OKB: 10.8 milionë sirianë në nevojë për ndihma
Shefja e ndihmave humanitare pranë Kombeve të Bashkuara Valerie Amos tha dje se 10.8 milionë sirianë kanë nevojë për ndihma humanitare. Kjo shifër shënon një rritje prej 1.5 milionë krahasuar me gjashtë muaj më parë.
Valerie Amos u kthye në Këshillin e Sigurimit për të katërtën herë që pas miratimit në shkurt të Rezolutës 2139 që i kërkon qeverisë dhe opozitës siriane të mundësojnë lëvizjen e dërgesave me ndihma. Ajo foli për keqësim të situatës, duke e cilësuar si dëshmi e një prirjeje shqetësuese:
“Edhe këtë radhë kam ardhur t’i kujtoj këshillit se sulmet pa dallim ndaj viktimave të pafajshme përbëjnë krime lufte. Nuk ka justifikim për akte të tilla. Pengimi i qëllimtë i lëvizjes së ndihmave dhe i shërbimeve jetike për mbijetesën e civilëve është i paligjshëm dhe çnjerëzor”.
Ajo tha se 4.7 milionë sirianë jetojnë në zona të largëta. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 1 milion që nga koha e miratimit të rezolutës, katër muaj më parë. Më shumë se 240 mijë jetojnë në komunitete të rrethuara. Gjatë muajit të fundit, tha zonja Amos, më pak se 2500 vetë, ose 1% e këtij grupi kanë marrë ndihma ushqimore.
I dërguari sirian në OKB, Bashar Ja’afari hodhi poshtë raportin e zonjës Amos duke thënë se përmbante “të pavërteta dhe mangësi të rënda” dhe ngriti pyetjen se si kishte arritur zyrtarja e OKB-së në këto shifra “të ekzagjeruara” për sirianët në nevojë.