OSHEE: Çmimi i energjisë për familjarët, 12 lekë për kw/h
KESH, OST dhe OSHEE i kërkojnë ERE-s rritjen e çmimit të energjisë
Aplikimi i Operatorit të Shpërndarjes. Si llogaritet tarifa
Nga Zamir Alushi
Zbardhet çmimi i ri i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë që do të negociohet dhe vendoset në dhjetor nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 5 lekë ose thënë ndryshe me 70% të çmimit aktual, i cili është 7.7 lekë kw/h, nëse ERE do të miratojë pa ndryshime aplikimet e kryera. Mësohet se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) kërkesën për rritje të çmimit vitin e ardhshëm. Nga 7.7 lekë për Kw/h që është aktualisht tarifa e shpërndarjes për konsumin nën fashën 300kw/muaj, operatori kërkon që të rritet në 12 lekë për Kw/h. Kërkesat kanë shkuar zinxhir nga operatorët e tregut të energjisë. Dy javë më parë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) aplikoi për rritje të çmimit, me të cilin ia shet energjinë OSHEE-së, me 50%. Çmimi mesatar i shitjes së energjisë së prodhuar nga KESH-i aktualisht është 2.2 lekë për kw/h, ndërsa KESH-i aplikon për rritje në 3.34 lekë. Kërkesa e KESH-it është argumentuar me gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet, për shkak të blerjes së energjisë me çmim të lartë nga HEC-et private, por edhe nga importet që ka bërë për të mbuluar humbjet e ish-kompanisë CEZ. Më parë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka kërkuar pranë ERE-s rritjen e tarifës së transmetimit me 10%, pra nga 0.65 lekë për kilovat/orë që është aktualisht në 0.73 lekë.
Si llogaritet çmimi
Struktura e çmimit të shitjes me pakicë të energjisë elektrike të aprovuar nga ERE, përbëhet nga: kostoja e humbjeve në shpërndarje, që zë 27.4%, kostoja e blerjes së energjisë, 27.4%, kostoja e shpërndarjes 24.8%, kostoja e borxhit të keq, 9.1%, kostoja e transmetimit 7.4% dhe kostoja e furnizimit me pakicë, 5%. OSHEE-ja ka renditur në aplikimin e saj një faturë financiare që i duhet të përballojë kostot dhe shpenzimet. Kostoja e humbjeve, amortizimi i pajisjeve, shpenzimet kapitale, fondet për përballimin e importit, pagesat e borxheve janë disa pjesë që përbëjnë faturën e paraqitur nga OSHEE-ja tek ERE.
Humbjet në rrjet
Paraprakisht, qeveria ka deklaruar se nuk do ta llogarisë si kosto humbjen e shkaktuar nga vjedhjet dhe abuzimet në rrjet. Aktualisht niveli i humbjeve është 40%, me një tendencë në ulje, pasi muaji shtator shënoi nivelin e humbjeve në 31%. Shpenzimet për nivelin e humbjes bazohen te çmimi mesatar i importit të energjisë elektrike, norma e parashikuar e këmbimit lekë/euro dhe tarifa e transmetimit. Ndërkaq, një vlerë të lartë me kërkesën e bërë nga OSHEE-ja zënë investimet e nisura dhe të planifikuara për ndërtimin e linjave të brendshme 110 kv, dhe nënstacioneve për fuqizimin e rrjetit. Gjithashtu, llogariten të investohen pajisje matëse që do të ndikojnë në uljen e humbjeve. Këto janë financime të siguruara me kredi nga Banka Botërore, BERZH-i dhe KfW. Në bazë të analizës që do t’i bëhet këtij sektori, bordi i entit në dhjetor do të vendosë nëse rritja do të miratohet ose jo secila kërkesë.
Çmimet aktuale për klientë të furnizuar në tensionin e ulët
Çmimi (lekë/kwh); Në pik (lekë/kwh)
Industria 10.5 12.08
Tregti dhe shërbime 12.2 14.03
Furra buke, prodhim mielli 7.6 8.74
Bujqësi 10.5 12.08
Të tjerë 12 13.8
Buxhetorë 14 16.1
Familjarët
Çmimi (lekë/kwh); Në pik (Lekë/kwh)
Blloku i parë deri në 300 kwh 7.7
Blloku i dytë mbi 300 kwh 13.5
Tarifa për konsumin e energjisë elektrike
në ambientet e përbashkëta (shkallë, pompë,
ashensorë etj.) (lekë/kwh) 8.00
Tarifë fikse për leximin “zero” 200
Reagimi
Kërkesat e OSHEE, Braçe: Të pajustifikuara
Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, shprehet kundër kërkesave të fryra të operatorëve të energjisë që kanë aplikuar tek ERE për rritje të çmimit. Braçe thekson se kërkesat janë të pajustifikuara. “Kërkesat e KESH-it, OST-së e në fund për të mbyllur ciklin nga OSHEE-ja, në nivelin e ri të kërkuar, janë tërësisht joserioze e të pajustifikuara. Të tria korporatat do të bënin mirë t’i bënin publike për këdo tarifat e reja të kërkuara prej tyre bashkë me argumentet që i shoqërojnë ato. Këtë herë nuk do të bëjnë dot si përherë. Transparencë për çdo qindarkë të kërkuar! Enti Rregullator i Energjisë të marrë përgjegjësinë për të vendosur në mënyrë ligjore e mbështetur tërësisht në argumente teknike e të mos lejojë që keqmenaxhimi në sistem të bëhet argument për tarifat e reja.”