e di saktësisht se sa i zgjuar është”, i tha këshilltari i Obamës, Valerie Jarrett, biografit të Obamës, David Remnick. “Unë mendoj se ai nuk është sfiduar kurrë intelektualisht. Ai është bezdisur gjatë gjithë jetës së vet. Ai thjesht ka shumë talent për të bërë atë që bëjnë njerëzit e thjeshtë”.
Mos ia prishni pushimet!
Kështu që ai nuk bën atë që bëjnë njerëzit normalë. Ai madje nuk bën edhe atë që bëjnë presidentët normalë.
“Unë jam LeBron, baby”, tha ai para fjalimit të vitit 2004 në Konventën Kombëtare Amerikane, kur ai ishte i panjohur dhe një senator i parëndësishëm i shtetit të Illinoit. “Unë mund të luaj në këtë nivel. Kam një lojë”. Thjesht mos guxoni të ndërprisni lojërat e tij — apo kohën e tij të zbavitjes, pushimet apo fushatat për mbledhje fondesh.
Në ditën e Krishtlindjeve të vitit 2009, më pak se një vit pas ardhjes në zyrën e Presidentit, zoti Obama u konfrontua me krizën e tij të parë madhore të sigurisë kombëtare. Umar Farouk Abdulmutallab, një musliman Nigerian, u përpoq të hidhte një bombë në bordin e një linje ajrore të veriperëndimit, dhe qëlloi mbi qindra trupa në Detroit. Zoti Obama ishte me pushime me familjen e vet në Haëaii. Iu deshën tri ditë për të kuptuar dhe bërë deklaratën e tij të parë rreth kësaj çështje.
Fjalime për kundërshtarët
Në ditën e parë përkujtimore si president në 2009, ai vuri kurora në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit dhe bëri deklaratat e tij të parapërgatitura, pas të cilave ai udhëtoi drejt kurseve të golfit në atë që ndoshta mund të ishin pushimet e tij më të kthjellëta.
Në nëntor 2009, majori i Ushtrisë, Nidal Malik Hasan, kreu një akt terrorizmi në emër të Islamit në Fort Hood, Teksas. Ai qëlloi në mënyrë fatale 13 amerikanë dhe plagosi shumë të tjerë. Orë më vonë, zoti Obama u shfaq në publik dhe procedoi duke i shpenzuar tre minutat e parë të fjalimit të tij duke turfulluar e lëshuar thirrje kundrejt zërave opozitarë në atë audiencë. Pandjeshmëria e tij mbresëlënëse në një kohë të dhimbjes kombëtare, habiti madje edhe vetë mbështetësit e tij.
Vetëm pak javë pasi kishte nënshkruar Aktin e shumëkritikuar dhe thellësisht jopopullor të Kujdesit Shëndetësor, i shndërruar në ligj, zoti Obama ftoi Jay-Z dhe Beyonce për të ndenjur me të në Dhomën e Pritjeve në Shtëpinë e Bardhë.
Nuk e di ku gjendet!
Më 11 shtator 2012, terroristët kryen një plan sulmi të mirë-planifikuar në ndërtesën e CIA-s dhe atë diplomatike amerikane në Benghazi. Atë ditë, zoti Obama nuk kishte zbuluar se ku kishte qenë apo se çfarë ishte duke bërë atë natë kur ndodhi sulmi. Para se të hidhej dritë mbi çështjen ( dhe para se administrata të gënjente rreth një videoje që ishte shkaku i një “demonstrate spontane” joekzistente), katër amerikanë kishin vdekur, përfshirë këtu edhe ambasadorin amerikan. Ditën tjetër, në mëngjes, zoti Obama kishte marrë rrugën për të mbeldhur fonde në Las Vegas.
Dy javë më parë, ndërsa fluksi i emigrantëve ilegalë po arrinte një nivel krize në kufijtë jugorë, zoti Obama vizitoi njërin ndër ato shtetet kufitare më të rrezikuar — Teksasin — por në vend që të shihte së pari kalapsin e krijuar, ai zgjodhi që të presë dy aktivistë të mbledhjes së fondeve.
Tragjedia në Ukrainë, një minutë vëmendje
Javën që shkoi, kur mëkëmbësit e Presidentit rus, Vladimir Putin qëlluan duke rrëzuar një avion në Ukrainën Lindore me armatime që vinin nga furnizimet ruse, e duke vrarë 298 njerëz të pafajshëm, zoti Obama komentoi mbi këtë ngjarje më pak se një minutë, para se të lëshonte një shaka rreth Bajdenëve dhe një tjetër në drejtim të Sekretarit të Thesarit, Jack Lew. Ai më pas bëri vërejtjet e tij mbi projektet e transportit.
Në të njejtën kohë, aleati ynë i ngushtë, Izraeli, ndërsa po përballej me një agresion të ri nga Hamasi, nisi një ofensivë tokësore për të eliminuar celulat dhe tunelet e militantëve në Gaza. Zoti Obama ia këputi drejt Nju Jorkut për të pritur dy mbledhës fondesh. Këtë javë, ai shkoi në Kaliforni për pak më shumë mbledhës fondesh, dhe ndoshta edhe për të parë ndonjë shtëpi gjuetie, për ta pasur si strofkë të periudhës së pas-presidencës. Unë besoj se HGTV i kishte ndezur kamerat në atë moment.
Obama, si adoleshent tekanjoz!
Askush nuk e sheh me zili një shëtitje të presidentit, pushimet apo shijimin e ndonjë shakaje. Por numërohen plot raste të rritjes së mendjelehtësisë së këtij presidenti në trajtimin e prioriteteve në lidhje me kërkesat e detyrës që ushtron. Si ndonjë adoleshent tekanjoz, zoti Obama nuk lejon ndokënd, apo ndonjë gjë t’a bezdisë në planet e tij (me përjashtimin e rrallë të largimit nga skena gjatë një shou komedie të natës së vonë, sikurse bëri gjatë kësaj jave me “Jimmy Kimmel Live”. Kjo ishte një lloj sakrifice për të).
35 vjeç për President, nuk mjafton!
Nevoja për të mënjanuar adoleshencat tekanjoze në Presidencë, është një arsye madhore, sepse baballarët e kombit vendosën në atë kohë që kufiri moshor për të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë, të ishte 35 vjeç. Për fat të keq, ata nuk parashikuan dot zhvendosjen kulturore moderne kundrejt moshës madhore, të shënjuar nga egoizmi fëminor dhe papjekuria. Kur këto gjëra janë strehuar në Dhomën Ovale, rezultati është një vakuum lidershipi thellësisht i rrezikshëm në botën e lirë.
Nëse ju nuk doni t’a bëni të ndërgjegjësohet zotin Obama mbi kolapsin e fuqisë amerikane dhe prestigjin në rënie, atëherë ju mund ta gjeni atë duke goditur fort me shkop në një fushë golfi. Vetëm mos ia prishni ritmin.
Marrë nga “Washington Times”