Libri

Patricia Thompson: Bija e fshehtë e një dashurie

Ndahet nga jeta vajza e vetme e Vladimir Majakovskit, Patricia Thompson. Ekzistenca e saj u bë e ditur në vitin 1991, kur u zbulua lidhja e fshehtë e poetit me emigranten Elli Jones, më 1925, në SHBA

Patricia Thompson, e njohur edhe si Jelena Vladimirovna Majakovskaja, vajza e poetit të madh rus Vladimir Majakovski u nda nga jeta më 1 prill në moshën 89-vjeçare. Lajmin e ikjes së saj e bëri publik drejtori i Muzeut “Majakovski”, Aleksej Lobov. E njohur si filozofe dhe shkrimtare, Patricia ishte autore e mbi 20 librave. Ajo deshi të ndiqte gjurmët e të atit, dhe e jetoi jetën si një shkrimtare e lirë. Patricia ishte një nga dy fëmijët e poetit (tjetri ishte Gleb-Nikita Lavinsky, 1921–1986). Për shumë vite, ekzistenca e saj ishte e panjohur. Fryt i një lidhjeje sekrete mes poetit dhe nënës së saj, Patricia u rrit, duke dëgjuar historitë e së ëmës për rusin që kishte ndryshuar gjithë jetën e saj, vargjet e të cilit ishin kudo nëpër shtëpi. Ajo u bë profesore e filozofisë dhe një përkrahëse e të drejtave të gruas në Nju Jork.

Historinë e prindërve të saj ajo e shkroi në një libër bazuar në kujtimet e së ëmës. Në vitin 1991, pas vdekjes së të ëmës dhe rënies së kolapsit në ish-Bashkimin Sovjetik ajo udhëtoi drejt Rusisë bashkë me të birin, ku u pritën me shumë respekt. Që nga ky udhëtim, ajo mbante dy emra Patricia Thompson dhe Jelena Vladimirovna Majakovskaja. Në vitin 2015, ajo nisi të mësonte rusisht dhe mori nënshtetësinë ruse. Me karakterin e tij gjithnjë të trishtuar, Majakovski ka qenë gjithnjë në qendër të fokusit të biografëve për raportet e tij me femrat. Pakkush mund ta mendonte se pas një martese të gjatë dhe një dashurie me Lili Brik, ai do të jepej çmendurisht pas një gruaje emigrante të cilën e takoi në Nju Jork në verën e vitit 1925. Ajo quhej Elli Jones (Elizaveta Petrovna Zibert) dhe kishte emigruar në Rusi pas revolucionit ku ishte martuar me një anglez, me të cilin ishte ndarë më vonë. Majakovski dhe Jones ranë menjëherë në dashuri por e mbajtën lidhjen e tyre të fshehtë. Nuk ishte e lehtë për një poet sovjetik të shoqërohej me një emigrante. Aq më tepër kur sytë e Lilit dukej sikur e ndiqnin nga mijëra kilometra larg. Kohët e kaluara me Ellin ishin të paharrueshme për poetin, që gjeti tek ajo gjithë paqen e një jete të trazuar. Poeti nuk mund ta mendonte se një vit më vonë, një vajzë do të vinte në jetë nga kjo lidhje, pasi ai ishte kthyer në Rusi. Majakovski do ta takonte të bijën vetëm një herë, në vjeshtën e vitit 1928, kur ajo ishte vetëm 3 vjeç në Nisë të Francës. Kur mësoi të vërtetën e udhëtimit të të shoqit në Nisë (ai i kishte thënë se i duhej të udhëtonte për motive shëndetësore) Lili (e shoqja) u shqetësua. Tashmë, ajo duhet të merrte në dorë situatën, për të mos e lënë atë të ikte. Ajo i kërkoi së motrës që jetonte në Paris ta prezantonte Majakovskin me një aktore 22-vjeçare tepër simpatike, Tatiana Yakovleva, pas së cilës poeti do të marrosej. Poezitë e tij të gjata për dashurinë i janë përkushtuar pikërisht asaj. Pas një lidhjeje që zgjati, ai do të tentojë të martohet me Tatianën, duke dashur dhe të shpërngulet për të jetuar në Paris. Në janar të vitit 1929, Majakovski do të shprehet se është i dashuruar dhe do të vrasë veten nëse nuk e sheh atë grua shpejt. Dhe me kthimin në Rusi, ai nuk e sheh atë grua më dhe më 14 prill të vitit 1930, ai vret veten.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button