Paskali: Brenda vitit tek AIDA, sektor i posaçëm për sipërmarrjen femërore
“Brenda këtij viti, pranë AIDA-s do të krijohet një sektor i vetëm për gratë sipërmarrëse për informim dhe mbështetje të nismave të tyre”, tha sot zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, e pranishme në Konferencën “Rritja e Aksesit në financa- instrumentat financiarë të PRODAPS në mbështetje të Grave Sipërmarrëse”, si pjesë e Plan-Veprimit të Gruas Sipërmarrëse, që zhvilloi sot punimet në Tiranë.
Paskali bëri të njohur për pjesëmarrësit hapat që po ndërmerr qeveria për rritjen e biznesit femëror në Shqipëri përmes lehtësirave për gratë sipërmarrëse.
Kino Buxheli, drejtori i programit italo-shqiptar për SME-të, një program që ka shumë vjet që është çelur në Shqipëri, tha mes të tjerave se edhe për sipërmarrjen femërore programi përfshin tre komponentë: linjat e kredisë, fond garancie dhe asistencë teknike.
Projekti për SME-të i nisur që në 2009 ka bërë përfitues 98 biznese me disbursimin e 21,9 milionë euro. “Nga këto projekte, 14 i kanë përfituar sipërmarrjet femërore”, tha Buxheli, sipas të cilit janë hapur 1452 vende të reja pune.
Sektorët kryesorë përfitues janë agrikulturë, prodhim natyror, mjedis, teknologji dhe informacion. Financimi i projekteve kalohet nëpërmjet 8 bankave partnere.
Në konferencën e organizuar në bashkëpunim me Cooperazione Italiana dhe UN Women u bë një prezantim i mundësive financiare për gratë sipërmarrëse në Shqipëri, ku diskutuan përfaqësues nga UN Women, nga shoqatat e grave sipërmarrëse dhe institucione të tjera shtetërore.
Plot 28,5 % e ndërmarrjeve aktive gjithsej kanë pronare/ dhe administratore femra, shumica në fushën e tregtisë. INSTAT përcakton këtë fushë si kryesoren pasi shënon pjesëmarrjen më të lartë të ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra dhe krahasuar me meshkujt, rezulton se femrat zotërojnë apo drejtojnë 34,2 % të totalit të ndërmarrjeve aktive në tregti.
Gjithashtu 47,9 % e ndërmarrjeve të menaxhuara nga femrat kanë aktivitetit ekonomik “Tregti”. Sipas statistikave të Regjistrit të ndërmarrjeve për vitin 2014 botuar së fundi nga INSTAT, rezulton se vetëm 16,1 % e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar zotërohen apo menaxhohen nga femrat.
Qarku i Tiranës kryeson në përqindjen më të madhe për këtë grup ndërmarrjesh, që zënë 47,5 % e ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra. Femrat zotërojnë më pak drejtimin dhe pronësinë e ndërmarrjeve aktive në qarqet Kukës dhe Dibër.
Në krahasim me meshkujt, qarqet me përqindje më të lartë me pronare/administratore femra janë Tirana me 30,7 % dhe më të ultin e shënon Kukësi me 15,6 %.
Pozitiv duket trendi në hapjen e ndërmarrjeve të reja, pasi gjatë vitit 2014 rezulton se 31 % e tyre u hapën nga femrat si pronare dhe administratore të tyre.