Pas dy javësh ndryshojnë çmimet e sigurimit të makinave
Bonus-Malus
Si funksionon formula e re. Më 22 gusht vendoset sistemi i ri. Tarifat, në bazë të historikut të dëmeve
Nga Zamir Alushi
Ka filluar testimi i sistemit të individualizuar të sigurimit të detyrueshëm Bonus Malus dhe më 22 gusht 2014 do të bëhet funksional për tregun. Lajmi bëhet i ditur nga Autoriteti i Konkurrencës (AK), i cili sapo ka mbyllur procedurën e hetimit mbi tregun e sigurimeve. Sipas AK-së, sistemi Bonus Malus do të liberalizojë tarifat, por edhe do të nxisë konkurrencën në pagesën e dëmit. Kjo do të thotë se pagesa e dëmit do të bëhet nga kompania siguruese sipas riskut të blerë.
Hetimi
Në mbledhjen e tij të datës 30.07.2014, AK-ja shqyrtoi raportin e hetimit të thelluar në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta dhe pretendimet e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e sigurimeve të paraqitura në seancat dëgjimore të datave 22 dhe 23 korrik 2014 dhe të depozituara me shkrim pranë AK-së. Pas monitorimit dhe hetimit paraprak, komisioni, me anë të vendimit të datës 31 mars 2014, kishte vendosur për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj 9 ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë treg. Për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin, sipas AK-së, janë kryer inspektime pranë kompanive nën hetim dhe janë administruar informacione nga të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe agjentet e tyre, Star Broker dhe broker të tjerë të licencuar, nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve (BSSH), si dhe AMF në cilësinë e autoritetit rregullator të tregut. Nga procedurat hetimore rezultoi se sjellja e operatorëve, gjatë periudhës objekt hetimi, bie në kundërshtim me principet e konkurrencës të lirë dhe efektive në treg, sepse përcaktimi i tarifave të sigurimit dhe pjesëve të tregut duhet të bëhet në mënyrë individuale dhe të pavarur mes ndërmarrjeve objekt hetimi. Shoqëritë e sigurimit në përgjithësi, sipas AK-së,angazhohen se pagesa e dëmeve do të bëhet sipas shoqërive ku është siguruar mjeti motorik, duke nxitur konkurrencën jo vetëm te tarifa e ofruar, por edhe mbi pagesën e dëmeve për produktin e siguruar, që është edhe qëllimi kryesor i çdo blerjeje të riskut nga shoqëria e sigurimit tek i siguruari.
Detyrimet e vendosura nga AK
Komisioni i Konkurrencës gjykon se mungon konkurrenca në treg. Kompanitë rrisin në masë të njëjtë dhe fiksojnë për një periudhë treditore primet e shitjes së produktit MTPL, si dhe përdorin sistemin e shitjeve të përqendruara nëpërmjet Star Broker për të ruajtur pjesët e tregut. Bazuar në nenin 45/2 të ligjit të sigurimeve, AK kërkon nga shoqëritë e sigurimit të përmbushin brenda 90 ditëve nga marrja e këtij vendimi kushtet dhe detyrimet si vijon: a) vënien në funksionim të programit Bonus-Malus për sistemin e individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bazuar në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes; b) ofrimi i shoqërisë së sigurimit sipas kërkesës së të siguruarit. Në sistemin e ofruar nga shoqëritë e brokerimit dhe agjentët e shoqërive të sigurimit duhet të shfaqen në kohë reale logot e të gjitha shoqërive të sigurimit me të cilat agjenti ose brokeri kanë marrëveshje për tregtimin e policës së sigurimit të detyrueshëm motorik; c) të zbatojnë parashikimin ligjor për pagesën e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë; d) të lidhin marrëveshje me më shumë se një shoqëri brokerimi sipas kritereve të parashikuara nga AMF-ja lidhur me sistemin online të sigurimeve të detyrueshme dhe sistemin bankar për pagesat sipas legjislacionit në fuqi; e) shtypja dhe tregtimi i policave të sigurimit me logon e secilës ndërmarrje; AK-ja thekson se mospërmbushja e këtyre kushteve dhe detyrimeve do të sjellë si pasojë vendosjen e masës së gjobës për shkelje të rënda deri në 10 për qind të xhiros.
Çfarë është Bonus-Malus
Sistemi Bonus-Malus aplikohet në shumicën e vendeve që e kanë të liberalizuar tregun e sigurimeve dhe ka në princip tarimin sipas historisë së dëmeve. Në Kosovë, ky sistem funksionon qysh nga mesi i vitit 2013. Në Shqipëri, zbatimi i tij është vonuar nga burokracia ose nga korrupsioni. Edhe pas vënies në punë të Bonos-Malus pritet që të ketë paqartësi dhe kalkulime në kurriz të konsumatorëve. Pika e parë, për të cilën nuk është bërë transparencë, është afati, pra sa e gjatë është periudha e historikut që do të merret për bazë. Për shembull, në Kosovë kjo periudhë është vetëm 1 vit. Ndërsa në Shqipëri kërkohet të futet e gjithë jeta e drejtuesit të mjetit, pra të gjitha dëmet që ai mund të ketë bërë edhe para 20 viteve kur ka qenë shofer i ri. Nga të dhënat e siguruara pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ky sistem i ri do të përfshijë: vendndodhjen e mjetit që sigurohet, llojin e mjetit ose fuqinë e tij motorike, moshën dhe gjininë e drejtuesit të automjetit, si dhe sistemin Bonos-Malus (zbritje ose rritje tarife në bazë të dëmeve që ka shkaktuar ose jo në të shkuarën). Kompanitë e sigurimit kanë lobuar dhe kanë arritur të fusin faktorë të tillë si, vendi ku është i regjistruar mjeti, gjininë apo moshën, në mënyrë që të shtojnë arsyet për çmime më të larta të policës së sigurimit. Ndërkaq, nuk flitet asgjë për pikët e patentës, e cila mund të flasë më tepër sesa pikat e diskutueshme, si p.sh. prirja më e madhe për aksidente te meshkujt sesa te femrat. Sistemi i ri i kushton vëmendje të veçantë vendndodhjes së mjetit, që do të thotë se në qytetet me frekuencë më të shpeshtë aksidentesh është normale që shoferët të paguajnë më shumë për t’u siguruar. Një element tjetër i rëndësishëm për llogaritjen e primeve të sigurimit TPL është edhe fuqia motorike. Duke u mbështetur në statistika, rreth 2/3 e mjeteve që qarkullojnë në vend janë të mëdha me kapacitet mbi 1600cc dhe shkaktojnë frekuencë të aksidenteve të kushtueshme, pra për ta do të aplikohen çmime më të larta sigurimi. Por, faktori më i rëndësishëm në llogaritjen me bazë risku të primeve të sigurimit TPL është principi Bonus-Malus, ose historiku i dëmeve ku drejtuesi i mjetit, i cili është fajtor, do të penalizohet duke iu rritur çmimi i sigurimit në vitin pasardhës dhe anasjelltas, do t’i ulet nëse nuk ka qenë shkaktar aksidentesh. Një aspekt tjetër për të cilin publiku duhet të njihet, është shkalla e llogaritjes së Bonusit dhe Malusit. Në Kosovë, Malusi shkon deri në 250% shtesë nga baza e sigurimit, ndërsa bonusi deri në 100% zbritje nga çmimi bazë.
Bonus-Malus kërkohet nga FMN dhe BB
FMN-ja dhe BB-ja, duke parë treguesit e dobët të tregut të sigurimeve në Shqipëri, vendosën që të ndihmojnë në liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik. Projekti i financuar nga BB-ja dhe i zbatuar nga AMF-ja, prezanton mundësitë për një tarifim me bazë riskun. AMF-ja, që prej shtatorit të vitit 2011 ka filluar këtë projekt, i cili tashmë është në fazën përmbyllëse. Sipas burimeve nga AMF-ja, aktualisht po punohet për implementimin e sistemit Bonus-Malus. Sfida është lidhja e disa institucioneve online. Për shkak të detyrimeve ligjore, kjo ndërlidhje do të kryhet përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. AMF-ja ka gati tashmë bazën e të dhënave, të cilën e ka regjistruar tek AKSHI, ku është regjistruar dhe aprovuar. Me shoqëritë e sigurimit është punuar për përmirësimin e cilësisë së të dhënave të regjistrit të policave dhe regjistrin e dëmeve. Në regjistrin e policave raportohen shitjet nga të gjitha agjencitë e shoqërive të sigurimit. Për sistemin Bonus-Malus bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Lidhja me gjendjen civile bëhet nëpërmjet një portali të njehsuar në kuadër të AKSHI-t.