Pas Alepos
Nga Kristofer HILL
Rënia e Alepos do ta fiksojë rolin e Sirisë në histori si një “problem tjetër nga ferri.” Dhe, si konflike të tjera rajonale prej ferri, të tilla si Bosnja dhe Ruanda, historianët e ardhshëm do të theksojnë tiparin kryesor të konfliktit të Sirisë: dështimeve spektakolare diplomatike që sollën përshkallëzimin e këtij konflikti.
Fundi i luftimeve në Alepo nuk do t’i japë fund luftës në Siri, pavarësisht armëpushimit në të gjithë vendin për të cilin sapo është rënë dakord. Ajo nuk do t’i lehtësojë vuajtjet e popullsisë së qytetit, shumica e të cilës është zhvendosur. Ajo që do të bëjë rrethimi i Alepos është që do ta fiksojë rolin e Sirisë në histori të tillë si, për të huazuar një shprehje nga ish-Sekretari i Shtetit të SHBA-ve Warren Christopher, një “problem tjetër nga ferri.” Dhe, njësoj si konflikte të tilla të tmerrshme rajonale, të tilla si ai në Bosnjë (të cilit iu referua shprehja e Christopher) dhe Ruandës, historianët e së ardhmes do të theksojnë tiparin thelbësor të konfliktit të Sirisë: dështimit spektakolar të diplomacisë që solli përshkallëzimin e konfliktit.
Diplomacia e mirë fillon me një analizë të hollësishme të interesave, si të vendit në diskutim ashtu edhe të fuqive të caktuara të huaja. Ajo kërkon një vlerësim të kujdesshëm të asaj se si këto interesa do të ndikojnë mbi rendin rajonal dhe ndërkombëtar. Dhe diplomacia e mirë gjithmonë kërkon fuqizimin e kapacitetit të fuqive rajonale apo botërore në ndihmë të zgjidhjes së problemeve.
Përmes këtij procesi, vlerat e përbashkëta të botës dhe të përforcuara në vijimësi – të cilat kanë rëndësi kritike në uljen e aktorëve shumë të ndryshëm në një tryezë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave – mund të japin edhe orientimin moral dhe bazën e përbashkët për zgjidhje. Çelësi është të sigurohemi që vlerat nuk bëhen armë, të përdorura nga një aktor kundër një tjetri në mënyrë që pikërisht vlerat të bëhen shkas për përshkallëzimin e tensionit dhe minimin e zgjidhjeve.
Mendoni luftën e Bosnjës të viteve 1990 – rezultat i një pune të papërfunduar nga shpërbërja e perandorive Austriake dhe Osmane dhe krijimit të shteteve kombe më herët në shekullin e njëzet.
Konflikti shpërtheu menjëherë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, në një çast kur një numër parimesh ndërkombëtare organizimi ranë në kolaps ndërkohë që disa të tjera nuk qenë krijuar ende. Pjesërisht pasojë e kësaj, konflikti u karakterizua nga një kasaphanë civilësh në shkallë të gjerë dhe dhunime të të drejtave të njeriut.
Por, si test për rendin e ri botëror, Lufta e Bonjës përfundoi duke katalizuar ndryshime në strukturën institucionale të bashkësisë ndërkombëtare (përfshirë themelimin e gjykatave të krimeve të luftës). A mundet që një sistem i sapokrijuar i botës pas Luftës së Ftohtë të jetë në gjendje të zgjidhë problemet e ish-Bashkimit Sovjetik? A mundet që NATO të marrë role dhe misione të reja? A mundet që Perëndimi të punojë me Federatën Ruse? A mundet që marrdhënia trans-atlantike të përballojë stuhinë?
Përgjigjja për të gjitha këto pyetje rezultoi po. Për rrjedhojë, megjithëse rajoni vijon të përballet me probleme serioze, portat e ferrit kanë mbetur të mbyllura – siç ndodhi edhe në rastin e Ruandës. Dhe megjithatë, njëzet vjet më pas, duket se kujtesa e përbashkët e botës se si mund të bashkëpunohet, ka dështuar.
Që të jemi të sigurtë, nuk ka pasur kurrë një shteg të qartë drejt paqes në Siri. Presidenti Bashar al-Assad, forcat e të cilit tashmë kontrollojnë të gjithë Alepon për herë të parë që nga viti 2012, është një diktator brutal që ka bërë luftë kundër popullit të vet, përfshirë civilët, e madje ka përdorur edhe armët kimike. Joshja nga ideja e kërkimit të ndryshimit të regjimit – një objektiv i përqafuar nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende Europiane – është e kuptueshme.
Megjithatë, duke demonstruar një diplomaci jashtëzakonisht të paaftë, ShBA vendosi të synojë për këtë objektiv pa bërë përpjekje serioze për të fituar mbështetje ndërkombëtare, e madje pa marrë parasysh opinionet apo interesat e të tjerëve. Dhe nuk duhet të gabohemi: ka shumë opinione dhe interesa (shpesh konfliktuale). Në fund të fundit, Siria është e vendosur në mënyrë strategjike në Mesdhe; ndaj kufirin me Izraelin, Jordaninë, Turqinë dhe Irakun; dhe, njësoj si Iraku, ka edhe minorancën e vet kryengritëse kurde. Nuk është lloji i vendit ndaj të cilit fuqitë botërore apo rajonale mund të qëndrojnë indiferente.
Në fakt, fuqine Perëndimore bënë thirrje për ndryshim të regjimit ndërkohë që aktorë të tjerë – përfshirë Rusinë, Iranin dhe interesat shia në Libanin fqinj – kundërshtuan. Pavarësisht kësaj, SHBA-të ndoqën axhendën e vet të formuluar keq, duke furnizuar armë për palë luftuese praktikisht të panjohur në terren para se të përcaktonin se cilët do të mbështeteshin e cilët jo. Kjo i dha aleatëne të regjimit të Assad të gjithë justifikimin për të cilin kishin nevojë për të bërë furnizimet e tyre me armë.
Disa argumentojnë se, nëse SHBA do të kishte dhënë armë më herët, Asadi nuk do të kishte pasur kohë që të mblidhte mbështetje për të mbajtur pushtetin. Por ky supozim neglizhon rëndësinë strategjike të Sirisë për kaq shumë fuqi të huaja, si dhe fragmentarizmin e paparashikueshmërinë e luftërarëve me bazë në SHBA.
Gabimi i vërtetë i Amerikës qe te dështimi për të ndërvepruar me të gjitha palët, përfshirë Assadin dhe opozinës suni, të cilën ajo e konsideroi sektare. (Gjatë Luftës së Bosnjës, përkundrazi, SHBA foli edhe me sundimtarin e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, Sllobodan Millosheviç.) Me këtë përqasje mendjengushtë – reflektuar në mungesën e çdo vizioni të qartë për një Siri të pasluftës, – SHBA efektivisht ia dorëzoi fushën e diplomacisë, Rusisë.
Tani, SHBA në thelb po luan rolin e agjituesit, duke ofruar pak më shumë se sa shpalosje të zemërimit moral dhe referenca bajate për procesin e Gjenevës, i cili pati vdekur që në lindje. Duke reaguar ndaj kasaphanës në Alepo, Samantha Poëer, ambasadorja e SHBA-së në KOmbet e Bashkuara, mbërriti në pikën kur pyeti aleatin rus të Assadit: “A mos jeni të paaftë për t’u turpëruar?” Ndërkohë, konflikti vijon, me pasoja të konsiderueshme për aleatë të SHBA-së në Bashkimin Europian.
Sa për Rusinë, edhe ajo po ndjek një variant diplomacie që nuk ka në thelb gjithëpërfshirjen. Ajo po punon me Turqinë (një aleat të NATO-s që duket gjithnjë e më shumë i humbur në det) për të sjellë opozitën e Sirisë dhe përfaqësues të qeverisë së Assad bashkarisht në Kazakistan për një seri të re bisedimesh për paqe, të lehtësuara nga një armëpushim, për të cilin Rusia dhe Turqia janë garantues. Irani do të jetë atje. Po ku janë shtetet arabe suni? Dhe më e rëndësishmja, ku është SHBA?
Është vërejtur shpesh se, çdo katër vjet, SHA punon pa një politikë të jashtme. Këtë herë, kjo duket se ka nisur tepër herët.