Oliver Ivanoviç, varroset të enjten në Beograd
Grupe qytetarësh në veriun e Mitrovicës i dhanë nderimet e fundit politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç, i cili do të varroset të enjten në Beograd.
Ai u vra të martën para zyrave të nismës së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia”, në Mitrovicën veriore, në rrethana dhe nga autorë ende të panjohur, një vrasje që zgjoi drojën e rritjes së tensioneve në Kosovë.
Mjekët ligjorë thanë se ai kishte gjashtë plagë plumbash në kraharor. Policia e Kosovës tha se po kryen hetime intensive për ndriçimin e vrasjes. Ajo tha në një komunikatë se viktima është qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9X19 mm, me shurdhues. Janë mbledhur videoregjistrimet nga kamerat e sigurisë si dhe janë intervistuar disa dëshmitarë. Policia tha se ka mbledhur informacione edhe për një makinë të djegur që besohet se mund të jetë përdorur nga autori apo autorët e vrasjes.
Beogradi kërkoi edhe të mërkurën që të përfshihet në hetimet dhe ndriçimin e vrasjes, duke paralajmëruar se do të kryej hetime të posaçme nëse nuk i lejohet një gjë e tillë.
Autoritetet në Kosovë thanë se do të kërkojnë ndihmën e FBI-së nëse është e nevojshme, por hetimet do të kryhen nga institucionet vendase.
Vrasja e tij u dënua gjerësisht nga institucionet e Kosovës që bën thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të vrasjes por edhe që kjo të mos përdoret për qëllime politike.
Beogradi ndërpreu bisedimet teknike me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi një vizitë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë pas vrasjes së djeshme.
Vrasja nxiti reagime në shkallë të gjerë edhe të institucioneve ndërkombëtare të cilat krahas thirrjeve për ndriçimin sa më të shpejtë të vrasjes, bënë thirrje për qetësi me drojën që incidenti mund të rrisë tensionet posaçërisht në veriun e Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës e cila muajin e ardhshëm kremton dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Nisma politike e Oliver Ivanovicçit u ishte nënshtruar trysnive gjatë zgjedhjeve për pushtetin komunal në tetor të viti 2017, në të cilat fitoi Lista Serbe një forcë politike që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.
Në muajin korrik në rrethana të pasqaruara ishte djegur makina e tij.
Oliver Ivanoviç ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile.
Në janar të vitit 2016, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie nën akuzat për “krime lufte kundër popullatës civile”.
Në muajin shkurt të vitit 2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.
Oliver Ivanoviç, ishte përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.