Ekonomia

“Omnix”, reagojnë anglezët: Humbëm 13 milionë paundë

Sulmi barbar ndaj administratorit të kompanisë “Omnix”, Fadi Mitri, po jep efekte negative në investime.

Një tjetër kompani e huaj humbet 15 milionë euro investime pas sulmit barbar ndaj administratorit të “Omnix”, që do të ndërtonte resortin turistik në Gjirin e Lalzit. Kompania angleze “Chapman Taylor”, lider në botë në fushën e arkitekturës për projektim, nëpërmjet një njoftimi zyrtar lajmëroi humbjen e 13 milionë paundëve apo të 15 milionë eurove nga kontrata që kishte lidhur me “Omnix”.

Kompania angleze kishte hartuar projektin e resortit turistik dhe do të mbikëqyrte zbatimin e tij deri në vitin 2018. Kompania njofton se shkak i humbjes së 13 milionë paundëve ishte dhuna ndaj administratorit të “Omnix”, ndërsa e cilësoi ngjarjen tronditëse.

Gazeta “Panorama” kontaktoi me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë angleze, Chris Lanksbury, i cili u shpreh se nga sulmi barbar ndaj administratorit Fadi Mitri, Shqipëria humbi reputacionin për investime, ndërsa kompania “Chapman Taylor” do të mendohet dy herë nëse do të vendosë të investojë përsëri në Shqipëri.

KONTRATA

Humbja e investimit prej 13 milionë paundësh e kompanisë që hartoi projektin e resortit turistik në Gjirin e Lalzit vjen për shkak të dhunës barbare të Fadi Mitrit, administratorit të kompanisë “Omnix”. Ky shpjegim është dhënë nga kompania angleze “Chapman Taylor” në njoftimin zyrtar.

“Shkak i humbjes së kontratës prej 13 milionë paundësh të kompanisë ‘Chapman Taylor’, ishte sulmi barbar i Fadi Mitrit, i cili u masakrua në prani të bashkëshortes dhe vajzës 7-vjeçare, ndërsa udhëtonte rrugës së aeroportit të Tiranës. Kjo e detyroi kompaninë ‘Omnix Albania’ të vendosë tërheqjen e investimit nga Shqipëria. ‘Chapman Taylor’ dënon sulmin dhe i vjen keq për humbjen e mundësisë për të punuar së bashku me ‘Omnix’ për zhvillimin e Gjirit të Lalzit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

REAGIMI

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë angleze, Chris Lanksbury, që hartoi projektin e resortit turistik, i kontaktuar nga gazeta, tha se humbja më e rëndë nga tërheqja e investimit është për Shqipërinë, ndërsa kompania do të mendohet dy herë nëse do të investojë përsëri.

“Humbja e vetme për ‘Chapman Taylor’ ishte kënaqësia e hartimit të një projekti të rëndësishëm turistik, për të cilin ‘Omnix’ ka thënë qartë se nuk do ta vazhdojë. Humbja e rëndë është për reputacionin e Shqipërisë dhe ne me siguri do ta mendojmë dy herë para se të punojmë aty.

Sulmi ndaj Fadi Mitrit është jashtëzakonisht tronditës dhe është e vështirë për të ardhur në kushtet e kësaj situate”, u shpreh ai. Drejtori i kompanisë angleze, Chris Lanksbury, shprehet dhe për përfitimet që do t’i sillte Shqipërisë ky investim. “‘Omnix’ është përpjekur për të zhvilluar një destinacion turistik, i cili do të sillte kredite për vendin dhe punësimin e qytetarëve. Në të gjitha takimet isha me Fadi Mitrin. Ai gjithmonë ka bërë përpjekje të mëdha për t’u treguar të gjithëve se çfarë potenciali të madh ka në Shqipëri dhe pastaj ndodhi ky incident i tmerrshëm”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button