Bota

OKB, Iranit: Transparencë mbi projektet bërthamore!

Teherani reagon edhe ndaj kritikave të Perëndimit në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut

Nic482861Shefi i Agjencisë Bërthamore të OKB-së, Yukiya Amano, deklaroi dje se Teherani duhet të ndërmarrë “veprime konkrete” për të dëshmuar se të gjitha aktivitetet e tij bërthamore janë paqësore. Në Institutin Brookings dje në Uashington, Amano tha se Irani duhet të sqarojë disa veprime të kaluara bërthamore, si dhe të zbatojë protokollin e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, sipas të cilit lejohen inspektime të parakohshme mbi objektet bërthamore. Amano tha se zbatimi i protokollit nga ana e Iranit është një hap “thelbësor” për Agjencinë Bërthamore (IAEA) për të ofruar siguri dhe mirëbesim, për shkak të mungesës së materialeve të padeklaruara bërthamore dhe aktiviteteve në vend. Amano shtoi gjithashtu se ka informacione të besueshme, të cilat tregojnë se Irani në të kaluarën është angazhuar në aktivitete bërthamore me dimensione ushtarake. Kreu i IAEA-s po ashtu theksoi se kjo agjenci ka bërë shumë pak progres me udhëheqësit iranianë, lidhur me bisedimet për aktivitetet e dyshimta bërthamore të Iranit.

Irani: Perëndimi po na imponon stilin e vet

Teherani zyrtar i ka hedhur me kohë poshtë akuzat e Perëndimit në lidhje me aktivitetet e tij bërthamore, duke theksuar vazhdimisht se me to thjesht dhe vetëm ka përmbushur nevojat e tij ekonomike, shkencore e civile, por i është nënshtruar ndërkaq një procesi bisedimesh që deri më tani akoma nuk ka konkluduar në asnjë raport përfundimtar. Zyrtarët iranianë gjithashtu kanë hedhur poshtë kritikat perëndimore lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë vend që u rindezën sidomos duke marrë shkas nga rasti më i fundit i ekzekutimit me varje të një vajze 26-vjeçare pak ditë më parë. Reyhaneh Jabbari u ekzekutua më 25 tetor, pasi të afërmit e burrit që ajo la të vdekur gjatë një përpjekje për përdhunim, akt të cilin gjykata e vlerësoi si një pretendim të rremë nga ana e së akuzuarës, patën refuzuar që ta falnin atë. Mohammad Javad Larijani, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Iranit për të Drejtat e Njeriut, të premten kritikoi me këtë rast atë që ai e quajti ‘përpjekje e Perëndimit për të imponuar stilin e jetës së tyre nën flamurin e të drejtave të njeriut’, duke përfshirë edhe të drejtat e homoseksualëve. Këto komente ai i bëri dje gjatë një takimi të Këshillit të Kombeve të Bashkuara OKB për të Drejtat e Njeriut, në Gjenevë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button