Palantir: sistemi ynë i inteligjencës artificiale për NATO-n nuk ka asnjë “buton fikjeje”
Zëvendëspresidenti ekzekutiv Louis Mosley i siguroi evropianët se as kompania dhe as qeveria amerikane nuk mund ta çaktivizojnë nga distanca platformën Maven Smart System, mes shqetësimeve të rritura për varësinë nga teknologjia amerikane pas kufizimeve të shërbimit Starlink në Ukrainë.
Kompania amerikane e softuerit Palantir u përpoq t’i qetësojë evropianët se sistemi i saj ushtarak i inteligjencës artificiale, që përdoret nga NATO-ja, nuk ka asnjë “buton fikjeje”, siç njofton Reuters, pas ndërprerjeve të shërbimeve Starlink të Ukrainës, të cilat kanë rritur shqetësimet për varësinë nga kompanitë amerikane të teknologjisë.
Ukraina raportoi javën e kaluar se përdorimi i shërbimit satelitor ushtarak Starshield, që mbështetet në konstelacionin Starlink të SpaceX, ishte kufizuar në mënyrë që terminalet të mos punonin më në platformat që lëvizin shpejt, duke vështirësuar detyra si përdorimi i dronëve interceptues për të ndalur sulmet ruse. Zyrtarët ukrainas dhe evropianë thanë se dyshonin për një motiv politik, sepse masa erdhi pasi presidenti Donald Trump i kërkoi Ukrainës të ndalte goditjet ndaj rafinerive ruse të naftës, megjithëse zyrtarët amerikanë dhe drejtori i SpaceX, Elon Musk, kanë dhënë shpjegime kontradiktore.
Por Louis Mosley, zëvendëspresident ekzekutiv i Palantir-it për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën, i tha Reuters-it të mërkurën në Bruksel se as kompania dhe as Shtetet e Bashkuara nuk mund ta çaktivizojnë platformën Maven Smart System, të cilën e përdor selia ushtarake e NATO-s dhe disa forca të armatosura evropiane. “Ajo që kemi parë në lajme ditët e fundit rreth Starlink-ut është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Mosley. “Por sa i përket Palantir-it, mund të jap siguri kategorike se aty ku klientët e kanë blerë softuerin tonë, ata kanë kontroll të plotë operacional mbi atë softuer. Nuk ka butona fikjeje. Nuk ka asnjë mundësi që Palantir-i apo qeveria amerikane të ndërhyjë dhe ta fikë.”
Sistemi Maven përpunon sasi të mëdha të dhënash nga satelitët, radarët dhe sensorë të tjerë për t’u dhënë oficerëve ushtarakë një pamje të fushëbetejës dhe për të përshpejtuar vendimmarrjen. NATO-ja e bleu sistemin për Selinë Supreme të Fuqive Aleate në Evropë në vitin 2025 dhe e shpalli atë me “aftësi të plotë teknike operacionale” në qershor të këtij viti.
Megjithatë, disa anëtarë evropianë të NATO-s, si Gjermania dhe Franca, nuk e kanë marrë Maven-in për forcat e tyre të armatosura, duke cituar shqetësimet për varësinë nga një kompani amerikane, mes tensioneve të shpeshta mes Trump-it dhe udhëheqësve evropianë. Mosley tha se mbetet “tërësisht në diskrecionin e klientit” nëse punonjësit e Palantir-it përfshihen në operimin e sistemit, dhe se kompania ka shumë klientë në mbarë botën që e operojnë atë plotësisht në mënyrë të pavarur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.