OSHEE, fal 3 mld lekë kamata, përfitojnë 55 mijë pensionistë
Nga skema lehtësuese që është aplikuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përfitojnë tri kategori: pensionistët kryefamiljarë, pensionistët dhe personat me status të veçantë, të cilët kanë përfituar në total 3 miliardë lekë nga reduktimi kamatëvonesave për energjinë e papaguar.
Janë në total 55 mijë pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuar që janë bërë deri tani pjesë e skemës dhe kanë përfituar reduktimin e kamatave dhe pagesa me këste të ulta mujore për faturat e prapambetura.
Përfituesit kanë lidhur marrëveshje me OSHEE-në që prej hyrjes në fuqi të vendimit të Këshilli Mbikëqyrës të kompanisë.
Shifrat bëhen të ditura për “Gazetën Shqiptare” nga burime zyrtare pranë OSHEE-së, sipas të cilave mësohet se është një numër i konsiderueshëm personat që duhet të lidhin kontrata për të përfituar zbritjen e kamatëvonesave.
OSHEE bën të ditur listën e dokumenteve që duhet, për të përfituar të gjithë personat që përfshihen në këto tre kategori dhe nuk kanë lidhur ende aktmarrëveshje me operatorin.
SKEMA
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën të ditur se për të gjithë konsumatorët familjare që mbartin detyrime të papaguara deri në datë 31/ 12/2015 mund të lidhin kontratë me kompaninë për të përfituar nga skema e ripagesës me këste fikse prej lek 2,800. Afati i për të përfituar nga kjo skemë është deri në fund të vitit.
Skema e ripagesës së detyrimeve për konsumatorët familjarë parashikon reduktim të kamatëvonesës në masën 70% në rast të pagesës së menjëhershme. Pjesë tjetër e skemës është reduktimi i kamatëvonesave kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 20 lekë për personat që janë përfitues të ndih-mës ekonomike, të cilët do të lidhin rishtazi aktmarrëveshje me shoqërinë për likuidimin e detyrimeve të prapambetura deri 31/12/ 2015. Pagesa është 1200 leke në muaj.
Gjithashtu, abonentët e OSHEE-së që kanë fatura të prapambetura përfitojnë reduktim të kësteve në masën e 1200 lekë në muaj për të gjithë pensionistët, të cilët kanë një aktmarrëveshje aktive me Shoqërinë për ripagesën e detyrimeve të prapambetura dhe reduktimin e vlerës së kamatëvonesës kundrejt pagesës prej 20 lekë në fund 31/12/2016, në rast respektimi të pagesës me këste dhe pagesës së faturave korente brenda afateve të përcaktuara. Skema e ripagesës së detyrimeve për konsumatorët familjarë, pensionistët kryefamiljarë, të cilët përfitojnë ose jo kompensim për faturat e energjisë elektrike dhe nuk kanë AKM deri në datën e 31/12/2015 për detyrimet e papaguara deri në datën 31/12/2015, së bashku me reduktimin e vlerës së kamatëvonesës kundrejt pagesës prej 20 lekësh, marrëveshja mund të lidhet deri në 31 dhjetor të këtij viti.