Politika

“Paralizimi” i Gjykatës së Lartë, 6 anëtarë lanë detyrën, 3 u shkarkuan, 1 u dënua

Opozita joparlamentare akuzon prej disa muajsh shumicën qeverisëse se ka eliminuar Gjykatën e Lartë, duke pasjellë bllokimin e shqyrtimit të rreth 30 mijë dosjeve. Sipas propagandës së opozitës, asgjësimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese është pjesë e një skeme të qeverisë.

Po si qëndron e vërteta e bllokimit të Gjykatës së Lartë, e cila është në pamundësi për të marrë vendime, për shkak të mungesës së kuorumit për formuar kolegjet civile dhe penale?

E vërteta është se bllokimi i Gjykatës së Lartë, ashtu si boshatisja e Kushtetueses, është produkt i emërimeve politike, të pakualifikuara dhe të njëanshme në Gjykatën e Lartë nga Partia Demokratike, nga viti 2008 deri në vitin 2013 (pas vitit 2009 në bashkëpunim me Lëvizjen Socialiste për Integrim).

Shumica e gjyqtarëve të emëruar nga PD, fillimisht në koordinim me ish-presidentin Bamir Topi dhe më pas me Bujar Nishanin, lanë detyrën në Gjykatën e Lartë për t’i shpëtuar Vetingut, janë shkarkuar nga detyra nga komisionet e Vetingut për shkak të lidhjeve me krimin dhe mosjustifikimit të pasurisë ose janë dënuar për korrupsion, siç është rasti i Majlinda Andreas. Largimi i tyre ka sjellë bllokimin e Gjykatës së Lartë. Konkretisht, Gjykata e Lartë ka pasur 17 anëtarë.

Aktualisht, vetëm dy anëtarë të saj, Medi Bici dje Ardian Dvorani, kanë kaluar përfundimisht Vetingun. Fati i kryetarit Xhezair Zaganjori dhe anëtarit Edmond Islamaj do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ndërkaq, tre ish-anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë janë shkarkuar nga organet e Vetingut. Ish-anëtarja tjetër Majlinda Andrea, e emëruar gjithashtu nga PD, u dënuar për korrupsion. Por, goditjen më të rëndë Gjykata e Lartë e ka marrë nga një vendim i gjashtë anëtarëve, duke u vetëlarguar nga kjo gjykatë.

Vetëlargimet 
Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, u vetëlargua duke i shpëtuar Vetingut. Ajo është bashkëshortja e Neshat Fanës, i njohur si avokati i Sali Berishës. Vetë Neshat Fana ka drejtuar Shkollën e Magjistraturës nga korriku 2013 deri në tetor 2014. Pesë anëtarë të tjerë, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani u larguan gjithashtu në vitin 2017 nga Gjykata e Lartë, për shkak se u kishte mbaruar mandati. Por, pesë anëtarët kishin të drejtë të qëndronin në detyrë deri kur të zëvendësoheshin. Me ligjin nr. 151/2013, Kuvendi ndryshoi ligjin për Gjykatën e Lartë, duke parashikuar konkretisht “gjyqtari, të cilit i ka përfunduar mandati apo i ka mbaruar mandati, sipas shkronjës “c” të nenit 139 të Kushtetutës, vazhdon të ushtrojë detyrën deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës”. Në këto kushte, largimi i gjashtë anëtarëve duket i dyshimtë, ndërsa solli edhe paralizimin e Gjykatës së Lartë. Që të gjashtë anëtarët e sipërpërmendur janë emëruar nga Partia Demokratike.

Zgjidhja 
Kushtetuta e ndryshuar në korrik të 2016 ka ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Tashmë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Kandidatët propozohen nga KLGJ bazuar në kriteret dhe kushtet e parashikuara në ligj. Vendimi i kreut të shtetit për të rrëzuar një kandidat e humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.

Lista e anëtarëve të Gjykatës së Lartë që shkaktuan bllokimin e saj 

  1. Admir Thanza, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga komisionet e Vetingut për shkak të fshehjes së një dënimi në Itali për vjedhje, deklarimit të rremë dhe mosjustifikimit të pasurisë. Thanza është propozuar nga ish-presidenti Bujar Nishani, ndërsa është votuar nga PD-LSI më 03.05.2013 në Parlament, një muaj para zgjedhjeve parlamentare.
  2. Tom Ndreca, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga komisionet e Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe kontakteve me një person të inkriminuar. Ndreca është propozuar nga ish-presidenti Bujar Nishani, ndërsa është votuar në Parlament nga PD-LSI më 03.05.2013, një muaj para zgjedhjeve parlamentare.
  3. Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të disa problemeve me pasurinë. Broci është emëruar me votat e PD-LSI në 10.05.2013, me propozim të Bujar Nishanit.
  4. Majlinda Andrea, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dënuar nga vetë Gjykata e Lartë për korrupsion, e emëruar nga Partia Demokratike në datë 28.7.2008, me propozim të të ish-Presidentit Bamir Topi.
  5. Mirela Fana, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dorëhequr nga para Vetingut. Është emëruar në Gjykatën e Lartë nga Parlamenti, me votat e Partisë Demokratike, me vendim nr. 248, datë 23.4.2009, me propozim të ish-Presidentit Bamir Topi.
  6. Andi Çeliku, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
  7. Aleksandër Muskaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
  8. Evelina Qirjako, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
  9. Guxim Zenelaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.
  10. Arjana Fullani, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj. Është emëruar në 31.07.2008 nga PD, me propozim të Bamir Topit.

/Shqiptarja.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button