Pa liberalizim të vizave, MSA nuk ka kuptim
Liberalizmi i vizave dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), janë dy procese teknikisht të ndara, mirëpo praktikisht të ndërvarura njëra me tjetrën, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.
Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian e nënshkruar në tetor të vitit të kaluar do të hyjë në fuqi më 1 prill të këtij viti.
Derisa, sa i përket procesit të liberalizmit të vizave, Kosova ende është duke kaluar në disa faza të përmbushjes së kritereve të nevojshme.
Përmbushja e këtyre kritereve po vlerësohet nga një ekip i ekspertëve të Bashkimit Evropian, i cili më pas do të bëjë një rekomandim nëse Kosovës duhet hequr vizat ose jo.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson lartë hyrjen në fuqi të MSA-së, por sipas tij, kjo marrëveshje nuk mund të ketë zbatim të mirëfilltë dhe benefite nëse nuk ka liberalizim të vizave
“Si mund të ketë zbatim të kësaj marrëveshjeje nëse komunitetit i biznesit vendor do të pres me muaj dhe në procedura burokratike për marrjen e vizave. Do të thotë, ajo që është garancë e suksesit të zbatimit të një marrëveshje siç është MSA-ja, është fleksibiliteti në lëvizje dhe kjo është kushti i parë që bizneseve në Kosovë iu mungon”, thekson Gërxhaliu.
Liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit.
Kosova, aktualisht, radhitet e fundit në këtë proces, krahasuar me vendet e tjera që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, andaj edhe konsiderohet si vendi më i izoluar në Evropë.
Bashkimi Evropian ka hequr vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës u janë hequr vizat një vit më pas, në dhjetor të vitit 2010.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, konsideron se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe liberalizmi i vizave, nuk shkojnë njëra pa tjetrën.
“Nuk mundet që Kosova të ketë tregti të lirë me bashkimin Evropian qarkullimin e lire të marrave dhe shërbimeve nëse ne ende kufizohemi me nga regjimi i vizave. Shumica e vendeve të Ballkanit fillimisht e kanë përfunduar MSA-në, dhe ky është hapi i parafundit drejt liberalizmit të vizave, dhe kjo besoj se do të ndodh edhe në rastin e Kosovës”, thekson Gashi, për Radion Evropa e Lirë.
Edhe, pronarë të bizneseve në Kosovë kanë theksuar se me fillimin e zbatimit të MSA-, do të paraqet problem mos liberalizimi të vizave.
Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se bizneset nuk do të arrijnë që të lëvizin lirshëm, në mënyrë që të gjejnë partnerë për bashkëpunim në vendet e Bashkimit Evropian.
“Me hyrjen në fuqi të MSA-së, kompania jonë do të përfitojë, pasi nuk do të paguajmë taksë për lëndën e parë, por sa i përket lëvizjes së lirë ne kemi shumë problem. Unë personalisht kam qëndruar 10 ditë para ambasadës për një vizë një vjeçare, e që afati i saj më skadon tani në këtë muaj”, tregon Kosumi.
Ai shton se liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më shpejtë, në mënyrë që efektet e MSA-së të jenë të prekshme.
“MSA-ja kërkon lëvizje të lirë, me shkuarje- ardhje. Ne atë mundësi nuk e kemi. Çështja e MSA duhet të lidhet me liberalizimin pasi që është një hendikep i madh për neve”, thotë Kosumi.
Me fillimin e zbatimit të MSA-së, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), do t’i investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro deri në vitin 2020. Nga kjo, do të përfitojnë edhe prodhuesit, për t’i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.
Eksperti i ekonomisë Naim Gashi, thekson se me hyrjen në fuqi të MSA-së përfitimet e ekonomisë së Kosovës nga kjo marrëveshje do të jenë të dukshme.
“MSA-ja është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme që i ka ndodh Kosovës në raport më BE-në për arsye se Kosova për herë të parë bëhet partner kontraktual i Bashkimit Evropian dhe mallrat e kosovare do të qarkullojnë lirshëm në një treg prej 508 milion banorësh”, thotë Gashi .
Fillimi i zbatimit të MSA- edhe për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu është një proces i shumë pritur, por që jo domosdo do të zgjidh të gjitha problemet ekonomike të vendit.
“Si Odë ekonomike e Kosovës e kemi mbështet MSA-në si proces, mirëpo, duhet të kuptohet se vet nënshkrimi i kësaj marrëveshje dhe ratifikimi i saj nuk është shkop magjik për t’i zgjidhur problemet e ekonomisë kosovare”, thekson Gërxhaliu.
Ndryshe, edhe tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar.
Ndërsa, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme 10 për qind.