PD dërgon në Kushtetuese mosmiratimin e komisionit hetimor për fondet IPARD
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dërgoi sot në Gjykatën Kushtetuese mosmiratimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II në bujqësi.
Sipas PD-së “rrëzimi me votë politike të mazhorancës i një të drejte kushtetuese të opozitës, e bën rolin e deputetëve të saj në Kuvend, jo thjesht të papërfillshëm, por mbi të gjitha fasadë e një normaliteti të rremë që vret çdo ditë rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik”.
PD nënvizon se kjo ka vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën e prezencës së opozitës në Kuvend, por nga ana tjetër dëmton interesin publik për shkak se deputetët nuk ushtrojnë dot përgjegjësitë dhe funksionet e tyre”.
PD thekson më tej se “nëse opozita nuk diskuton dot në Kuvend çështje që kanë interes për qytetarët, nëse nuk ushtron dot kontroll ndaj qeverisjes, nëse nuk shtyn dot përpara miratimin e ligjeve/amendamenteve në interes të qytetarëve, nëse nuk përfillet në të drejtat e saj që ia njeh Kushtetuta e Shqipërisë, atëherë roli i saj në Kuvend është thjeshtë formal duke mos përmbushur përgjegjësitë e veta në një shoqëri demokratike dhe duke dëmtuar kështu sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si garanci për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”.
Në tetor të vitit të kaluar, PD kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në administrimin e fondeve të programit IPARD ll në bujqësi, por kërkesa nuk arriti dakordësi në Konferencën e Kryetarëve, e për pasojë rrëzua.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.