Politika

Opinion – Rrëfimi i rrallë i Edi Ramës!

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë ndryshe për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku foli jo vetëm për aspektin politik por edhe atë njerëzor. Ai foli për jetën e tij personale, angazhimin e tij të parë në politikë dhe për raportet me Fatos Nanon, Ilir Metën, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

Rama flet për raportin me Fatos Nanon: Është një marrëdhënie e bukur, ai di se ç’është vetmia

Blendi Fevziu: Për herë të parë në këtë zyrë ke hyrë për të takuar Fatos Nanon?

Kryeministri Edi Rama: Po, po.

Blendi Fevziu: Ai ka qenë Kryeministri i parë që keni takuar?

Kryeministri Edi Rama:Ai ka qenë Kryeministri i parë që kam takuar unë këtu. Po.

Blendi Fevziu:Dhe si i ke sot raportet me Nanon?

Kryeministri Edi Rama: Të them të drejtën raportin sot mund ta quaj të bukur. Është një raport shumë i bukur. Sepse…

Blendi Fevziu: Çfarë domethënë i bukur?

Kryeministri Edi Rama: I bukur, komunikojmë jo intensivisht, hera-herës. E bukura e këtij raporti është se ai ka qenë këtu dhe ai e di, dhe e di fizikisht, jo thjesht me eksperiencë dhe e di se çfarë do të thotë presioni i kësaj zyre. Dhe mbi të gjitha ai dhe të tjerr dhe të tjerët e di se çfarë është vetmia kur je në këtë zyrë. Njerëzit mendojnë se kur hipën në maj, je i rrethuar me një mori njerëzisht. Në fakt në maj je më vetëm se sa asnjëherë tjetër. Se kur vjen koha, momenti i vendimeve të vështira, je komplet vetëm.

Blendi Fevziu: Të gjithë bëjnë sikur nuk e kanë mendjen.

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka rëndësi, bëjnë s’bëjnë, ti je komplet vetëm. Për këtë arsye, eksperienca, ndjesia fizike e të jetuarit në këtë zyrë, sfidat, sfilitjet, përplasjet. Edhe ajo që kemi kaluar me njëri-tjetrin, momentet jo të mira të marrëdhënies tonë, na e kanë bërë këtë raport shumë të bukur.

Rama në një rrëfim ndryshe: Kush ishin heronjtë e mi në fëmijëri

Blendi Fevziu: Kush kanë qenë heronjtë e rinisë tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Heronjtë e mi si fillim kur kam qenë shumë i vogël kanë qenë heronjtë e rilindjes kombëtare, pasi në shtëpi kishim një album goxha voluminoz. Unë ende s’kishte mësuar të lexoja, por gjyshi e gjyshja nga lexonin në vijimësi. Kështu arrita t’i mësoja përmendësh dhe kur vinin njerëz në shtëpi kisha shumë qejf të lexoja atë libër duke ndjekur radhët me gisht, por pa lexuar faktikisht. Pastaj më vonë kur isha në moshën e adoleshencës, në fund të 8-vjeçares më ka rënë në dorë një libër, unë lexoja në Italisht në ato kohë që fliste për disa nga ata që Kalarli i quante si heronjtë e mendimit.  Ishte shumë e bukur pasi Kararli thotë që historia e botës është biografia e njerëzve të mëdhenj. Aty ishin Profeti Muhamed, Napoloni. Shekspiri, Dantja.

Blendi Fevziu: Kush ishte mes tyre që të sugjestionoi më shumë?

Kryeministri Edi Rama: Jo ishte në tërësi shumë sugjestionuese ideja që heroi është ai që ka energjinë krijuese të vështirësive. Madje Kararli thotë me të gjitha ato boshllëqet e tij morale. Pastaj në periudhën e liceut artistik unë isha shumë i fokusuar tek heroizmi në art tek heroizmi  në gjithë historinë e artit, tek njerëzit që në mënyrë heroike sollën ndryshime të jashtëzakonshme.

Rama tregon mendimin për Enver Hoxhën: Është kafsha më e madhe politike

Blendi Fevziu: Po sugjestioni që vinte nga politika, kur shkojë në paradat e Majit, kur shikoje Enver Hoxhën dhe liderët e tjerë politik? Se ka pasur dy kategori njerëzisht, ata që sugjestionoheshin dhe ata që ishin indiferent ndaj tyre.

Kryeministri Edi Rama: Shiko, nuk diskutohet që në atë kohë figurat, figura e pushtetit ishte e Enver Hoxhës, figurat e tjera ishin të pranishme në figurat e mëdha.

Blendi Fevziu: Nuk i bënin dot hije atij…

Kryeministri Edi Rama: E kam menduar më vonë këtë herë pas here, duke pasur parasysh dhe faktin Hoxha ishte i pranishëm çdo ditë kudo por jo fizikisht. Ai fizikisht shfaqej shumë rrallë. Ti e di shumë mirë që në kanalin informativ nuk dilnin ministrat, nuk kishte intervista.

Blendi Fevziu: Por portretet e tyre ishin kudo…

Kryeministri Edi Rama: Misteri i pushtetit, për të cilin flitet gjerë e gjatë në të gjithë literaturën që ka shoqëruar historinë dhe politikën , ishte i ushtruar më fortë dhe më shumë se në çdo formë tjetër, më shumë mes mospranisë se pranisë. Ishte shumë i largët, ishte i pakonceptueshëm aksesi drejt tij dhe nuk pasur atraksion në sensin të lidhur me këtë që jam sot.

Blendi Fevziu: Përpara se tu bëj një pyetje, me që folëm për Enver Hoxhën. Ju sot jeni drejtues i Shqipërisë, në rrethanat të ndryshme nga ato që ka qeverisur Enver Hoxha. Por si një lider politik, në mënyrën se si është pushtetit se si qeveriset që shpesh janë universale, çfarë mendimi keni për Enver Hoxhën? E keni parë ndonjëherë si personazh?

Kryeministri Edi Rama: E kam parë patjetër si personazh dhe mendoj që fjala kafshë politike është një term që përkufizon instinktin e triumfit dhe të dominimit e kanë më të madhe se të tjerët. Enver Hoxha është kafsha më e madhe politike që kemi pasur padiskutim.

Rama: S’jam i bindur që babai im ka firmosur për dënimin e Havzi Nelës

Blendi Fevziu: Ndërkohë ju thoni që pushteti ishte i largët, por babai i juaj ishte në një farë mënyrë pjesë e pushtetit, më shumë ka qenë dekor i pushtetit se ushtrues i tij, çfarë raporti keni pasur për babain.

Kryeministri Edi Rama: Im atë ishte komunist, ishte artist, skulptor. Si i tillë im atë ishte njeriu që punonte dhe krijonte në funksion të atij sistemi, tek i cili besonte.

Blendi Fevziu: Besonte tek ai sistem, kjo ishte pyetja.

Kryeministri Edi Rama: Besonte deri vonë, jo deri në fund. Por deri vonë besonte, nuk di ta them deri sa vonë besonte. Mendoj që besonte deri ne fund të viteve 70-të, fillim të viteve 80-të. Ishte njeri i përmbajtur, goxha i heshtur. Si pjesë e pushtetit nuk kishte asnjë lidhje me pushtetin. Të gjithë ata që nga të gjitha fushat e jetës, që përzgjedhin dhe vendoseshin në atë Kuvendin Popullor për të ngritur dorën në ato sesione parlamentarë që zhvilloheshin dy apo tre herë në vit se nuk e di dhe si i tillë ishte pjesë e atij dekori të madh. Nga pikëpamja e jetës së tij dhe punës së tij, zyrë të vetëm atelienë ku bënte skulpturat. S’ka qenë në asnjë pozicion tjetër.

Blendi Fevziu: Ndërkohë është shumë e njohur dhe ju i keni dalë në mbrojtje për rastin e Havzi Nelës që është bërë publike pas viteve 90’të, ku ai ka qenë një nga ata që ka firmosur dënimin me vdekje të Havzi Nelës.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt unë as nuk i kam dalë në mbrojtje dhe as nuk ka bërë të kundërtën për rastin. Rastin e kam parë dhe është shumë i trishtuar në vetvete i atij individi. Historia e tij është komplekse, por nuk jam prononcuar në lidhje me këtë sepse më mungojnë dy element, e para mungon fjala e tim ati, rasti ka dalë shumë pasi ai kishte ndërruar jetë dhe rasti ka dalë në funksion të luftës politike me mua dhe nuk ka dalë në funksion të ndonjë dalje të ndritë të fakteve lidhur me të shkuarën, pra më mungon fjala e tij. Dhe e dyta me mungon bindja për atë firmë, nuk e kam bindjen për atë firmë. E kam parë dokumentin, por nuk jam ekspert, por firmën e tij e kam parë nga librat se ai i shënonte dhe nuk jam i bindur as për firmën. Nuk jam as për firmën e tij dhe më mungon fjala e tij, aq më pak pastaj jam i pritur të jem i nxituar në këtë aspekt se ata që e nxorën dhe ata që e kthyen në avaz në publik që për mua fabrikuan një dosje të tërë, gjyqi të ndarjes me nënën e Gregut, ku arritën deri aty sa sikur unë në gjyq kisha akuzuar nënën e djalit tim, se djali im ishte djali i babait tim.

Blendi Fevziu: Është në dosje e publikuar në shtyp…..

Kryeministri Edi Rama: Është një dosje e fabrikuar 100% dhe është provuar 100% për shkak se materialet e gjyqit janë aty se gjyqi ka qenë një seancë pajtimi dhe pas asaj seance kanë shkuar avokatët dhe nuk ka asnjë problem.

Rama flet për marrëdhënien me të atin: Çdo drekë e të dielës përfundonte në sherr, s’mbaj mend që…

Blendi Fevziu: Zoti Rama çfarë raporti keni pasur ju me babain, përtej thjesht politikës?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam pas…

Blendi Fevziu: Në një intervistë tjetër ju me keni thënë që erdhët vetëm në varrimin e tij, binte shumë shi dhe juve ju dukej e trishtë që një njeri që ka jetuar një jetë me përpjekje, një ditë duhet të iki nga kjo botë…

Kryeministri Edi Rama: Babai ishte një dhuratë nga Zoti për mua në sensin që nuk është përpjekur asnjëherë që të më imponohet mua. Nuk mbaj mend që të ketë ngritur dorën ndaj meje dhe që unë fillova t’i jepja gojës siç thuhet që të më imponohej e të më mbyllte gojën. E vetmja gjë që ndodhte mes nesh ishte diskutimi, kur ne kishim debat për shumë gjëra. Unë kam qenë një fëmijë shumë rebel në aspektin e të folurës, në aspektin e debatit, ai thoshte dakord ti me tënden unë me timen, por me këtë mëndje që ke mund të përfundosh dhe në burg, por puna jote. Pra ka qenë shumë liberal në raport me mua, në raport me mua…

Blendi Fevziu: Burgu në atë kohë nuk ishte aq individual se merrje në qafë të gjithë familjen…

Kryeministri Edi Rama: Më ka dhënë mundësinë që unë të jem unë. Ai asnjëherë nuk e ka përthyer personalitetin tim, sipas frikës apo shqetësimit apo mendjes së tij. Kjo ka qenë thelbësore. Pastaj në aspektin artistik kishim qëndrime të ndryshme, por im atë në atë pikë ishte shumë tolerant dhe nuk kërkonte të më bindte mua që çfarë unë pëlqeja ndërkohë që isha ai që thoja se çfarë ai duhet të pëlqente. Në aspektin pastaj të marrëdhënies me regjimin, me sistemin më kujtohet që vitet  e fundit kanë qenë vite që nuk jetoja në shtëpi me prindërit dhe shkoja vetëm për drekën e së dielën e cila gjithmonë përfundonte keq.

Blendi Fevziu: Me sherr.

Kryeministri Edi Rama: Ai nuk bënte sherr, unë bëja sherr. Dhe më kujtohet kur ai u përzgjodh anëtar i presidiumit të Kuvendit unë kisha një obsesion dhe i thoja që ke mundësinë ta takosh e ke përball Ramiz Alinë, pse nuk i thua që nuk vazhdohet më kështu. Ai herë qeshte, herë e kalonte, herë thoshte se nuk është si mendon ti. Fiksimi im ishte që mos më dilte njëherë përball Ramiz Alia dhe në fakt nuk më doli përpara se unë nuk u gjenda atë ditë.

Blendi Fevziu: Në mos gaboj ju jeni takuar me Ramiz Alinë shumë vonë, kur morët Partinë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama: I kam dhënë vetëm njëherë dorën dhe ia ka dhënë, madje një përshëndetje, as dorën nuk kemi shkëmbyer në një udhëtim teksa zbrisnim nga avioni. Nuk e kam takuar asnjëherë.

Rama: U angazhova në politikë ditën kur vdiq im atë, Fatos Nano më kërkoi që…

Blendi Fevziu: Doje të angazhoheshe në Partinë Demokratike?

Kryeministri Edi Rama: Jo nuk doja të angazhohesha në Partinë Demokratike. Në asnjë parti nuk doja të angazhohesha, por doja të angazhohesha me Partinë Demokratike, në funksion të gjësë për të cilën unë po luftoja.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ishin kontestues i së majtës, ndërkohë që 6 vite më vonë ju pikërisht u angazhuar tek e majta.

Kryeministri Edi Rama: Nuk isha kontestues i së majtës, por isha kontestues i atyre që ndërruan xhaketën brenda 24 orëve.

Blendi Fevziu: Në një farë kohë ju ishin kritik dhe ironik dhe me drejtuesit që dolën nga Partia e Punës.

Kryeministri Edi Rama: Po patjetër i Partisë së Punës dhe atyre që ndërruan xhaketën për 24 orë dhe u bënë antikomunist si Saliu me shok. Kam qenë kritik me të dyja palët dhe nuk e kam pasur asnjëherë idenë që do isha i angazhuar në politik.

Blendi Fevziu: Pse u angazhuar në vitin 1998?

Kryeministri Edi Rama: Në 1998 u angazhova, se i ndjeri im atë vdiq atë ditë. Ka qenë një humor i universit që im atë ndërroi jetë në Prill dhe rastisi që Fatos Nano po bënte qeverinë e re.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ishit takuar me Nanon dhe më parë.

Kryeministri Edi Rama: Unë erdha për funeralin e tim eti me një biletë vajtje ardhje, Fatos Nanon e kisha takuar dhe e kam admiruar nga larg kur ishte në burg, nuk e njihja. Më dukej se bëheshin zgjedhje në Francë dhe na ftonin atje. Mua më ftonin se isha një zë i njohur, shkruaja, jepja intervista, ishte dhe pjesa që merreshin me programet e shoqërisë civile. Nano ishte vetëm dhe asnjë nuk i afrohej, unë shkova dhe e përshëndeta, por nuk e kisha takuar ndonjëherë dhe nuk e kisha takuar më pasi doli nga burg. Kur u bë kryeministër kam ardhur unë dhe Gramoz Pashko punonte me të dhe unë i thash që doja ta takoja. Në darkën e fitores kam qenë më Bashkim Shehun në Barcelonë dhe kemi marrë Spartak Ngjelën për ta pyetur se çfarë bëhej. Ja më tha se po të kaloj mjekrën dhe më kaloi Fatos Nanon. Dhe më bëri përshtypje mënyra si foli dhe nuk ishte euforik. Më tha që të kthehesha, pastaj e kam takuar këtu në këtë godinë, më ka ftuar tek shtëpia, kemi folur. Unë i thash se kam jetën time dhe nuk doja të merrja pjesë në politikë.

Rama tregon detaje nga lëvizja e Dhjetorit: Ika nga PD se nuk donin luftë me Ramiz Alinë

Kryeministri Edi Rama: Kam ardhur vonë nga darka, ora 6-7. Dhe më çuan tek ajo salla, ishte një dhomë atje, dhomë konvikti. Janë atje më thanë dhe shkuam. Ishte i ndjeri Gramoz Pashko, atë pashë të parin.

Blendi Fevziu: Ti e njihje.

Kryeministri Edi Rama: E njihja. “Urdhëro – tha – çfarë do”? Sikur s’më njihte. I thashë unë jam Edi Rama, kam ardhur për këtë punë. Dhe aty ndërhyri ky figura, që unë ja kisha dëgjuar emrin. Dhe në fakt talleshim me ato shkrimet e tij, të Saliut.

Blendi Fevziu: Në fakt ishin shkrime që kishin një kurajo jo të vogël.

Kryeministri Edi Rama: Ishte shumë komunist për të qenë i marrë seriozisht. Sepse ishte ajo pjesa që mundohej të thoshte Ramzi Alia që këtu mund të ketë zëra që mund të flasin. Ishin disa nga këta që i kishin marr si…. nejse… Dhe thotë:  O, po ky le të vijë se na duhet për fushatë se është i zoti i gojës, Saliu.  Ata po formulonin një deklaratë që ishte e para deklaratë e PD-së së sapoformuar për disa ngjarje në Shkodër. Ramiz Alia i kishte bërë copë, huliganë. Ndërkohë aty ishte ky figura në këmbë. Preçi po lexonte tekstin. Dhe në një moment unë i them: Ku jam këtu, ça është kjo? Është njësoj si me e pas shkruajt Ramiz Alia. Jeni parti e opozitës apo është komiteti i rinisë që është bërë parti? Se nuk mund t’u themi huliganë që kanë thyer xhamat se janë të gjithë njerëz që janë rrahur për 50 vjet. Në atë moment Gramozi shkretë thotë: ça propozon ti? Dhe unë i them: Luftë me Ramiz Alinë. Dhe Gramozi thotë: Jo thotë, Ramiz Alia është presidenti ynë dhe është garant i këtij procesi dhe PD nuk do vendosë kandidat kundër Ramiz Alisë, do jetë kandidat i përbashkët. Ndërsa ti, nëse do luftë dil e bëj një parti tjetër. U çova dhe ika. Leka Meksi më vuri këmbën, se ishte tek dera dhe më tha: Mos ik. Thashë dhe nja dy fjalë dhe ika.

Blendi Fevziu: Doje të angazhoheshe në PD?

Kryeministri Edi Rama: Nuk doja të angazhohesha në asnjë parti. Doja të angazhohesha me Partinë Demokratike në funksion të një gjëje për të cilën luftoja. Unë s’e konceptoja dot që të merresha me një gjë tjetër veçse me art.

Rama tregon raportin me Ilir Metën: Është njeri me hënë

Blendi Fevziu: Si ka qenë raporti juaj me Ilir Metën? Nuk dua një përgjigje nisur nga dominimi i momentit. Jeni dashur shumë, jeni luftuar shumë, jeni njohur para viteve 90…

Kryeministri Edi Rama: Para viteve ‘90 Iliri stërvitej tek palestra e shtangës, tek të rinjtë. Unë shkoja atje se bëja ushtrime force dhe isha shumë i lidhur në atë kohë me Agron Haxhihysenin, Aleksandër Kondon dhe merrja prej tyre ide për programin e forcës. Iliri më kujtohet, ishte në një kënd atje që stërvitej. Por nuk kishim ndonjë njohje më shumë se kaq.

Blendi Fevziu: Si mund ta përkufizosh marrëdhënien tuaj shumë të çuditshme me të?

Kryeministri Edi Rama: Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.

Blendi Fevziu: Merreshit vesh?

Kryeministri Edi Rama: O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh. O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar.

Edi Rama: Çfarë merite i njoh Sali Berishës

Blendi Fevziu: Po me Berishën që e keni patur konstante përplasjen, çfarë mendimi keni? Jo duke e parë si kundërshtar politik? Si shpjegohet që nuk e keni kursyer asnjë sekondë për 30 vjet vetëm Sali Berishën?

Kryeministri Edi Rama: Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arritur qëllimin. Ky është dallimi shumë i madh, domethënë kjo e ka penguar jashtëzakonisht shumë…

Blendi Fevziu: A i njihni ndonjë gjë pozitive Berishës?

Kryeministri Edi Rama: Në aspektin e punëve, vështirë. Në aspektin e metodës, vështirë. Në aspektin e lidershipit, po.

Blendi Fevziu: Ç’do me thënë në aspektin e lidershipit?

Kryeministri Edi Rama: Ka qenë dhe është….tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancë edhe kur nuk ka patur pushtet.

Rama sulmon sërish Bashën: Është lider pa karakter

Blendi Fevziu: Më bën përshtypje, ndërkohë që ju identifikoni Berishën apo Metën si problem të opozitës së sotme, pothuaj gjithmonë kurseni Bashën?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është se e kursej. Hiri i së vërtetës e do të thuhet. Mund ta diskutosh gjerë e gjatë karakterin e lidershipit të Saliut, karakterin e lidershipit të Nanos. Mund të diskutosh jo aq gjerë dhe gjatë se është më e thjeshtë, por gjithsesi mund ta diskutosh karakterin e lidershipit  të Ilir Metës, që gjithsesi nuk mund të krahasohet me këta dy të tjerët për nga pikëpamja e kapaciteteve të lidershipit, po ka stof politik. Luzlim Basha nuk është lider.

Blendi Fevziu: Sepse nuk ka fituar akoma zgjedhjet.

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka lidhje me fitoren e zgjedhjeve. Lulzim Basha është një drejtues pa karakter. Nuk ka karakter, si të them. Kjo tryezë ka karakter, ky abazhur ka karakter, ky mermer këtu ka karakter, ndërkohë që ajo është një lloj paluzeje, që nuk di merr formën, nuk di. Se ka politikanë që marrin formën e vazos gjithmonë, por nuk janë lider. Nuk ka lider që merr formën e vazos.

Rama flet për herë të parë për ish-partneret: Ju rrëfej marrëdhënien time me gratë

Blendi Fevziu: Folët më parë që jeni burri ose bashkëshorti i Linda Ramës. Ndërkohë, në jetën tuaj keni lënë dy divorce dhe ndoshta ndonjë divorc informal pas shpine. Pse ky raport me gratë e Shqipërisë, ku zakonisht njerëzit ose ruajnë një familje qoftë edhe me problemet që ka një familje, ose kur divorcohen shpeshherë janë me probleme. Kjo jeta jote duket shumë e çuditshme në këtë mënyrë. Çfarë nuk ka funksionuar ose çfarë ka funksionuar në raportin tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, e ndjej veten jashtëzakonisht me fat që jam burri i Lindës edhe që kam Lindën në krah tani më prej 10 vjetësh, gjë që realisht ma ka bërë shumë të largët kohën e mëparshme. Së dyti, unë mendoj që në jetën e njerëzve pjesa personale, pjesa private shumë individuale është shumë e veçantë për secilin dhe është jashtëzakonisht e vështirë që nga larg ta gjykosh dhe të thuash ky apo ai bërë këtë apo bëri atë. Nuk është e mundur. Unë s’kam dashur asnjëherë që të jem njeriu që i jap mend të tjerëve apo u them të tjerëve. Me jetën privatë të gjithë janë të lirë të bëjnë atë që mendojnë dhe kjo liri është gjëja që duhet garantuar dhe moscënimi i saj është që është jeta e secilit. Secili ka jetën e vetë. Por nuk kam pasur për hir të së vërtetës, kam pasur thjesht raporte që në një moment të caktuar nuk kanë funksionuar dhe janë ndërprerë në mënyrë civile.

Blendi Fevziu: Është shumë e çuditshme sepse ndërkohë ju keni përfshirë jashtëzakonisht një numër të madh grash, ndoshta më shumë se politikanët e tjerë, qoftë në stafin tuaj në Bashki, qoftë në Qeveri, edhe së fundmi madje dhe në poste relativisht të rëndësishme ku gratë nuk kanë arritur në momente të tjera. Po ky raport, i vështirë në jetën familjare, funksional në Qeveri?

Kryeministri Edi Rama: S’kam pasur raport të vështirë unë me gratë asnjëherë, janë raporte personale që në një mënyrë ose një tjetër kanë një jetëgjatësi të madhe ose nuk e kanë jetën shumë të gjatë dhe kjo është një çështje mes dy njerëzve.

Blendi Fevziu: Miku juaj i vjetër, i cili ka qenë dhe miku im, por sot është kritiku juaj, thoshte që ‘Rama kërkon vazhdimisht gra të cilat ta duan me dashurinë e nënës’. Pra, as mos ta kritikojnë. Si bashkëpunëtore flas, jo në këtë raport. Është e vërtetë kjo?

Kryeministri Edi Rama: Ky është psikanalisti popullor Fatos Lubonja. Kjo është një analizë, nuk i hyj kësaj sepse unë asnjëherë nuk hyj thellë në fusha ose në gjëra për të cilat nuk jam përgatitur që të mësoj, siç mësoj në detyrën time përditë kur duhet të flas gjëra që nuk janë materie që i zotëroj, dhe aq më tepër pastaj që të bëj një diskutim me Ljubën si Frojdi me Jungun. Kështu që ja Ljubës edhe Frojdin edhe Jungun t’i bëjë në mënyrë popullore, ndërsa unë mendoj që ajo që është e rëndësishme është që jeta e secilit, është jeta e secilit, jeta private është jeta private. Të tjerat askush nga jashtë nuk arrin dot as ti dijë deri në fund dhe aq më pak pastaj t’i gjykojë.

Arrogant me gazetarët? Rama: Jam në konflikt konceptual me mediat

Blendi Fevziu: Pse ky raport i vështirë me median? Keni qenë një lloj produkti mediatik…

Kryeministri Edi Rama: Mbase sepse unë kam qenë aty, kam qenë me të gjithë ju në një kohë, natyrisht jo gazetar, por kam qenë pjesë e atij fronti, pjesë aktive e frontit të lirisë së fjalës edhe të lirisë së shtypit dhe kështu me radhë. Mbase kjo më bën që të jem më pak i gatshëm që të pranoj që të pranoj degradimin e madh që ka ndodhur në ushtrimin e lirisë së fjalës. Por përtej kësaj s’kam asnjë problem. Është vetëm një konflikt konceptual, është vetëm një konflikt retorik, por nuk është një konflikt i pushtetit, ose i pushtetit që unë kam me median si pushtet. Se askujt s’i është rënë në qafë asnjëherë për asgjë nga kjo qeveri në 7 vite.

Blendi Fevziu: Është shumë interesante, duhet të ketë qenë viti ’94 kur ka qenë një nga intervistat tona të para, ka qenë një ekspozitë që ju e titullonit “Ambalazh”. Ishte shumë e bukur dhe ti ishe një piktor ekstravagant që talleshe me piktorët e tjerë, por mbi të gjitha me politikanët. Tani ju vjen çudi që nga ky piktor ekstravagant që tallej me politikanët, jeni kthyer pak a shumë si personazhet e talljeve tuaja dikur?

Kryeministri Edi Rama: Shpresoj që s’jam si personazhet e talljeve të mia njëherë. E dyta, për fat të mirë kam një sens të humorit që nuk e kam me një kalim, nuk jam vetëm unë që mund të bëj humor me të tjerët, por edhe të tjerët mund dhe duhet të bëjnë humor me mua, kështu që… Unë, për shembull, asnjëherë s’i kam kuptuar politikanët që nuk e durojnë dot humorin ndaj tyre dhe unë për shembull argëtohem shumë me karikaturat e Bujar Kapexhiut kur qëllon që i shoh. I kam thënë biles hajde bë një ekspozitë te kodi me karikaturat e tua për mua. Ose argëtohem shumë kur qëllon të shikoj njerëz që tallen, imitojnë, është gjëja më normale. Do të ishte një mangësi e madhe sikur këtu mos kishte njerëz të cilit vinin në lojë qeverinë, Kryeministrin, pushtetin.

Arriti kulmin si piktor gjatë detyrës si Kryeministër? Rama zbulon mesazhin që mori nga Amerika

Blendi Fevziu: Në fillimet tuaja, ju keni pasur ambicie për të pasur një karrierë artistike, si piktor, si artist. Ndërkohë që duket se kulmet tuaja si artist i keni arritur gjatë kohës që jeni Kryeministër. Në këtë rast, është Kryeministri që ndihmon artistin? Apo është e kundërta?

Kryeministri Edi Rama: Ja kam bërë këtë pyetje vetë unë personalisht Marian Goodmanit, që është po themi “hyjnesha” e galerive të artit bashkëkohor në botë sot, pasi mora një email prej saj për të hapur një ekspozitë në galerinë e saj në Nju Jork. Edhe fillimisht mendova që ishte dikush që tallej, se Marian Goodman është “Meka” e… Dhe s’pata guxim t’i ktheja përgjigje, sepse thashë me siguri ka shumë gjasë që po tallet dikush. S’ka mundësi që Marian Goodman të më shkruajë mua. Pastaj mora Anri Salën, i thashë më gjej një mundësi të pyesësh të interesohesh tek galeria e Marian Goodman nëse ekziston kjo dëshirë apo kjo është një tallje. Mori dhe tha është ajo personalisht. Dhe kur kam vajtur në Amerikë, jam ulur me të, dhe i thashë ‘më hiq një kuriozitet të madh që kam’. Ti më ekspozon mua sepse unë jam Kryeministër, apo se të intereson arti im për ta ekspozuar në këtë galeri? E para, tha, unë kam një ish-President që merret me piktura. Është marrë me pikturë dhe kur ishte President nuk më ka shkuar mendja që t’i bëj një ekspozitë. Pra, nuk nisem nga fakti që ti je Kryeministër që të të bëj ekspozitë. Nisem nga arti yt që më intereson. Por, pa dyshim që ky art unë ekspozoj i bërë nga një njeri që është edhe person publik dhe që ka një rol të tillë, nuk është diçka që mund të ndahet. I thashë, ‘po më pas kur unë…’? Kjo është pjesë e historisë tënde, tha, kjo nuk ka rëndësi. Por ajo që unë ekspozoj, është arti yt, nuk të ekspozoj ty si person. Por sigurisht këto janë gjëra që nuk ndahen dot nga njëra-tjetra.

Blendi Fevziu: Por si shpjegohet, mbaj mend ekspozitën tuaj të parë si ministër Kulture në vitin 2000 pas një periudhe, që çmimet u ngritën menjëherë të punëve tuaja?

Kryeministri Rama: Nuk janë ngritur çmimet menjëherë. Ajo që ka ndodhur, është në tregun e zi, qarkullojnë një sërë punësh të mia. Për fat të keq, është vjedhur studio e tim eti, shumë vite më parë, edhe ka punë të tijat dhe të miat që qarkullojnë në një treg të zi të çuditshëm këtu. Dhe unë kam parë dhe punë të asaj kohe të miat, që më thonë që shiten e blihen këtu në të zezë, që unë s’kam asnjë kontakt, shiten e blihen me çmime që janë edhe më të larta se punët e mia sot. Kjo ka ardhur si rezultat i një sërë koncidencash. Unë asnjëherë nuk kam menduar që duke bërë vizatimet në zyrë, po bëj art. Në kuptimin që do çoj në ekspozitë. Pastaj, e gjitha është zhvilluar në një zinxhir koincidencash, edhe faktikisht sot është ekspozuar dhe ekspozohet në mënyrë të vazhdueshme.

Sa pasuri ka Edi Rama? Kryeministri: Natyrisht që nuk jam i varfër, me fat që jam burri i Lindës

Blendi Fevziu: Folët për një apartament ndërkohë që jeni në një vilë.

Kryeministri Edi Rama: E para vetëm vilë që nuk quhet ajo. E dyta është një, nga thuajse gjysmë milionë shtëpitë që janë ndërtuar në Shqipëri. Në shtëpinë ku jetojmë ne, ngado të kthesh kokën janë vila 3-4 katëshe dhe nuk ka asnjë politikan aty. E treta, unë vetë deri ditën kur jam bërë burri i Linda Ramës dhe kam shumë fat që jam burri i Linda Ramës, unë kam pas idenë që: Pse duhet të kem unë shtëpi? Unë jetoj me qira. Shtëpitë e mia me qera janë gjithmonë minimaliste. Linda kishte një tjetër ide: Që shtëpia është një hapësirë ku zhvillohet historia e përditshme e një familjeje dhe ku mblidhen kujtimet dhe janë pasuri edhe e fëmijëve. Në atë kohë ajo kishte një tokë që në fillim të viteve 2000 kur nuk ishim fare me njëri-tjetrin dhe erdhëm tek ideja për ta bërë atë shtëpi. Është kontributi i saj për ta bërë atë shtëpi. Është një hapësirë e shtrirë në një kat. Ka një veçanti që muret e jashtme dhe të brendshme i ka një, por do vijë dita që me siguri do jetë pikë referimi nga pikëpamja e arkitekturës.

Blendi Fevziu: Sa para ka Edi Rama?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam asnjë qindarkë në xhepin tim që është fituar nga puna e të tjerëve. Për një arsye shumë të thjeshtë, se unë e kam patur shumë të qartë që në këtë botë jemi për të kaluar, jo për të ndenjur.

“Kam raport fantastik”, Edi Rama: Ju tregoj lidhjen time me George Soros

Blendi Fevziu: George Soros, çfarë raporti ka pasur me ju? Është folur që keni qenë i shenjuari i tij, është folur që ka qenë sponsori i juaj kryesor politik. Është folur që i është dashur Shqipëria për politika… Por unë po të pyes vetëm për raportin tuaj personal. Kur e keni njohur dhe si ka qenë raporti juaj me George Soros?

Kryeministri Edi Rama: Unë George Soros e kam njohur në vitet ’90, kur nuk isha në politikë, kur më kanë futur në bordin e Fondacionit këtu. Ka qenë dhe Ismail Kadare, Profesor Minga, kanë qenë disa… Dhe kemi shkuar në Budapest. Aty e kam takuar George Soros për herë të parë. U organizua një si drekë pune për t’u prezantuar me bordin e fondacionit. Ishte e bukur se ai ishte në botën e tij dhe ndërkohë që hante, dëgjonte dhe të gjithë po i prezantoheshim. Ai ndiqte zërin, por vazhdonte me të vetën. Kur erdhi radha ime, unë s’fola fare dhe u bë qetësi. Dhe ai ma bëri me kokë. Edhe unë i bëra një pantomimë, çfarë ke? Po ti, më tha mua. Unë çfarë i thashë? Kush je? Unë jam filani. Me çfarë merresh? Merrem me art. Çfarë lloji arti bën? Llojin më të mirë, i thashë. E pa që u bë një ndërveprim, dhe vazhdoi me të tjerët. Kur erdhi këtu herën e dytë, Ismailin e njihte ai, tha përveç këtij a mund të prezantoheni dhe njëherë se nuk më kujtoheni.

Blendi Fevziu: Çfarë raporti keni pasur me të?

Kryeministri Edi Rama: Kam raport fantastik me të. Kam pasur gjithmonë një raport fantastik me të. Nuk ka lidhje fare me këto konspiracionet.

Blendi Fevziu: Ju ka ndihmuar në politikë?

Kryeministri Edi Rama: Sorosi është një personazh i jashtëzakonshëm, është një njeri që bëri një sukses të hatashëm, përmbysi botën me ato goditjet që i bëri bursave. Në momentin që u bë George Sorosi i njohur në të gjithë botën, dhe që zotëronte një pasuri marramendëse, pasurinë e vetë e vuri në dispozicion të idesë së vetë, shoqërisë së hapur. Ai është marrë me filozofi dhe ka atë idenë e shoqërisë së hapur dhe është një njeri që ka financuar pafund për të ndihmuar shoqërinë e hapur, për të stimuluar njerëz në shoqërinë civile. Këto teoritë e tjera të konspiracionit janë…

Blendi Fevziu: Vazhdoni ta ruani raportin?

Kryeministri Edi Rama: Gjithmonë, por sigurisht nuk takohemi shpesh, takohemi rrallë. Ai tani është në një moshë që…

Ku gabuam në 30 vite? Kryeministri Rama: Kemi bërë 2 katastrofa të mëdha

Blendi Fevziu: Cilat mund të jenë 2-3 pikat që në këto vite ju mendoni që i kemi bërë gabim. Po kur them i kemi bërë, jo i kanë bërë të tjerët, që dhe ju keni pjesën tuaj të gabimit? Apo gabim të klasës politike. Çfarë do të korrigjoje ti tek vetja?

Kryeministri Edi Rama: Klasa politike nuk është asgjë tjetër përveçse reflektimi i shoqërisë në atë periudhë kohe. Dhe unë kur isha në Francë e kisha qejf që të ndiqja një kanal televiziv të Senatit edhe të Parlamentit, Asamblesë Nacionale, edhe jepeshin aty këto debate komisionesh parlamentare. Por them që nga gjithë ai Parlament i Francës, figurat që flisnin ose që binin në sy ishin një numër shumë më i vogël se numri i gjithë parlamentarëve. Parlamentarët janë përfaqësues të territoreve, janë njerëz që kanë lidhjet e tyre në territore, janë profile komplet të ndryshme, nuk janë Akademia e Shkencave, nuk janë Akademia e Arteve. Dhe në këtë sens, klasa politike shqiptare ka qenë reflektim i shoqërisë. Dhe mos harrojmë që nëse në vendet e tjera gjithë bota ish-sovjetike pas rënies së murit, nuk kishte parti politike alternative, por kishte një kulturë alternative, kishte një jetë kulturore alternative. Ishin njerëz që qarkullonin në një botë shumë të madhe në atë perandorinë e tyre, plus iknin dhe në vende të tjera, kishin parë realitete të tjera. Sidoqoftë ishin elita kulturore që ishin shumë më të gatshme. Kurse këtu kush u bë? Kush e mori stafetën? Kush ishte alternativa e përgatitur? Mendoj që progresi dhe transformimi ka qenë i madh, por sigurisht që në qoftë se do ktheheshim mbrapa, ne kemi bërë në këto 30 vjet si politik, si vend, kemi bërë 2 katastrofa të mëdha. Që është katastrofa e pronës dhe katastrofa e pamundësisë për të kontrolluar zhvillimin. Kemi hedhur në erë gjithë sistemin e pronës, dhe nuk krijuam dot një sistem për shumë e shumë vite. Domethënë, lufta për të vendosur kontrollin e territorit ka filluar në Bashkinë e Tiranës kur unë u bëra kryetar bashkie. Dhe është një luftë që ka vazhduar me hope, ka vazhduar me copa, dhe ka lejuar që shumë nga pasuritë tona që duhet të ishin asete të të ardhmes, të shkatërrohen apo të copëtohen, e të abuzohen.

Fevziu pyet Kryeministrin Rama: Përse ju tundojnë personat me precedent penal?

Blendi Fevziu: Ju keni qenë pedagog, djali i një pedagogu, artist, njeri i lexuar, keni shkruar libra. Pse duket sikur keni një lloj tërheqje ose një lloj tundimi nga personat me precedent penal?

Kryeministri Edi Rama: Këtë ma keni krijuar ju, unë s’kam asnjë…

Blendi Fevziu: Po se nuk duket se ju lidh asgjë me këto personazhe.

Kryeministri Edi Rama: Ma keni krijuar ju, unë s’kam asnjë tundim, asnjë tërheqje të veçantë ndaj askujt që është në këtë botë të punës time. Janë të gjitha pjesë të një bashkëkohësie tonës që në një mënyrë ose në një tjetër janë përzier në periudha, në momente të ndryshme, por s’kam asnjë tërheqje. /tvklan.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button