Pashko Vasa, figurë e spikatur e letërsisë dhe mendimit politik të Rilindjes Kombëtare
Më 17 shtator 1825, në Shkodër, lindi Pashko Vasa, figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poet, atdhetar dhe nëpunës i lartë.
Pashko Vasa ishte ndër organizatorët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit më 1878, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, të ngritur në Stamboll (1877), dhe një nga themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip më 1879.
I ditur dhe autodidakt, me një formim të gjerë kulturor dhe një përvojë të gjatë në administratën dhe diplomacinë osmane, ai ndërtoi një karrierë të suksesshme në Itali, Londër dhe Stamboll, duke e vënë dijen dhe përvojën e tij në funksion të çështjes kombëtare shqiptare.
Në Perandorinë Osmane, ai mori titullin “pasha” dhe, në vitin 1883, u emërua Guvernator i Përgjithshëm i Libanit, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës.
Në letërsi, Pashko Vasa la një trashëgimi të çmuar, ku vepra e tij më e njohur mbetet poezia “Moj Shqypni”, shkruar rreth viteve 1880. Së bashku me prozën historike “Shqypnia dhe shqyptart” (1879), ajo përbën një nga dëshmitë më të rëndësishme të mendimit të tij atdhetar. “Moj Shqypni” u kthye në një kushtrim për bashkimin e shqiptarëve dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare.
Pashko Vasa u nda nga jeta më 29 qershor 1892, në Bejrut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.