Opozita ngre Parlament paralel. Në selinë blu ngrihen grupe pune për oponencën e çdo projektligji
Lëvizja
Basha
Dekretet – “Ajo që është e papranueshme është fakti se kjo shumicë dje (të hënën), ashtu siç kishte paralajmëruar, i hodhi poshtë dekretet e Presidentit pa asnjë argument dhe argumentim”
Bojkoti – “Nuk është zgjedhja jonë që jemi jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Është Edi Rama dhe Ilir Meta që e kanë llogaritur regjimin e tyre pa opozitën ose me opozitën dekorative”
NGA HERION MESI
Partia Demokratike ka disa kushteve ndaj mazhorancës që do të bënin të mundur kthimin e saj në Parlament. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas takimit të zhvilluar me kryesinë e vogël dhe me drejtuesit demokratë të komisioneve, ka shpalosur disa ide që mund të cilësohen si kushte të partisë më të madhe të opozitës për kthimin në Parlament. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garancia për mosdhunimin e opozitës në Kuvend, dhënia e të drejtës së fjalës, duket se janë disa prej kushteve që demokratët kanë si fillim ndaj mazhorancës. Ndërkohë që një nga kushtet e PD-së edhe pse ende e pashpallur zyrtarisht është rishikimi i ndarjes së hartës territoriale. Zërat zyrtarë të PD-së kanë deklaruar prej ditësh se “me këtë hartë nuk do të zhvillohen zgjedhjet lokale”.
Basha
Kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë disa arsye që mund të kthejë PD-në në Parlament, në mënyrë që sipas tij, opozita të mos jetë atje si fasadë. “Kur ti i heq opozitës të drejtën kushtetuese të kontrollojë, përmes instrumenteve parlamentarë siç janë komisionet hetimore, aktivitetin e qeverisë, kur opozita shkon në gjykatë dhe e rikonfirmon këtë të drejtë dhe ti prapë ia nëpërkëmb, më thuaj cili është roli i opozitës në një Parlament të tillë?! Të jetë pjesë e fotografisë së oligarkëve për t’ia paraqitur botës si gjoja funksionim të jetës parlamentare kur jetë parlamentare nuk ka?! Kur Kryeministri shkelmon dy zonja socialiste nga lista për të futur të dënuarin për prostitucion dhe për rrëmbim me qëllimin e vetëm që ta përdorë si xhandar kundër fjalës së lirë dhe opozitës sa herë që opozita të denoncojë me fakte dhe argumente të vërteta, cili është?! Dhe vetë Kryeministri nuk mban përgjegjësi, nuk thotë asnjë fjalë, pra i del për Zot. Cili është roli i opozitës në këtë Kuvend?!
Ky s’është më Kuvend, ky vetëm Kuvend nuk është më. Por është një dekor i shëmtuar i një regjimi oligarkik. Ky është problemi sot”, theksoi Basha. Ai theksoi se opozita pret nga mazhoranca tw sillet me pwrgjegjshmwri. “Qëndrimi ynë dhe bazat e qëndrimit tonë janë artikuluar qartë. Kërkesa jonë është po kështu e qartë. Jeta parlamentare mund të kthehet me praninë e një opozite të vërtetë dhe jo fasadë, në momentin kur shumica pranon rregullat e Kushtetutës, pranon Rregulloren e Parlamentit, nuk shkelmon opozitën, pranon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pranon debatin dhe replikën në Parlament dhe nuk godet dhe dhunon fjalën e lirë të opozitës”.
Parlamenti paralel
Në mënyrë që asnjë nismë ligjore e mazhorancës të mos kalojë në heshtje nga opozita, të gjitha projektligjet që do i kalojnë Kuvendit për miratim do të shqyrtohen paralelisht si nga mazhoranca në Parlament, ashtu edhe nga grupet e demokratëve në selinë e Partisë Demokratike. Për këtë arsye në selinë blu është vendosur të ngrihen tetë grupe pune, që do të drejtohen nga deputetët e djathtë sipas ndarjes së tyre në komisionet e përhershme parlamentare, dhe që oponencën e projektligjeve të mazhorancës, do ta vijojnë ta bëjnë jo në komisione, por për shkak të bojkotit të Parlamentit ato do të bëhen nëpërmjet deklaratave dhe daljeve të deputetëve nëpër media. Është ky vendimi i kryesisë së grupit parlamentar demokrat që u mor në mbledhjen e djeshme dhe që do jetë në fuqi deri në një vendimmarrje të dytë sa i përket rishikimit të marrëdhënieve të opozitës me Parlamentin. Burime nga PD-ja saktësuan dje për gazetën “Shqip” se këto grupe pune përveç deputetëve të komisioneve, në përbërjen e tyre do të kenë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që do përgatisin analiza apo raporte sa më profesionale të projektligjeve që do diskutohen në Kuvend gjatë kësaj kohe ku opozita nuk do të jetë e pranishme. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe opozita do të ndërmarrë një tur takimesh me të gjithë vendorët e djathtë, për t’i orientuar ata lidhur me referendumet lokale kundër reformës administrativo-territoriale.
Parlamentarizmi – Në selinë blu është vendosur të ngrihen tetë grupe pune, që do të drejtohen nga deputetët e djathtë sipas ndarjes së tyre në komisionet e përhershme parlamentare.
Referendumet – Gjatë kësaj kohe, opozita do të ndërmarrë një tur takimesh me të gjithë vendorët e djathtë, për t’i orientuar ata lidhur me referendumet lokale kundër reformës administrativo-territoriale
Vendoret 2015 – Turi për referendumet do të shfrytëzohet nga krerët e PD-së për të diskutuar me bazën edhe për çështjen e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, ku pritet një mobilizim i strukturave të sapozgjedhura.