Ekonomia

Open Data Albania: Borxhi për frymë nga 2010 deri 2016 është rritur 53 përqind

Open Data Albania ka investiguar mbi Borxhin Publik për Frymë. Ky është një indikator që llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti shqiptar me popullsinë në një kohë të caktuar. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori në vitet 2010-2016.

Borxhi për frymë ka njohur një rritje të shpejtë në  vitet 2010-16, për të arritur kulmin në 2016-n. Nga 245 151 lekë borxh publik stok që i takonte çdo qytetari në vitin 2010, në vitin 2016 planifikohet që kjo vlerë të shkojë në 375 986 lekë apo 53.37% më shumë.

Që në vitin 2013 borxhi për frymë ka kaluar kufirin e 300 000 lekëve dhe në vitin 2016 vihet re një tendencë e tij për t’ju afruar gjithmonë e më shumë nivelit të 400 000 lekëve. Një familje mesatare prej katër personash në vitin 2016 do të mbartë një borxh prej 1 503 944 lekë, nga 980 604 lekë në 2010-n. 

Ndikimin më të madh në rritjen e kostos së borxhit për frymë e ka pasur rritja e vazhdueshme e stokut të borxhit ndër vite. Megjithatë, duhet theksuar se ritmi i rritjes së stokut të borxhit pas vitit 2014 ka ardhur në rënie.

Në vitin 2015 borxhi u rrit me 6.66% dhe në 2016-n është parashikuar 4.03% apo rreth 42 miliardë më shumë se në vitin 2015. Nga ana tjetër, ndonëse në nivel më modest, ndikim ka dhënë edhe tkurrja e popullsisë, e cila në vitin 2016 është vlerësuar të jetë 0.22% më e ulët se në vitin 2015.

Po tek Open Data Albania është publikuar edhe Kosto e borxhit publik për frymë në vitet 2010-2016. Ky indikator llogaritet si raport i shumës së interesave që paguhen nga Buxheti i Shtetit për kredinë e marrë dhe ende të pashlyer me popullsinë e vendit në një vit të caktuar.

Vitet 2010-2012 shfaqen me ndryshime të ulta të kostos së borxhit për frymë, duke variuar nga 14 254 lekë në 2010-n në 14 299 lekë në 2012-n.

Kthesa e rëndësishme në ecurinë e indikatorit ka ndodhur në vitin 2013, ku kostoja e borxhit për frymë shkoi në 14 952 lekë apo 4.5% më shumë se një vit më parë.

Rritja e lartë u shkaktua kryesisht nga rritja e huasë së marrë me interesa tregtare kundrejt huasë së përfituar më parë me interesa koncesionale apo me terma më të butë.

Situata ndryshon në vitin 2014, ku kostoja e borxhit për frymë zbret në 13 843 lekë apo 7.52% me pak se në 2013-n, trend i cili vijon edhe në vitin 2015. Kjo erdhi nga rënia e normave të interesit të tregut të brendshëm, të cilat mundësuan një borxh më të lirë për shtetin. Ky efekt shfaqet më i plotë sidomos në vitin 2015, kur shpenzimet për interesa në buxhetin fillestar ishin parashikuar 49.2 miliardë lekë, ndërkohë që në Aktin Normativ të muajit korrik u rivlerësuan në 40.9 miliardë lekë apo 8.3 miliardë lekë më pak.

Megjithatë, duhet theksuar se në uljen e shpenzimeve për interesa gjatë vitit 2015, përveç normave në ulje të interesit, ndikuan edhe kursi i këmbimit lekë/euro si dhe ulja e kontigjencave për garancitë e brendshme.

Trendi pritet të ndryshojë sërisht në vitin 2016, ku kostoja e borxhit për frymë rritet me 11.52%, për të arritur në 14 899 lekë. Rritja e lartë e indikatorit është shkaktuar nga rritja e nivelit të interesave, të cilat për vitin 2016 janë parashikuar 43 miliardë, 4.3 miliardë më shumë së në vitin 2015. Edhe pse Ministria e Financave ka parashikuar një ulje të stokut të borxhit nga 72.6% të PBB-së në vitin 2015 në 70.6% të PBB-së për vitin 2016, shuma e interesave është rritur, pasi vlerësohet se do të shtrenjtohet borxhi i marrë në monedhë të huaj.

Në ecurinë e kostos së borxhit për frymë, ndonëse në masë më të ulët, ka ndikuar dhe tkurrja e vazhdueshme e popullsisë. Gjithsesi, niveli i interesave ngelet faktori mbizotërues që përcakton sjelljen e kostos së borxhit për frymë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button