Papa Leo i kërkon Putinit në telefon armëpushim për të lejuar ndihmat në qytetin e pushtuar Oleshky

Papa Leo i kërkoi të premten presidentit rus Vladimir Putin, në një bisedë telefonike, një armëpushim që të lejojë hyrjen e ndihmave dhe furnizimeve ushqimore në qytetin ukrainas të pushtuar Oleshky, njoftoi Vatikani, siç njofton Reuters.
Sipas Vatikanit, Papa shprehu shqetësim të thellë për situatën humanitare në qytet, i cili u mor nga forcat ruse në shkurt 2022 dhe po përballet me një krizë ushqimore në thellim, dhe ripotencoi angazhimin e Selisë së Shenjtë për çdo nismë në favor të paqes.
Kjo është biseda e dytë e njohur mes tyre, pas asaj të qershorit 2025. Telefonata u zhvillua ndërsa Papa 71-vjeçar po rikuperohet në spitalin Gemelli në Romë pas një ndërhyrjeje për kancer në mushkëri; Vatikani njoftoi më herët të premten se gjendja e tij po përmirësohet vazhdimisht dhe se ai mund të punojë e të kryejë veprimtari normale.
Rusia ka pranuar se në Oleshky ka probleme kritike me furnizimin me ushqime dhe ilaçe dhe ka thënë se ushtria e saj po punon për t’i zgjidhur, por ka fajësuar Ukrainën për krizën, duke thënë se Kievi po pengon dërgimin e furnizimeve në qytet.
Oleshky, në rajonin e Khersonit, kishte para luftës rreth 24.000 banorë, ndërsa sot atje jetojnë ende rreth 1.700 banorë, mes tyre 47 fëmijë, sipas Danielle Bell, kreut të Misionit Monitorues të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.