PDIU mbyll fushatën nga Vlora, Idrizi: Votoni nr. 34 për të fuqizuar zërin kombëtar
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet mbylli fushatën elektorale nga sheshi “Pavarësia” në Vlorë.
Të pranishëm në takimin përmbyllës të fushatës në mbarë vendin ishin të gjithë deputetët e PDIU-së, drejtuesit e listave shumëemërore për këshilltarë në të gjitha bashkitë e vendit dhe mijra mbështetës që kishin tejmbushur sheshin “Pavarësia”.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kërkoi nga të gjithë shqiptarët të votojnë PDIU-në, sin jë parti që do të jetë zëri kombëtar dhe zëri i qytetarëve në bashkitë e reja të vendit.
“Ne do të votojmë nr. 34, që fuqia e idealeve tona të jetë 34 herë më e fortë. Ne do të votojmë nr. 34 që fuqia e kombëtarisë të jetë 34 herë më me energji dhe më e fuqishme. Ne do të votojmë nr. 34 që çështja çame të jetë 34 herë më shumë e përfaqësuar në të gjithë Shqipërinë. Ne do të votojmë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet që Shqipërisë t’I garantojmë një parti politike gjeneratorë të shpresës, idealeve, bashkimit, dinjitetit njerëzor dhe europianizmit. Ne do të votojmë PDIU-në, që qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë t’u ndezim dritën e shpresës dhe të mirësisë. Ne do të votojmë nr. 34 se kush ka dashuri për këtë Atdhe, për këtë tokë, për këtë komb, e ka ditën e dielë, si ditën e 34 arsyeve për të votuar Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Unë jam i bindur se do të kemi një fitore spektakolare, sepse duke fituar PDIU do të fitojë Çamëria, do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë të gjithë shqiptarët bashkë, aty ku i ka vendosur Zoti”, tha Idrizi.
Ai theksoi se, PDIU nuk i ndan shqiptarët, por i sheh të bashkuar. Ndaj, kush dëshiron të votojë drejt, ka vetëm një zgjidhje: Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është partia e përgjegjësisë kombëtare; është partia e idealeve dhe dinjitetit njerëzor; është partia e paqes dhe europianizmit. Kush voton sepse urren socialistët le të votojë Partinë Demokratike. Kush voton sepse urren demokratët le të votojë Partinë Socialiste. Kush voton sepse do qytetin e vetë, sepse çdo qytetarë, sepse do Shqipërinë me shpresë, ideale e të bashkuar le të votojë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ne si PDIU duam votën e bashkimit, shpresës, dashurisë, idealeve dhe të besimit. Ne jemi partia e çështjes çame, jemi partia e çështjes kombëtare, jemi partia e patriotizmit modern shqiptar. Kush voton majtas voton Partinë Socialiste. Kush voton djathtas, voton Partinë Demokratike. Kush voton drejt dhe për çështjen çame, voton Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet”, tha Idrizi.
Në fund të takimit, kryetari i PDIU-së i dorëzoi dekoratën e mirënjohjes familjes Qirici nga Himara. Pas genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë në vitin 1944, familja e Jani Qiricit kishte mbajtur një prej fëmijëve të mbetur jetim, duke e birësuar. i biri i Jani Qiricit, Llukë Qirici mori dekoratën në emër të familjes Qirici, duke falenderuar përzemërsisht kryetarin e PDIU-së dhe duke uruar suksese në zgjedhjet e 21 qershorit.