Pas të 50-ave, një pikë kthese: më shumë liri dhe vetëdije për jetën
– Mosha 50-vjeçare mund të shënojë një pikë kthese në jetën e shumë njerëzve, duke sjellë një periudhë në të cilën dëshirat personale marrin më shumë rëndësi se pritshmëritë e të tjerëve, shkruan salute eu
Në këtë fazë, sipas mental coach-it Alessandra Bitelli, fokusi nuk është më te dëshira për t’u pëlqyer apo për t’u provuar të tjerëve diçka, por te identifikimi i asaj që vërtet dëshirojmë të mbajmë dhe asaj që duhet të lëmë pas.
Me kalimin e viteve, përvojat, gabimet dhe zhgënjimet ndihmojnë njerëzit të dallojnë më mirë situatat dhe marrëdhëniet që u harxhojnë energjinë nga ato që u japin forcë.
Në rini, zgjedhjet shpesh ndikohen nga dëshirat e të tjerëve, ndërsa më vonë përgjegjësitë familjare dhe profesionale mund të bëjnë që aspiratat personale të shtyhen.
Pas të 50-ave, për shumë njerëz shfaqet mundësia për të ndryshuar drejtim: të ndërrojnë punë, të largohen nga marrëdhënie që nuk u bëjnë më mirë, të mësojnë diçka të re apo të rikthejnë pasionet e lëna pezull.
Të çlirohesh nga gjykimi i të tjerëve
Sipas Bitellit, një hap i rëndësishëm është të mos jetojmë më nën peshën e gjykimit të të tjerëve.
Për këtë, mund të ndihmojnë katër pyetje: Çfarë mund të lë pas pa u penduar? Ku po investoj energji pa marrë asgjë në këmbim?
Cila zgjedhje do të më bënte të ndihesha më në përputhje me veten? Çfarë dua të filloj të bëj për veten time në muajt e ardhshëm?
Të heqësh dorë nga diçka që nuk sjell më qetësi nuk do të thotë domosdoshmërisht dështim, por mund të jetë një mënyrë për t’i krijuar hapësirë një faze të re të jetës.
Aktiviteti fizik lidhet me më shumë lumturi
Një studim i kryer në Tajvan me 2.345 të rritur të shëndetshëm gjeti se personat me nivele të moderuara ose të larta të aktivitetit fizik kishin kënaqësi dhe lumturi më të madhe në jetë krahasuar me ata me aktivitet të ulët.
Studimi përfshiu të rinj, persona të moshës së mesme dhe të moshuar.
Aktiviteti fizik ndihmon jo vetëm në kontrollin e peshës dhe përmirësimin e funksionit fizik, por lidhet edhe me përmirësimin e mirëqenies psikologjike.
Sipas studimit, kënaqësia dhe lumturia në jetë rriteshin gjithashtu me moshën.
Më shumë ndërgjegjësim, jo vetëm më pak stres
Ndërsa stresi është një faktor i rëndësishëm në shëndet, tek perceptimi i kënaqësisë nga jeta ndikimi i tij mund të jetë më kompleks.
Për këtë arsye, një rol të rëndësishëm mund të ketë ndërgjegjësimi për nevojat personale dhe për mënyrën se si duam të jetojmë.
Pas të 50-ave, pra, jeta mund të mos jetë një fazë mbylljeje, por një mundësi për të zgjedhur më me vetëdije, për të rikthyer pasionet dhe për t’i dhënë më shumë rëndësi mirëqenies personale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.