Politika

OSBE kundërshton propozimet për ndryshimet e ligjit të KLD-së

Amendimet

Ekspertët e Prezencës i përgjigjen kërkesës së Komisionit të Ligjeve për mendimet mbi draftin e mazhorancës, OSBE kundërshton propozimet e qeverisë për ndryshimet e ligjit të KLD-së

Pezullimi nga detyra i gjyqtarëve që janë në procedim penal, kërcënim ndaj KLD-së dhe vetë gjyqësorit
Pezullimi – “Gjyqtari pezullohet nga detyra në të gjitha rastet kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur dakord për vendosjen e një mase shtrënguese sipas pikës 1 të këtij neni, si dhe kur ndaj tij është regjistruar një procedim penal për një krim të kryer me dashje”
Pafajësia – “Pezullimi zgjat deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimit”
Transferimet të ndalohen për 1 vit Lidhur me nenin 1 të draftit, ekspertët e OSBE-së shprehen të mendimit se ngritja në detyrë apo transferimi i gjyqtarëve duhet të ndalohet jo vetëm gjatë periudhës së mandatit, por edhe për një periudhë tjetër kohe, prej një viti, pas mbarimit të mandatit. Ndërsa për rastet e dorëheqjes, ata theksojnë se ndalimi duhet të jetë vetëm për një vit pas dorëheqjes dhe jo për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit siç propozohet në projektligj. “Ky sugjerim duket se reflekton më mirë parimin e barazisë së trajtimit të anëtarëve pa bërë dallime nëse dikush e përfundon mandatin dhe dikush jep dorëheqjen përpara përfundimit normal të tij”, gjykon OSBE-ja.

Nga Herion Mesi

florian rauningPrezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dalë kundër propozimeve të mazhorancës për disa ndryshime në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Konkretisht, nëpërmjet një letre drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku i janë kërkuar mendimet e saj lidhur me draftin për ndryshimet në ligjin për organizimin e funksionimin e KLD-së, OSBE-ja e cilëson propozimin e disa deputetëve të mazhorancës, që në rast procedimi penal ndaj gjyqtarit KLD-ja duhet ta pezullojë nga detyra, një masë shumë të ashpër dhe kërcënim të funksionimit të këtij këshilli, por dhe gjyqësorit në përgjithësi. “Në lidhje me pikën b) të këtij projektligji, e cila shton pikën 1.1 në nenin 21 të ligjit ekzistues, mendojmë se pezullimi automatikisht i gjyqtarit vetëm për shkak të regjistrimit të një procedimi penal është masë shumë e ashpër dhe nëse abuzohet me të mund të kërcënojë funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti, por edhe të gjyqësorit në përgjithësi”, shprehet OSBE-ja në komentin e saj lidhur me nenin 5 të projektligjit, i cili është miratuar në parim pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve. Dhe për të shmangur këtë, Prezenca e OSBE-së në Tiranë shprehet se është më e udhës që legjislatori të dallojë në dy lloje pezullimi. “Në një pezullim automatik, që mund të jetë masa e duhur kur gjyqtari i është nënshtruar një mase sigurie shtrënguese për të cilën Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur dakord sipas pikës 1; dhe në rastet kur procedimi penal është regjistruar për një krim të kryer me dashje”, thekson OSBE. Nga ana tjetër, në letrën dërguar Kuvendit, sugjerohet që KLD-ja të vendosë, rast pas rasti, kur procedimi penal është regjistruar për një kundërvajtje penale apo për një krim të kryer nga pakujdesia.

Letra e OSBE-së

Në letrën që i është dërguar Kuvendit dhe që mban datën 15 korrik të këtij viti, Prezenca e OSBE-së në vendin tonë rendit edhe disa komente jo vetëm mbi projektligjin “Për organizimin e funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, por ajo vlerëson se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe kërkon një qasje serioze dhe të gjithanshme, me përfshirjen në konsultime të të gjithë aktorëve të interesuar. “Ne mendojmë se ligji për organizimin dhe funksionimin e KLD-së nuk është i vetmi ligj që duhet të ndryshohet dhe se ndryshimet e propozuara ndoshta nuk janë të vetmet që duhet të propozohen apo miratohen, në lidhje me këtë ligj, për kryerjen e një reforme tërësore të sistemit të drejtësisë, me qëllim rritjen e pavarësisë, paanshmërisë dhe eficencës së sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe do të ishte e preferueshme që projektligji në shqyrtim të ishte pjesë e një pakete ligjesh të hartuara për këtë qëllim”, thuhet në letrën e OSBE-së. Në analizën e saj në lidhje me nenin 3 të projektligjit që trajton çështjen e mandatit të anëtarit të KLD-së dhe që parashikon shfuqizimin e pikës 2 të ligjit ekzistues, ekspertët e OSBE-së theksojnë se ky shfuqizim krijon një boshllëk në vendimmarrjen e KLD-së duke bërë të panevojshme edhe veprimtarinë e komisionit të verifikimit të mandateve. Për këtë arsye, OSBE-ja gjykon së paku, KLD-së mund t’i lihet mundësia që të krijojë një qëndrim mbi mandatin e anëtarit të zgjedhur dhe t’ia transmetojë këtë qëndrim organit përkatës që e ka zgjedhur anëtarin. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, nuk mund të transferohen apo të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, si dhe për një vit pas mbarimit të mandatit. Ndërsa, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nuk mund të emërohen si gjyqtarë sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, gjatë mandatit, si dhe për një vit pas mbarimit të mandatit”, propozon OSBE-ja që të jetë teksti i nenit 3 të projektligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button