OKB: 328 civilë të vrarë dhe 2.105 të plagosur në Ukrainë vetëm në shtator, 85% më shumë se një vit më parë
Vetëm gjatë shtatorit, në Ukrainë u vranë të paktën 328 civilë dhe u plagosën 2.105 të tjerë, siç njoftoi të premten në Kiev Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU). Sipas misionit, numri i përgjithshëm i viktimave civile atë muaj ishte 85 për qind më i lartë se në shtatorin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 249 të vrarë dhe 1.068 të plagosur.

Viktimat u regjistruan në 22 rajone të vendit dhe në kryeqytet. Në Kiev, civilë u goditën në 22 nga 30 ditët e shtatorit, një shpeshtësi që, sipas raportit të HRMMU-së, nuk ishte parë në asnjë muaj tjetër që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë; vetëm në kryeqytet u vranë 32 persona dhe u plagosën 340. Ndër zonat më të goditura ishin edhe rajonet Kherson, Kharkiv, Sumy dhe Zaporizhzhia.
Nga janari deri në shtator të këtij viti, misioni ka verifikuar 2.570 civilë të vrarë dhe 15.211 të plagosur, ose 59 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Armët me rreze të gjatë veprimi, raketat dhe dronët, shkaktuan 53 për qind të viktimave, ndërsa dronët me rreze të shkurtër 23 për qind. Shifrat e verifikuara përfshijnë edhe 18 të vrarë e 44 të plagosur në territorin e okupuar, por misioni paralajmëron se numri real pritet të jetë dukshëm më i lartë, për shkak të mungesës së qasjes në disa zona.
Trendi, sipas të dhënave të raportuara edhe nga agjencia AP, ka vijuar edhe në tetor. Natën mes 6 dhe 7 tetorit, në Pryluky të rajonit Chernihiv u vranë 22 civilë dhe u plagosën 45, ndërsa sulme me shumë viktima u regjistruan edhe në Kramatorsk më 8 tetor, në Zaporizhzhia më 10 tetor dhe në Lutsk më 14 tetor. Drejtuesja e HRMMU-së, Danielle Bell, vlerësoi se dy javët e para të tetorit ishin ndër periudhat më vdekjeprurëse për civilët prej vitesh.
Raporti i lidh shifrat me rifillimin e sulmeve sistematike ruse ndaj infrastrukturës energjetike, në prag të dimrit. Sulmi i 30 shtatorit dëmtoi objekte të prodhimit, shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë në tri rajone dhe në Kiev, ndërsa sulmi i natës mes 13 dhe 14 tetorit ndaj tri centraleve kryesore të kryeqytetit la përkohësisht rreth 600.000 njerëz pa energji elektrike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.