Politika

Partitë politike asnjë lek nga shteti për këtë vit

Projektligji / Qeveria ngarkon Ministrinë e Financave dhe KQZ-në për nisjen e procedurave për shpërndarjen e 190 milionë lekëve

Nga Herion Mesi

Kryetari-i-Kuvendit-Ilir-Meta-dhe-Kryeministri-Edi-Rama-gjate-seances-se-pare-parlamentare-ne-hapje-te-Sesionit-te-Trete-te-Legjislatures-se-Tete_1Të gjitha partitë politike që arritën të merrnin më shumë se dhjetë mijë vota në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të vitit të kaluar, ende nuk kanë marrë asnjë lek nga shteti shqiptar për këtë vit. Kjo, për shkak se ligji i ri për partitë politike që u miratua 7 muaj më parë, ende nuk është zbatuar nga institucionet përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve për partitë politike. Për këtë arsye, qeveria ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj për rishikimin e ligjit të shkurtit, ku ngarkon Ministrinë e Financave dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zbatimin e skemës së re të financimit të partive politike që përfitojnë nga ndryshimi i ligjit në muajin shkurt 2014. Por, nga ana tjetër, në projektligjin e saj, qeveria saktëson se partitë politike do të përfitojnë nga fondi i partive vetëm për periudhën pas hyrjes në fuqi të ligjit të miratuar në shkurt 2014, dhe jo që nga 1 janari i këtij viti, siç është praktikuar në vitet e mëparshme. Ndërsa, për 3-mujorin e parë të vitit, partitë politike do të trajtohen nëpërmjet fondit publik, që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e 20 janarit të këtij viti, KQZ-ja do të miratonte vendimin për shpërndarjen e një fondi prej 190 milionë lekësh partive politike për vitin 2014, një fond ky që ende nuk është lëvruar nga partitë politike.

Relacioni

Në argumentimin e tij, ekzekutivi thekson se ligji aktual, edhe pse i rishikuar në fillim të këtij viti, nuk sanksionon mënyrën e veprimit kur ndihma financiare për partitë politike apo vetë formula ligjore e shpërndarjes së saj pëson ndryshime gjatë vitit dhe / ose vetë KQZ-ja është në pamundësi të marrjes së vendimit brenda vitit buxhetor. Konkretisht, qeveria i kërkon Ministrisë së Financave dhe KQZ-së se duhet të specifikohet se bëhet fjalë për të rishpërndarë vetëm një pjesë të fondit, më pak se një të pestën e financimit vjetor, duke garantuar kështu të drejtat ligjore të partive politike. “Kjo e drejtë është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme pranë Ministrisë së Financave nga partitë politike që përfitojnë prej ndryshimit të ligjit në muajin shkurt 2014”, thuhet në relacionin bashkëngjitur projektligjit në fjalë. Sipas Këshillit të Ministrave, një nga arsyet që ka ndikuar në propozimin e këtij projektligji lidhet me faktin se në ligjin aktual mungon një dispozitë kalimtare, që do të përcaktonte qartë se ligji nuk ka asnjë veprim prapaveprues. Pra, “që do të saktësonte se efektet financiare fillojnë nga hyrja në fuqi e ligjit dhe jo nga 1 janari i vitit 2014. Për këtë arsye, propozohet ky projektligj për të shtuar këtë dispozitë kalimtare sqaruese”, thekson Këshilli i Ministrave në relacionin e saj. Pra, propozimi i mësipërm, sipas ekzekutivit, vetëm konsolidon precedentët e deritanishëm. Në konkluzion, ekspertët e financave pranë Këshillit të Ministrave, gjykojnë se projektligji, si në formë e në përmbajtje, i plotëson kushtet e kërkuara nga nenet 81 dhe 83 të Kushtetutës, për më tepër ka “veprim të përkohshëm” dhe është i nevojshëm, sepse nuk ka asnjë mjet tjetër për të zhbllokuar këtë situatë të rëndë brenda vitit buxhetor. Në të kundërt, thekson qeveria, do të krijoheshin konflikte të panevojshme e bllokime të pamotivuara të të drejtave ligjore të partive politike.

Ligji për partitë

Ndryshimet në ligjin për partitë politike do të ktheheshin në një “mollë sherri” mes aleatëve të vegjël në koalicionin opozitar, Nard Ndokës së PDK-së dhe Fatmir Mediut të PR-së gjatë muajve të parë të vitit. Deputetët nismëtarë të këtij ligji, si: Nard Ndoka, Taulant Balla, Vangjel Dule, Petrit Vasili, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri, i propozuan Kuvendit një projektligj të ri, i cili u jep më shumë privilegje partive të vogla, që nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë mandat deputeti, por që kanë marrë një përqindje të caktuar votash të vlefshme që të përfitojnë një shumë nga buxheti i shtetit. Pikërisht, edhe ndryshimi i ri ka ulur numrin e nevojshëm të votave që i duhen një partie të vogël për të marrë nga buxheti i shtetit, dhe më konkretisht ata kërkuan që ky numër të jetë me 10 mijë vota dhe jo 1 për qind të votave në rang vend. “Në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 ‘Për partitë politike’, të ndryshuar, bëhet shtesa si më poshtë: Neni 1. Në nenin 19, shkronja ‘b’, rreshti i dytë, pas fjalëve ‘partive parlamentare’ shtohet togfjalëshi ‘dhe partive që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare’. Neni 2. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtar”, thuhet në draftin e miratuar në shkurt nga Kuvendi i Shqipërisë. Në argumentimin e tyre, deputetët propozues theksonin se me ndryshimin e sistemit zgjedhor të aplikuar në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013, lind nevoja e ndryshimit të këtyre kritereve në funksion të sistemit të ri, i cili bazohet në sistemin proporcional rajonal. “Në shpërndarjen e fondeve për partitë politike, aktualisht, 90% e tyre bëhet në bazë të të qenët parti parlamentare, pra pasjes së të paktën të një mandati në Kuvend. Me vendosjen e sistemit të ri, proporcionalit rajonal, ky kriter nuk përputhet më plotësisht me peshën elektorale të partive dhe si pasojë krijon një disbalancim të pajustifikuar në shpërndarjen e fondeve financiare për partitë politike”, argumentuan ligjvënësit. Dhe pikërisht ky ndryshim i propozuar nga grupi i deputetëve e rregullonte këtë anomali, duke ruajtur edhe financimin sipas mandateve, që mbetet parësor, ku 70 për qind e financimit ndahet sipas këtij kriteri, por forcon edhe përfaqësimin sipas votës së marrë. Pragu 10 mijë vota është zgjedhur sipas logjikës se kaq është, afërsisht, numri i votave për të fituar një mandat, pra partitë me mbi 10 mijë vota kanë kontribuar qartazi në fitimin e të paktën një mandati prej koalicionit përbërës.

Mënyra e shpërndarjes së fondit

Ky fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme:

  1. a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor;

  1. b) 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare;
  2. c) 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi, ose 10 mijë vota.

Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.

Partitë përfituese nga fondi prej 190 milionë lekësh

1- Partia Socialiste e Shqipërisë merr 75 938 521 lekë

2- Partia Demokratike merr 59 441 771 lekë

3- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim merr 22 837 891 lekë

4- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet merr 9 779 951 lekë

5- Partia Republikane e Shqipërisë merr 8 893 981 lekë

6- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut merr 6 392 441 lekë

7- Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë merr 6 392 441 lekë

8- Partia Fryma e Re Demokratike merr 323 000 lekë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button