Kronika

Pa gjykata dhe pa prokurori/ Qytetet që penalizohen nga drejtësia e re

Nga data 1 Maj, 9 qytete do të mbeten pa gjykata dhe pa prokurori. Mijëra dosje që ishin për gjykim apo hetim do të transferohen në institucionet e qyteteve fqinje, duke e bërë më të largët gjeografikisht sistemin e drejtësisë për qindra mijëra qytetarë. E quajnë faza e dytë e implementimit të hartës së re gjyqësore, por mund të konsiderohet edhe pasojë direkte e dështimit të reformës në drejtësi, që u miratua 7 vite më parë me presion të fortë ndërkombëtar.

Shkrirja e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe prokurorive të lidhura me to ishte një vendim që u imponua për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vetingu e la sistemin me aq shumë vende bosh, sa prurjet nga Shkolla e Magjistraturës e kishin të pamundur t’i zëvëndësonin. Hartuesit e reformës në drejtësi nuk e kishin parashikuar këtë fazë.

Dhe meqë një pjesë e madhe e gjykatësve dhe prokurorëve u larguan nga detyra, kryesisht për shkak të problemeve me pasurinë, qeveria e Edi Ramës vendosi të lërë disa qindra mijëra qytetarë pa gjykata dhe pa prokurori fare.

E para që e pësoi nga vetingu ishte Gjykata Kushtetuese, që u paralizua totalisht disa vite më parë. Atëherë kryeministri Rama e komentoi ngjarjen me shprehjen “më mirë djepi bosh, se shejtani brenda”.

Situata tani është krejt ndryshe. Shkrirja e 9 Gjykatave të Shkallës së Parë në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec do të lërë pa shërbime qindra mijëra qytetarë.

Banorët e këtyre bashkive do të duhet të udhëtojnë në një qytet tjetër për të ndjekur një seancë gjyqësore apo për t’u informuar në lidhje me një çështje nën hetim.

Dosjet e Tropojës transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjes në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.

Për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur sot, duhet thënë se vetëm në Lezhë paraditen e sotme u transferuar 1600 dosje nga Kurbini. Për shkak të ngarkesës së madhe, avokatët paralajmërojnë se drejtësia rrezikon të kalojë në kaos.

Nga 22 Gjykata të Shkallës së parë, mbeten vetëm 13 të tilla. Por edhe qytetarët e qyteteve që kanë një Gjykatë të Shkallës së Parë do të kenë probleme.

Disa muaj më parë u shkrinë Gjykatat e Apelit dhe dosjet e tyre u transferuan të gjitha në Tiranë. E gjithë Shqipëria do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli.

Paralajmërimet e avokatëve në vesh të shurdhër

Me hartën e re gjyqësore shtohen shpenzimet e qytetarëve për t’u përfaqësuar në një proces gjyqësor. Të favorizuar janë avokatët e qyteteve kryesore, në veçanti ato të Tiranës.

Kur diskutohej harta e re, avokatët e kundërshtuan ashpër shkrirjen dhe transferimin e gjykatave. Dhënia e drejtësisë do të jetë më e shtrenjtë. Me shtimin e shpenzimeve, klientela do të jetë më e pakët për avokatët në rrethe. Veç kësaj, vendimet do të vonohen më shumë.

Prandaj në qershor të vitit të kaluar avokatët bojkotuan seancat gjyqësore dhe dolën në protesta. Në Kurbin, Lezhë, Sarandë, Elbasan, Fier etj, avokatët protestuan kundër vendimit të qeverisë. Por ankesat e tyre nuk u përkrahën nga qytetarët dhe ranë në vesh të shurdhër.

“Habitem që ka akoma individë që besojnë se me ne mund të flitet me gjuhën e bojkoteve, me gjuhën e shfaqjeve të kokëfortësisë pa zë. Në këtu jemi kush ka diçka për ta ndarë e ka shumë të thjeshtë të na kërkojë, të ulemi të flasim, të dëgjojmë. Por, harta është ajo dhe nuk ndryshon”, u shpreh Rama në lidhje me protestën e avokatëve.

Bojkoti i avokatëve u ndërpre më pas dhe ata u detyruan të pranojnë hartën e re.

Këmbëngulja e ambasadës amerikane

Pavarësisht kundërshtive për pasojat negative të reformës në drejtësi, ambasada amerikane e ka mbështetur me ngulm këtë arnim që iu bë sistemit. Kur u arrit marrëveshja për hartën e re, ambasada e SHBA në Tiranë reagoi menjëherë duke thënë se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin ligjor për të garantuar një sistem gjykatash që do t’i japë qytetarëve shqiptarë drejtësi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë”, u tha në deklaratën e ambasadës amerikane.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe fondacioni Soros kanë financuar reformën në drejtësi me qindra miliona euro. Dështimi i reformës nuk është pranuar asnjëherë. Por ndërsa kapja politike e sistemit është mohuar përmes disa arrestimeve të nivelit të lartë, vonesa që do të shkaktojë harta e re gjyqësore do të ndjehet direkt në interesin e qytetarëve./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button