Partneriteti publik-privat, Ekonomi: Gjenerator i zhvillimit të vendit
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi deklaroi se partneriteti publik-privat është konsideruar nga qeveria shqiptare si gjenerator i zhvillimit të vendit. Deklarata e ministres Ekonomi u bë gjatë punimeve të konferencës “Partneriteti Publik-Privat”, që po mbahet në Tiranë me mbështetjen e USAID-it, ku të pranishëm janë edhe ministri i Financave Ahmetaj e Drejtori i USAID/Albania Marcus Johnson .
“Qeveria shqiptare e ka konsideruar gjithmonë formën e bashkëpunimit me sektorin privat, si një gjenerator të zhvillimit ekonomik të vendit dhe nëpërmjet realizimit të projekteve të PPP në sektorin publik është synuar të përmirësohet infrastruktura, të jepen shërbime më cilësore me kosto më të ulët, si dhe të menaxhohen më mirë financat publike duke shmangur një pjesë të riskut dhe duke transferuar atë tek privati”, tha Ekonomi.
MZHETTS, në bashkëpunim me partnerë kanë përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme kuadrin ligjor në fushën e koncesioneve dhe partneritetit publik privat duke synuar të krijojë një mjedis sa më të qëndrueshëm e sa më transparent e duke i dhënë një formë më dinamike këtij partneriteti. “Ne duhet të mbajmë parasysh që ka nevojë për të dhënë më shumë gjallëri e dinamizuar sektorë që janë kyç në ekonominë e vendit, duke përdorur mundësinë që ne të mund të shtojmë produktivitetin dhe ta rrisim atë në këta sektorë, siç është ai i energjisë, bujqësisë dhe shërbimeve publike”, shtoi ministrja e Ekonomisë. Më tej, ajo bëri të ditur se ndryshimet në kuadrin ligjor dhanë një stimul shumë të madh në fushën e bujqësisë. Përmes ndryshimeve vendosëm që në kërkesat që kishte ky sektor të shtoheshin edhe investimet nga sektori privat.
“Në sektorin e bujqësisë ne jemi një vend me produktivitet të ulët në Evropë, prandaj nxitja e këtij sektori me investime të kësaj forme padyshim merr një rëndësi të veçantë”, deklaroi Ekonomi.
Duke folur më tej për lehtësimin e procedurave, Ekonomi tha se është sanksionuar që të gjtha procedurat që vihen në dispozicion të kryhen nga një komision i vetëm. Sipas saj, shkurtimi i afateve dhe lehtësimi i procedurave të PPP-së do të ndikojë pozitivisht në rritjen e përgjegjësisë së sektorit privat dhe shpërndarjen e të mirave publike në ndihmë të zhvillimit të vendit e mirëqënies së qytetarëve.
“Promovimi i zhvillimit të ekonomisë kombëtare dhe rritja e punësimit përmes investimeve private janë padyshim prioriteti i qevrisë shqiptare sot. Për këtë arsye, përmirësimi i kuadrit ligjor drejt lehtësimit të procedurave dhe standardizimit sipas praktikave më të mira evropiane, shënon rritje të bashkëpunimit me sipërmarrjen private në funksion të rritjes së shërbimeve publike”, shtoi ajo.
Ekonomi foli edhe për vendimin e qeverisë, në mars të këtij viti, për krijimin e regjistrit të koncesioneve në vend. “Ky regjistër do të jetë publik, i aksesueshëm nga të gjithë personat e do të mbajë informacione mbi kontratat e koncesioneve të nënshkruara në vend. Regjistri është në proces ngritjeje. Është i nevojshëm, pasi ka munguar informacioni për të parë ecurinë e këtyre kontratave dhe për të parë gjithashtu edhe dinamikën që kanë pasur këto kontrata të lidhura në vite në realizimin e tyre financiar dhe si nxitës punësimi”, deklaroi Ekonomi.
Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj vuri theksin në faktin se një nga elementët kryesor është zgjerimi i mundësisë për investime nga sipërmarrja private, në ato shërbime apo të drejta që shteti gëzon si sovran. “Përmes PPP-së përfitohet një shkallë e re e cilësisë dhe sasisë”, deklaroi ai, duke shtuar se buxheti i shtetit nuk i ka të gjitha mundësitë për të bërë investimet që do. Por shtoi ai, nuk e ka as diturinë e mjaftueshme për të bërë atë që privati e bën më mirë.
Pushteti vendor, sipas Ahmetaj, mund të bëjë mbi të njëjtat parime si ai qendror një PPP apo koncesion. Deri dje, tha ai, përcillej një ofertë e pa kërkuar me 2 letra. Ndryshimi i ligjit e detyron subjektin privat që do të bëjë një ofertë të pakërkuar për një PPP, të ketë një studim fizibiliteti të avancuar në mënyrë që t’i lihet të gjykojë administrata vendore apo qendrore për ofertën. Si shërbime që mund të përmirësohen përmes PPP-së në pushtetin vendor Ahmetaj renditi atë të ndriçimit si dhe menaxhimin e plazheve.
Administrata vendore, sipas tij, duhet të kalojë në një nivel pro aktiv e të pranojnë edhe një element tjetër, atë që nuk kemi kapacitetet e duhura te vendori të bëjmë oferta të kërkuara e dinjitoze që të konkurrojmë ofertat e pakërkuara nga privati. “Ndaj, ne futëm në ligj kërkesën e studimit të fizibilitetit të avancuar”, deklaroi Ahmetaj. Ministri informoi se pak ditë më parë pranë MF-së është krijuar edhe njësia e riskut nga koncesionet. Detyra e vetme, sipas tij, është të analizojë në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë një partneritet publik- privat.
Drejtori i USAID/Albania, Marcus Johnson siguroi për mbështetjen e vazhdueshme për realizimin e programeve që kanë të bëjnë me shërbimet ndaj qytetarëve. Angazhimi përmes PPP-ve, tha Johnson, do të jetë në përfitim të qeverisë shqiptare, po mbi të gjitha shërben për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Përfaqësuesi i USAID-it theksoi rëndësinë e sigurimit të një transparence të nivelit të lartë. Dhe kjo sipas tij, është shumë e rëndësishme mbi të gjtha për besimin që do të krijohet .”E rëndësishme është që të krijohet një partneritet transparent dhe i besueshëm në Shqipëri, kjo mbi të gjitha për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Johnson.
USAID dhe Assist Impact kanë mbështetur “studimet e bëshmërisë” për 6 partneritete të mundshme publik-privat (PPP) në fusha të ndryshme si: parkimi publik, menaxhimi i mbetjeve, ndriçimi publik dhe menaxhimi i plazheve.