Opozita drejt marrëveshjes, PR me dy emra në listat e PD
Nuk ka ende një marrëveshje zyrtare mes Partisë Demokratike dhe dy aleateve të saj kryesore, republikanët e Fatmir Mediut dhe agrarët e Agron Dukës.
Vetë Mediu u takua disa herë gjatë ditës me Lulzim Bashën dhe në takimin e fundit, që ishte më i shkurtër se të tjeët, u shfaq më i çliruar. Ai tha për mediat se marrëveshja po ecën në rrugën e mbarë.
Ndërkohë, burime nga Partia Demokratike thonë për Top Channel se marrëveshja me republikanët është arritur dhe sipas saj, republikanët do të fusin dy emra nga tre që kërkuan në listat e PD. Njëri është Fatmir Mediu, ndërsa mbetet për t’u mësuar emri tjetër.
Megjithatë, vetë Partia Republikane do të kandidojë formalisht me listën e saj për deputetë për të mos humbur komisionerët.
Ndërkohë, edhe me PAA mund të jetë arritur një marrëveshje, megjithëse kjo është ende e pakonfirmuar.
Sa u takon listave, PD ende nuk i ka përfunduar edhe për shkak të bisedimeve me aleatët, që mund të ndikojnë në listën përfundimtare në Shkodër, Vlorë, Tiranë dhe ndoshta edhe në Fier.
Sipas marrëveshjes Rama-Basha, Partia Demokratike ka kohë deri në mesnatë për të dorëzuar në KQZ listën e saj me kandidatët për deputetë.