Kronika

Papërshtatshmëria, moda e fundit për të larguar oficerët e policisë

Nga Mariglen Mullai

Hamullisë së krijuar në radhët e Policisë së Shtetit, për sa u përket gradave, emërimeve apo largimeve i është shtuar edhe papërshtatshmëria, si term i ri, që po “hallakat” organizmat e huaj që monitorojnë strukturën e uniformave blu. Ndonëse formulimi “papërshtatshmëri” nuk ekziston në asnjë nga rreshtat e ligjit të vjetër dhe të ri “Për Policinë e Shtetit”, kohët e fundit kjo metodë ka nisur aplikimin. Lirimet me këtë motivacion kanë sjellë pakënaqësi, në radhë të parë mes strukturave të PAMECA-s apo ICITAP, të cilat prej vitesh ndihmojnë dhe mbikëqyrin policinë, por edhe ndër radhët e personave të prekur në këto raste. Këta të fundit, ose kanë bërë ankesa pranë komisioneve përkatëse në polici, ose kanë nisur procese gjyqësore. Kontrolli i brendshëm i policisë, përveç hetimit për gradat dhe emërimet në muajt e fundit, ka nisur gjithashtu edhe verifikimin për aplikimin e largimit të përkohshëm të oficerëve, me motivin e papërshtatshmërisë.

Papërshtatshmëria

Burime të sigurta të Policisë së Shtetit, të cilat e konfirmuan këtë lajm për gazetën “Shqip”, shtojnë gjithashtu se vetëm muajt e fundit, janë shënuar rreth 5 lirime të tilla, me motivacionin “për papërshtatshmëri”. Pra, ndonëse ligji i policisë parashikon lirimin ose përjashtimin për, paaftësi shëndetësore, shkurtim organik të vendit të punës etj., në asnjë pikë nuk përmendet fjala papërshtatshmëri. Për më tepër, abuzimi me këto lirime shtohet nëse merret parasysh fakti që pikërisht në postet ku funksionarët janë larguar për papërshtatshmëri, aty janë ulur persona që nuk përshtaten me këtë vend pune, për shkak të mungesës së arsimit përkatës, specializimeve apo eksperiencës në këtë detyrë. Një tjetër element që ka shkaktuar habi te ndërkombëtarët, përpos faktit të emërimeve të oficerëve që nuk plotësojnë kriteret, është edhe fakti që të larguarit janë lënë në dispozicion. Por abuzimi vazhdon me mohimin e pagesës gjatë kohës së dispozicionit. Në ligjin e policisë parashikohet që në rastin e ndërprerjes së përkohshme të marrëdhënieve të punës, oficeri trajtohet financiarisht, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për kthimin e tij në detyrë apo përjashtimin. Referuar të njëjtave burime të rezervuara nga Policia e Shtetit, një nga rastet e funksionarëve në dispozicion për papërshtatshmëri, shënohet në Policinë Shkencore, i cili përbën edhe precedentin tipik të abuzimit. PAMECA, ICITAP, SHÇBA etj., janë në dijeni të largimit për papërshtatshmëri të ish-shefit të Sektorit të Shkencave Ligjore dhe ardhjes në vend të tij të një oficeri me arsimim në profilin e shkencave sociale dhe eksperiencë në struktura operacionale. Ndërkaq, largime të ngjashme për papërshtatshmëri, po verifikohen edhe në sektorë të tjerë të policisë, si kufiri, apo edhe detyra të tjera. Ish-shefi i Shkencave Ligjore në Policinë Shkencore, një emër i përfolur si ekspert në procese gjyqësore me peshë edhe politike, u largua në shkurt dhe në fillim të majit fitoi procesin gjyqësor në Gjykatën e Tiranës. Vendi vakant për shumë muaj solli çorientim në punën e Laboratorit Kriminalistik, teksa edhe emërimi para një jave i një oficeri të përmendur nga një i akuzuar për vrasje të 4-fishtë, ka shtuar këtë pështjellim mes radhëve të policisë. Fakti që në vendin ku bëhen analizat që kërkojnë saktësi, specializim dhe eksperiencë, shefi i Shkencave Ligjore nuk ka arsimin, formimin apo eksperiencën përkatëse përbën sipas ekspertëve një precedent të palejuar, pasi pak kohë më parë nga ky laborator është larguar një oficer me arsimin dhe specializimet e duhura, si dhe me 23 vjet karrierë në ekspertiza dhe që ka mbajtur poste drejtuese. Tashmë ai jep mësim në Akademinë e Rendit.

Ligji i policisë

Sipas nenit 46 të ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit”, punonjësi i policisë ndërpret marrëdhëniet e punës kur lirohet ose përjashtohet nga policia kur a) mbush moshën për pension pleqërie, b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit, c) kërkon vetë të lirohet, shkurtohet funksioni në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë, d) konstatohet pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit, dh) vdes apo kur merr formë të prerë vendimi për shpalljen e zhdukjes ose të vdekjes së tij, e) humbet shtetësinë shqiptare dh) merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar. Më tej thuhet se nëse i shkurtohet funksioni organik në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë dhe nuk ka vend të lirë për gradën që mban, i ofrohet një funksion i një niveli më të ulët, duke ruajtur gradën për një periudhë deri në një vit. Edhe në ligjin e vjetër parashikohen pothuajse me saktësi të njëjtat kritere, por termi “papërshtatshmëri” nuk përmendet gjëkundi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button