Panariti, apel fermerëve të formalizojnë prodhimin për të përfituar subvencione
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti iu bën thirrje fermerëve në mbarë vendin të formalizojnë shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore dhe blegtorale, si rruga që i çon në përfitimin e subvencioneve.
Në kuadër të formalizimit të tregtimit, ministri Panariti deklaron se “respektimi i ligjit do t’i sjellë vetëm përfitime fermerëve, siç janë subvencionet”. Në një njoftim për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë, Panariti thotë se prodhimet do të regjistrohen në pikat e grumbullimit, numri i të cilave do të shtohet. “Kjo procedurë do ndodhë edhe me tregtarët e vegjël që kryesisht prodhimin e tyre e sigurojnë nga sipërfaqet e mbjella pranë shtëpive dhe nga bagëtitë”, shprehet ministri Panariti.
Skema e mbështetjes financiare
“Skema e mbështetjes financiare do të ketë si parakusht identifikimin dhe regjistrimin e prodhuesit dhe njëkohësisht skemat e mbështetjes së BE-së, të cilët janë jo të pakta. Financimet kanë si parakusht që fermeri të jetë i identifikuar dhe i regjistruar në mënyrë që të përfitojë nga skemat e mbështetjes, qofshin këto grante apo kredi”, shprehet ministri Panariti, duke premtuar shtim të pikave të grumbullimit të prodhimeve të fermerëve, si rrjeti që ndihmon në formalizimin e bujqësisë.
“Ky formalizim do të bëhet në nivel të pikave të grumbullimit, pasi aty bëhet shitja dhe blerja e produktit bujqësor që prodhohet dhe dorëzohet dhe aty pajiset edhe me kuponin e shitjes, që është faturë shitje dhe një dokument fiskal që jo vetëm formalizohet prodhuesi, por përfiton edhe nga masat e subvencionit. Një nga problemet me të cilën po përballen fermerët sot është mungesa e regjistrimit të produkteve, që do të kryhet pikërisht në pikat e grumbullimit”, shton më tej Panariti.