Paratë e Thesarit kërkohen në Itali, Greqi dhe Austri
Hetimet
Prokuroria ka gati tri letërporosi në shtetet që kanë vizituar të arrestuarit
Të dhëna
Ka rezultuar se punonjësit e Thesarit të Shtetit kanë lëvizur kryesisht në Greqi, Itali dhe Austri
Akuza dyshon se ata mund të kenë transferuar kesh miliona USD, për t’i depozituar në ndonjë bankë
Akuza – Verifikimet e lëvizjeve të parave kesh janë shumë të vështira për t’u hetuar, pasi nuk lënë asnjë gjurmë në sistem
Letërporosi – Për të faktuar këto dyshime, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka përpiluar edhe letërporositë në Austri, Greqi dhe Itali
Pasuria – Do t’u kërkohet këtyre shteteve që të faktojnë nëse të arrestuarit në Shqipëri apo familjarët e tyre, kanë llogari ose prona
Nga Sokol Çobo
Paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë mund të kenë përfunduar në tri shtete europiane: Itali, Greqi dhe Austri. Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se alibia e organizatorit të supergrabitjes katërvjeçare, Ardian Bitraj, sipas të cilit i ka harxhuar në kazino, nuk është e vërtetë dhe se ai ka bashkëpunuar me disa eprorë apo kolegë, për të transferuar jashtë vendit miliona USD. Deri më tani, prokuroria ende nuk ka dalë me ndonjë shifër të saktë të vjedhjes në Thesar, por vetë BSH-ja pretendon se është marrë një shumë prej 713 milionë lekësh. Akuza ka kërkuar më shumë prova për vjedhjen, si pamjet filmike, por ato ia kanë vështirësuar së tepërmi verifikimet, pasi grupi hetimor ende nuk ka filmimet ndër vite, por vetëm pamjet e kohëve të fundit. Burime nga akuza qendrore pohojnë se, megjithëse në këto filmime duket se Bitraj përvetëson para nga arka stok dhe arka në veprim, sërish nuk mund të saktësojnë vlerën e saktë të parave të vjedhura, ndërsa në një njoftim zyrtar deklaroi se janë vjedhur mbi 700 milionë lekë.
Hetimet pasurore
Hetimet njëmujore të Prokurorisë së Tiranës, krahas faktimit të veprave penale për secilin të pandehur, ku dhe janë prerë shumë fletarreste, po përqendrohen te hetimet pasurore. Fillimisht, akuza ka gjetur një kompani në emër të kunatit të Ardian Bitrajt, duke dyshuar se ajo ka kryer transaksione të dyshimta. Më vonë, për secilin të arrestuar, është kërkuar në sistemin TIMS për lëvizjet gjatë tri viteve të fundit. Ka rezultuar se punonjësit e Thesarit të Shtetit kanë lëvizur kryesisht në Itali, Greqi dhe Austri. Ka dyshime se ata mund të kenë transferuar kesh miliona USD, për t’i depozituar në ndonjë bankë, duke ditur se ndonjë transaksion i mundshëm mund të gjurmohej më pas. Lëvizjet e parave kesh janë shumë të vështira për t’u gjurmuar, ndërsa akuza ka dyshime se me këto para mund të jenë blerë edhe prona të patundshme. Por, për verifikimet e këtyre informacioneve duhen kohë dhe për këtë arsye, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka përpiluar edhe letërporositë përkatëse për këto shtete.
Verifikimet në Shqipëri
Megjithatë, burimet nga akuza qendrore pohojnë se, krahas letërporosive, hetimet po përqendrohen në Shqipëri, ku të arrestuarit apo familjarët e tyre, mund të kenë blerë prona të patundshme. Kontrollet e deritanishme në hipoteka, QKR apo banka të nivelit të dytë nuk kanë nxjerrë ndonjë pronë me vlerë të madhe, por vetëm apartamente apo ndonjë truall, që kurrsesi nuk justifikon supervjedhjen prej 713 milionë lekësh nga “kasaforta” e Bankës së Shqipërisë. Dyshimet më të mëdha po bien ndaj organizatorit Ardian Bitraj, i cili ka pranuar pa asnjë hezitim se ka kryer vjedhjen, por paratë i ka lënë në kazino. Të gjithë personat e tjerë, kanë mohuar të kenë bashkëpunuar me Bitrajn për përvetësimin e parave, ndërsa kanë dëshmuar se, vetëm mund të kenë neglizhuar në detyrë. Pranimi i fajit mund t’u dyfishonte masën e dënimit, pasi në këtë rast do të bëhej edhe një rikualifikim i veprave penale, ku nga shpërdorimi i detyrës, të shkonte në vjedhje apo grabitje bankash, dënimi i të cilave shkon mbi 10 vite burg.
Alibia e Bitrajt
Në fokus të hetuesve po qëndron ende alibia e Ardian Bitrajt, i cili, sipas informacioneve, është vetëdorëzuar në polici. Madje, mësohet se nuk ka qenë ndonjë audit i Bankës së Shqipërisë që ka faktuar vjedhjen, por vetë rrëfimi i Bitrajt. Informacionet e pakta nga grupi hetimor flasin se ai ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, madje një gjë e tillë shihet edhe në mosapelimin e masës së sigurisë. Megjithatë, akuza thotë se ai ka pohuar se paratë i ka lënë të gjitha në kazino. “Kemi shumë dyshime mbi këtë rrëfim të Bitrajt. Kemi kryer hetime me Agjencinë e Lojërave të Fatit, të cilat faktuan se një shumë prej 713 milionë lekësh nuk është luajtur në kazinotë apo lokalet e pikave të basteve në zonën ku dhe jeton Bitraj. Dyshimet më të mëdha janë se paratë janë transferuar jashtë vendit”, pohojnë burimet nga akuza.