Panariti-Lu, vlerësohet mbështetja amerikane për bujqësinë
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti u takua të martën me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.
Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Bujqësisë, ministri Panariti falënderoi ambasadorin Lu për mbështetjen e qeverisë amerikane nëpërmjet programit USAID për rimëkëmbjen e bujqësisë në zonat e përmbytura.
Ambasadori Lu e siguroi ministrin Panariti për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane për zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet programeve të cilat synojnë rritjen e prodhimit, përmirësimin e cilësisë dhe krijimit të vlerës së shtuar.
Ambasadori Lu theksoi se ai do të angazhohej personalisht për të nxitur praninë e bizneseve të njohura në fushën e ushqimit në Shqipëri.
Ndërsa ministri Panariti i shprehu ambasadorit Lu dëshirën për të parë sa më parë investime të drejtpërdrejta amerikane në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit.
Më pas, ministri Panariti diskutoi me ambasadorin Lu për zhvillimet e fundit në vend, sidomos në funksion të procesit të dekriminalizimit të institucioneve dhe të politikës në tërësi.
Ministri Panariti dhe ambasadori Lu ndanë të njëjtën pikëpamje mbi nevojën e ndarjes përfundimtare nga rekordet kriminale të politikës të të gjitha niveleve. Ambasadori Lu shoqërohej nga drejtori i USAiD-it, Marcus Johnson.