Pasojat e bllokadës: Shtyhet Seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën
Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku duhej të paraqitet raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon për situatën në Kosovë, sipas ueb-faqes zyrtare të OKB-së, nuk do të mbahet të enjten.
Seanca ishte planifikuar të mbahet të enjten, më 13 nëntor, por është larguar nga rendi i ditës, ndërsa se kur do të mbahet kjo seancë, nuk dihet.
Raportin e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka dorëzuar më 31 tetor, ku shpreh shqetësimin e tij rreth bllokadës politike në Prishtinë dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje dhe të vazhdojnë dialogun me Serbinë.
Jo zyrtarisht mësohet se autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit të shtyjë seancën, për shkak të faktit se ende nuk janë krijuar institucionet e reja në Kosovë.