Papunësia dhe mungesa e shpresës, “eksod” i ri kosovar drejt Perëndimit (Foto)
Kosova po përjeton një eksod të ri, jo si ai i vitit 1999, por që sërish është shqetësues. Me qindra qytetarë po largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, të një shprese më shumë në Perëndim.
Mbrëmjen e kaluar në stacionin e autobusëve në Prishtine ishin rreth 800 qytetarë që kishin prerë biletat për t’u larguar fillimisht në Serbi e më pas drejt vendeve të BE-së. Në një reportazh të televizionit francez, “France 3”, kushtet ku po qëndrojnë kosovarët që presin azil përshkruhen si të tmerrshme.
Eshtë një fermë në Francë, në Mulhouse, qytet në kufi me Zvicrën ku stallat e bagëtive janë kthyer në vendstrehim për qindra kosovarë, që po kërkojnë një jetë më të mirë. Ata janë të detyruar të flenë në të tilla ambiente prej afro një muaji, ndërsa rreth 150 persona çdo ditë i telefojnë numrit të emergjencës për të kërkuar ndihmë për gjendjen e tyre.
Arton Shala, azil kërkues nga Kosova i thotë televizionit se ka shpresa tek shoqatat që po u vijnë në ndihmë me ushqime se do tu gjejnë edhe një strehë. Ndërsa Edmond Hoxha tregon se për shkak të gjendjes së keqe ekonomike kanë braktisur gjithçka. “Do ta durojmë këtë situate sepse s’ka kthim mbrapa” shprehet ai.
Sipas televizionit është e pamundur që të gjithë azilkërkuesit të strehohen në shtëpitë e azilantëve, prandaj ata janë të detyruar të vetëushqehen dhe të jetojnë në stacione trenash e stalla bagëtish. Kosova është në një gjendje të vështirë ekonomike. Mbi 500 mijë qytetarë jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë. Papunësia është në nivel shumë të lartë, sidomos në radhët e të rinjve. Rreth 70% e të cilëve nuk e kanë një punë./Lapsi.al