Operacioni “Multi Games 2”: arrestohet administratori i një lokali të lojërave të fatit
Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Multi Games 2”, duke arrestuar një 25-vjeçar, administrator i një lokali të lojërave të fatit.
Në pranga është vënë shtetasi me inicialet G. B., administrator i një lokali në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, ku organizoheshin lojëra fati në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Gjatë kontrollit në lokalin e 25-vjeçarit, u konstatuan lojëra fati të organizuara përmes pajisjeve elektronike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një njësi kompjuterike dhe një telefon celular.
Vijojnë kontrollet në Tiranë për goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.