Palaço i Rilindjes
Në 25 tetor 2013, pak muaj pas fitores në zgjedhje kryeministri i ri Edi Rama bënte një prezantim të detajuar të financave shqiptare. Ndër konstatimet e asaj çfarë kishte gjetur qeveria e re ishte edhe situata në Rezervat e Shtetit, të cilat drejtoheshin muajt e fundit para 23 qershorit nga PDIU pas tërheqjes së LSI nga koalicioni me PD.
Më poshtë, pjesë nga fjala e Ramës në Kuvend për batërdinë që kishte ndodhur në Rezervat e Shtetit vetëm gjatë atyre 3 muajve të fundit para votimeve:
“…Shembulli i dytë, është si më poshtë vijon dhe lidhet me prillin, majin dhe qershorin; Me ligj, është përcaktuar se cili duhet të jetë limiti minimal i rezervave të këtij shteti për të përballuar nevojën për bukën e gojës, të njerëzve të këtij vendi, kur gjenden në kushtet e emergjencave humanitare. Limiti minimal, që ky shtet duhet të ketë në dispozicion çdo ditë, çdo sekondë, çdo natë dhe duhet ta vërë në lëvizje brenda ditës, për sheqer është 40 mijë kilogram. E dini sesa keni lënë mbas 23 qershorit?! Keni lënë 85 kilogram. Meqë jeni amatorë të pilafit dhe njiheni botërisht si të tillë dhe po pyesni për orizin?! Nga 40 mijë kilogram, është zero. E, tek orizi jeni të mirëkuptuar, se siç ju thashë jeni pilafdashës të njohur botërisht dhe meqë keni kaluar nga petullat tek “Versaçe”, miellin e keni kursyer, nga 200 mijë kilogram keni lënë vetëm 30 mijë. Ndërkohë që dihet, pavarësisht, se keni kaluar tek “Versaçia” nuk e keni harruar kurrë aromën e fasules. Zero kilogram fasule! Nga 30 mijë kilogram që duhet të kishte atje. Kjo është gjendja e rezervave. Sigurisht, dihet se keni edhe një etje të madhe për karburant. Keni pasur zorrën më të babëzitur për të thithur karburantin e këtij vendi, nga të gjitha anët, në të gjitha drejtimet. E nuk kishit si të linit një litër karburant në rezervat e këtij shtetit, për të lëvizur makina që të çonin thasë me miell, me oriz, me sheqer e vaj! Zero litra karburant! Zero!”
Babëzia kishte shkuar deri tek fasulet e orizi në Lundër, tek një fond modest emergjencash civile, që mund të përdoret vetëm në rast fatkeqësish natyrore. “Kush i ka drejtuar Rezervat e Shtetit?” – është pyetja që lind duke dëgjuar Ramën? Kjo drejtori në kohën për të cilën fliste kryeministri drejtohej nga z. Petrit Cerçizi, produkt i dalë nga aleanca PD-PDIU dhe i përket kësaj te fundit.
Ato tre muaj të batërdisë as nuk kishte patur përmbytje, as zona të izoluara, nuk pati zjarre, pati vetëm zgjedhje të përgjithshme dhe ndërrim pushteti. E këto rezerva nuk ka qenë e nevojshme të përdoren. Por në magazinat në Lundër, miu e thyente kokën. Drejtori i Shpëtimit kishte përlarë edhe fasulet.
Ky ishte vetëm një shembull për të kuptuar deri ku arrinte hajdutllëku. Por aferat në drejtoritë e partisë së Shpëtimit janë vërtet mbresëlënëse.
Vetëm dy ditë përpara deklaratës së Ramës në Kuvend, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nxori një raport skandaloz, ku lexohej se pikërisht në muajt e parë të 2013-s vendit tonë iu shtuan si me magji 6 mijë invalidë! Firma për këto lloj pensionesh lëshohej nga Shërbimi Social Shtetëror, e që drejtohej atë kohë nga Kozeta Mesiti. Gjejeni e kujt partie. Edhe kjo e PDIU.
E njëjta zonjë kaloi më pas në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, ku e bënë objekt të hetimit për shkak të fshehjes së një liste me emrat e kompanive të karburantit që u provua se vidhnin qytetarët në pikat e karburantit me pakicë.
KLSH raportoi gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë abuzime të rënda në ISSH-në e drejtuar nga Vjollca Braho.
Edhe kjo e PDIU e emëruar aty pas marrëveshjes PD-PDIU. Është po kjo ISSH në qendër të akuzave të ish-ushtarakëve që kanë denoncuar se u kërkohen ryshfete deri në 30 për qind të vlerës për t’u lidhur pensionet.
Braho kaloi më pas në Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ku interesat e kreut të PDIU për shkak të lidhjeve shumë të dyshimta me dy kompani të mëdha farmaceutike janë nën hetim.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, një dikaster me abuzime të rënda të përsëitura me pasoja direkte në shëndetin e popullatës gjithashtu është drejtuar nga partia e Idrizit.
Më herët, ish-doganieri që zbuloi fare papritur pas një darke me Nanon, dashurinë për “kauzën came” u komentua gjatë sidomos për “kapjen” e drejtorisë së patentave.
Në fakt kauza kërkonte me doemos përfaqësimin në rangje të larta të diplomacisë shqiptare ose në pozicione kyçe të selive përfaqësuese diplomatike në SHBA apo gjetkë.
Por Idrizi donte patentat, minierat, AKBN…
Në prill 2013, Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, mori drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, një drejtori kyçe për licencat në sektorin energjetik si dhe RISHMI-n, dikasteri përgjegjës për inspektimet në biznesin prej miliona eurosh të minierave.
Nga partitë e tipit PDIU, këto poste konsiderohen “vende pëllumbash” për vetë faktin sepse licencojnë ose penalizojnë biznesin fitimprurës por edhe shumë të korruptuar të minierave në Shqipëri.
E ndërsa po luftonte me këmbë e duar për të siguruar sa më shumë poste në qeveri dhe nëpër ministri, pas ikjes së drejtorëve të LSI-së, Idrizi paralelisht jepte edhe sinjale solidariteti dhe afrimi me ish-opozitën, sot në pushtet.
Në 23 qershor, shqiptarët votuan për të hequr qafe korrupsionin e qeverisë Berisha, që shtrihej nga familja e tij politike në qendër deri tek drejtorët e tij dhe te aleatët në bazë.
Por shumë nga këta drejtorë qëndruan pas 23 qershorit të 4 viteve më parë dhe janë ende këmbëkryq në zyrat e shtetit.
Që në 26 Gusht 2013, ende pa nisur qeverisja e të majtëve në një intervistë të botuar në shtyp, Idrizi dha sinjalin e parë publik.
“Ne s’i kemi borxh askujt, ndaj jemi të lirë në përcaktimet e qëndrimeve tona,” – shprehej Idrizi.
Dy ditë para Shën Valentinit të 2014-s, Shpëtimi kishte kaluar në aksion, pasi një “dreke informale” me Ramën.
Idrizi kërkoi garanci se disa drejtorë dhe zyrtarë shtetërorë të emëruar posaçërisht prej tij në kohën e Berishës, “të liheshin të qetë” gjatë qeverisjes socialiste.
Dhe ata u lanë.
Në PS duket sikur hajdutllëqet vlejnë vetëm kur janë tek armiqtë politikë. Kur janë te shërbëtorët ato nuk konsiderohen të tilla.
Thuhet se PDIU me potencialin e 4 apo 5 votave të saj parlamentare është një fasho e mirë në blindimin e mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.
Po a ia vlen barra qeranë?